PRAPË NË BRUKSEL, PËR IMPLEMENTIMIN E MARRËVESHJES

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic do të duhet të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në javën e tretë të majit. Kësaj radhe për të nënshkruar implementimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha për Express se kjo është çështje prioritare për Prishtinën.
Baronesha Catherine Ashton pritet t’i bëjë bashkë sërish kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic. Kësaj radhe për të dhënë inicialet e tyre edhe në dokumentin për implementimin e marrëveshjes së ashtuquajtur historike mes shteteve të tyre.
E këtë, lehtësuesja e dialogut për normalizim marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas burimeve diplomatike të Express, e ka ndërmend ta bëjë qysh në fillimin e javës së tretë të majit.
“Data 13 maj po shihet si më ideale për këtë takim, meqë ditëve më herët do të ketë festa. Andaj po presim që Baronesha të jap konfirmimin për këtë datë”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në procesin për Express.
Zyrtarisht nga zyra e Ashton nuk është folur rreth kësaj date, pavarësisht nuk është mohuar si e mundshme.
“Krejt çka mund të them tani është se dialogu vazhdon në të gjitha nivelet”, tha Zëdhënësja e Baroneshës, Maja Kocijancic të hënën për Express.
Në anën tjetër, qeveritarët kosovarë po shfaqën të gatshëm që në çdo moment të fluturojnë për në Bruksel për të nënshkruar dokumentin që siguron zbatimin e të arriturave në dialog.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha për Express se implementimi mbetet prioriteti i ekzekutivit pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Në takimin e fundit ne jemi marrë vesh që takimi i radhës të ndodh ndërmjet dy kryeministrave dhe zonjës Ashton ku do të diskutohet në detaje për planin implementues dhe ku pritet edhe të nënshkruhet plani implementues nga dy kryeministrat dhe zonja Ashton”, tha Kuçi.
“Plani implementues është përafërsisht plani i përgjithshëm për implementim dhe kryeministrat duhet të vendosin edhe për afatet kohore kur do të implementohet e dhe për trupat implementues”, shtoi Zëvendësshefi i Qeverisë.
Ai tha se varet prej agjendës së baroneshës Ashton se kur do të mbahet ai takim mirëpo konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë.
“Përndryshe ne e kemi prioritet takimin dhe implementimin e marrëveshjes”, tha Kuçi.
Implementimi i asaj që mori më shumë se dhjetë raunde për t’u arritur, mbetet faza më e vështirë për të gjitha palët e përfshira në dialog.
Ditë më parë këtë e potencoi edhe vetë ndërmjetësuesja e tij, Shefja për Politikë të jashtme në BE, Catherine Ashton.
Në një shkrim autorial ajo bëri thirrje që asnjëra palë të mos gëzohet para kohe për marrëveshjen e arritur ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
"Nuk duhet të gëzohemi para kohe. Historia ende nuk ka mbaruar. Të dy shtetet janë ende në udhëkryq, por dy burra të guximshëm, kanë zgjedhur rrugën e paqes” ka shkruar ajo në tekstin autorial për gazetën ruse “Kommersant”.
Ajo ka shtuar se detyra e dy Kryeministrave është që t’u “ndihmojnë dhjetëra mijëra serbëve që jetojnë në Veri të Kosovës”.
"Tani Serbia dhe Kosova synojnë BE’në. Me marrëveshjen e javës së shkuar ka filluar procesi që do t’ua mundësojë realizimin e qëllimit”, ka shkruar Baronesha.
Në ndërkohë disa pika të planit implementues të marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, për të cilat delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë arritur pajtim tashmë janë bërë publike.
Pas dy ditë diskutimesh në nivel të ekspertëve, ndërmjetësit europianë e kanë prezantuar një draft të planit të zbatimit, i cili nuk mori miratimin e menjëhershëm të të dyja palëve. Mirëpo, është pala serbe ajo e cila ka kërkuar kohë shtesë për konsultime të mëtutjeshme.
Në atë draft thuhet se Asociacioni i Komunave do të themelohet pas zgjedhjeve lokale dhe se do te themelohet një grup përgatitor nga Qeveria e Kosovës ku do t’i përcaktohen detyrat në përgatitjen e statutit dhe themelimin e asociacionit.
“Grupi përgatitor do të ketë afatin e veprimit deri në zgjedhjet lokale. Do të shpërbëhen strukturat ilegale të sigurisë përfshirë MUP, BIA dhe Mbrojtjen civile dhe do të mbyllen objektet e tyre”, thuhet në pikat në vijim.
Ndryshe, implementimi i marrëveshjes për normalizim raportesh Kosovë- Serbi, është kushti për të dyja palët para vendimeve të ministrave të BE’së në qershorin e këtij viti.
Aty pritet të vendoset për nisjen e negociatave për MSA’në me Kosovën dhe datën e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Për të dyja këto tashmë ka rekomandime pozitive pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila u konsiderua historike për të dyja palët dhe paqen në rajon.
E njëjta marrëveshje mori shumicën e votave parlamentare për pëlqim në Kuvendet e të dyja shteteve. Pas takimit të kryeministrave për zbatimin e saj pritet edhe ratifikimi në të dyja Parlamentet.
EXPRESS
Add new comment