Presidenti Nishani përgënjeshtron: Nuk jam sëmurë, lajme dashakeqëse ndaj meje

Pas lajmit të publikuar në orët e vona të mbrëmjes së sotme në lidhje me disa probleme shëndetësore të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka qenë vet ky i fundit që ka dhënë një deklaratë për mediat për të sqaruar gjithçka dhe për të mohuar faktin se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë siç u spekulua.
“Në këtë orë të vonë të natës, pas një dite të lodhshme, arsyeja e komunikimit me ju ishte për të përcjellë te qytetarët, miqtë dhe dashamirësit e mi një mesazh. Kjo sepse, përpara disa çastesh, disa burime dërguan në media të ndryshme një lajm spekulativ, sipas të cilit pretendohej për një gjendje shëndetësore timen shumë të rëndë, pas një operacioni që paskërkam kryer. Natyrisht që dua të ndaj shqetësimin tim për shqetësimin e miqve, dashamirësve dhe qytetarëve, pasi bëhet fjalë për kryetarin e shtetit, por duke përfituar nga ky rast garantoj të gjithë qytetarët, që Presidenti është në krye të detyrës, do të përmbushë me dinjitet cdo detyrë dhe funksion kushtetues”, tha Nishani.
Më pas presidenti u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
“Në drekë jam kthyer pas një vizite të suksesshme në Izrael, në orët e vona kam drejtuar mbledhjen e KLD dhe më vonë jam drejtuar në banesë në Durrës, ku kam marrë vesh lajmin. Pas zgjedhjeve do të keni qëndrimin e Presidentit, por nesër, përmes jush, do i drejtohem qytetarëve me një mesazh që i takon Presidentit të Republikës”, përfundoi Nishani.
SHQIP
Add new comment