Presidenti Nishani: Fushata të mos dominohet nga retorika agresive

Postuar në 30 Prill, 2013 15:49

 

Presidenti Bujar Nishani ka apeluar sot që fushata elektorale të mos dominohet nga emocionet dhe retorika agresive. Gjatë një takimi me rektorë dhe studentë, kreu i shtetit u ka kërkuar që të udhëheqin proceset emancipuese të shoqërisë. “Fushatat kanë një dozë të caktuar emocionaliteti, por nuk duhet të dominohen nga emocionet. Dozat e tepruara, retorika agresive vetëm prodhojnë fanatikë dhe fanatizëm, që mund të kthehen në problem për të gjithë. Zgjedhjet janë momenti i qytetarit që ushtron parimin e tij themelor për të përcaktuar si do qeveriset në mandatin e ardhshëm, kë beson më tepër, kush përfaqëson interesat e tij”, tha Presidenti.

Ndër të tjera, Nishani u shpreh se e drejta e ushtrimit të votës duhet të udhëhiqet nga principet dhe jo nga interesat e momentit. “Ushtrimi i të drejtës së votës të mos udhëhiqet nga interesi i çastit dhe i ditës, por nga principet. Kur të udhëhiqemi nga principet do kemi arritur një pjekuri shumë të lartë të shoqërisë. Shoqëria shqiptare ka evoluar në këto 20 vite, në gjykim, në veprim, në krijimin e perceptimit. Qytetarët shqiptarë meritojnë respektin, i cili jetësohet tek mënyra e sjelljes politike, institucionale dhe civile gjatë kësaj fushate. Ne si shoqëri meritojmë të matemi të vlerësohemi me këto parametra, të qenit në një shoqëri që vërtet të shkuarën e ka pasur me probleme, por ajo shërben për të rigjeneruar më shumë ambiciet. Ftoj të gjithë qytetarët të angazhohen në këtë sjellje civile”, apeloi Nishani.

Sipas kreut të shtetit mazhoranca ka përgjegjësitë kryesore të zbatimit të platformës qeverisëse, por të gjithë së bashku duhet të përçojnë mesazhin për respektimin e mekanizmave që udhëheqin zgjedhjet. Ai u ndal dhe në çështjen e integrimit të vendit. “Sfidat e mëdha jo vetëm zgjedhjet, sfidat janë të shumta, një nga këto është edhe integrimi evropian, duhet të jetë i thjeshtë paqësor e normal, duhet të nisë dhe të karakterizohet nga përmbushja e detyrimeve të institucioneve, individëve. Kërkon edhe marrjen e përgjegjësive. Shqiptarët e shohin integrimin si një mundësi që institucionet tona të ecin edhe në mënyrë të detyrueshme për të kapur standardet evropiane. Ky një gjykim shumë i mençur, i shkon për shtat faktit apo vlerësimit që kjo shoqëri e sheh veten si kontributore se sa si konsumatore. Kemi potenciale për të qenë kontributorë. Rëndësi ka që ky proces të jetë i qetë e jo konfliktual. Arritja e suksesit do të vijë kur punët të bëhen më shumë mirë dhe më pak keq”, tha ai.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.