Programi i qeverisë, pikë e veçantë për kontrollin e koncesioneve

Procesi do të nisë me anulimin e Lotarisë Kombëtare dhe vendimin e qeverisë për “ngjyrosjen e karburanteve”
Në një kohë kur programi qeveritar për 300 ditët e para të qeverisjes është bërë gati dhe do t’ju dorëzohet në zyrë nga grupi i punës dy krerëve të koalicionit të ardhshëm qeverisës Edi Rama dhe Ilir Meta, të majtën kanë gati dhe listën e koncesioneve që do të anulojnë brenda kësaj kohe. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, koordinatori i PS-së për programin e përbashkët qeverisës, Ilir Beqja theksoi se të majtët, në një pikë të programit të punës do të vendosin dhe zotimin e kontrollit dhe anulimin e të gjitha koncesioneve të paligjshme të dhëna nga qeveria “Berisha”. Por sipas tij, PS është e vendosur të nisë anulimin me dy prej tyre, atë të Lotarisë Kombëtare dhe koncesionin e dhënë këtë muaj për “ngjyrosjen e karburanteve”. Beqja shpjegoi se kishte një zotim publik në lidhje me anulimin e këtyre koncesioneve dhe se PS kishte ndërmend ta mbante atë. Nga ana tjetër, ai theksoi se së bashku me kolegun e tij të LSI-së, Edmond Haxhinaston do ta dorëzonin këtë fundjavë programin e përgatitur në zyrën e Edi Ramës dhe Ilir Metës, për të përfunduar kështu ‘misionin’ e marrë javë më parë dhe për t’i hapur rrugë fazës tjetër të hartimit të strukturës së re qeverisëse dhe përzgjedhjes së emrave për ministra.
Anulimi i koncesioneve
Një pikë e rëndësishme e programit të përbashkët qeverisës, PS-LSI është dhe kontrolli i plotë i koncesioneve të dhëna nga qeveria “Berisha” dhe anulimit të atyre që ishin dhënë në kundërshtim me ligjin. Por, Ilir Beqja, në një prononcim për “Shqip” konfirmon se ky proces anulimi do të nisë me lotarinë kombëtare dhe me atë të “ngjyrosjes së naftës”, pasi janë gjykuar prej kohësh nga socialistët se janë në kundërshtim me ligjet dhe strategjitë e zhvillimit sektorial të vendit. Por sipas koordinatorit socialist të programit të qeverisë, procesi nuk do të mbyllet me kaq po në shqyrtim dhe kontroll do të kalojnë të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha”, duke përfshirë dhe ato të muajve të fundit. Për sa i përket Lotarisë Kombëtare, kryesocialisti Rama e ka bërë të qartë prej kohësh se ajo do të anulohet në momentin e parë që socialistët do të vijnë në pushtet dhe për këtë i ka shkruar dhe një letër kancelarit austriak. Rama ka theksuar se ka qenë e paracaktuar fitorja e kompanisë austriake në garën për administrimin e këtij koncesioni, duke theksuar se socialistët do ta kthejnë mbrapsht atë për ta kthyer Lotarinë në funksion të interesit publik. Nga ana tjetër, një koncesion që do të anulohet është edhe ai për “ngjyrosjen e karburanteve” që shoqërohet me një taksë kombëtare e cila rrit ndjeshëm çmimin e karburanteve në vend. Ky vendim i cili ka kaluar vetëm përmes Këshillit të Ministrave dhe nuk ka marrë miratimin e Parlamentit është kundërshtuar ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe grupet e interesit.
Dorëzimi i programit
Dorëzimi i planit të punës për 300 ditët e para të qeverisjes që prej javësh po diskutohet prej dy grupeve të drejtuara nga Ilir Beqja dhe Edmond Haxhinasto do të jetë gati këtë fundjavë. Pa ceremoni dy kopjo të tij do të dorëzohen përkatësisht në zyrat e Ramës dhe të Metës. Pas këtij hapi, sigurisht që liderët e së majtës do të marrin kohën e tyre për ta rishqyrtuar planin e përbashkët të punës dhe për t’jua kaluar atë për miratim, forumeve të partive të tyre.
Struktura
Burimet bëjnë të ditur se pavarësisht se programi qeverisës është gati, ende nuk është përfunduar struktura e re e qeverisë së ardhshme të drejtuar nga Edi Rama.
SHQIP
Add new comment