PR akuzon PD, Madhi: Mandati i pestë në Shkodër na takon neve

KQZ rrëzon ankimin, Prifti: Mbeta jashtë Parlamentit nga hajdutët e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e kandidatit të pavarur Dritan Prifti, si dhe shtyn për 24 orë kërkesën e PR-së për Qarkun e Shkodrës. Kërkesa e kandidatit të pavarur Prifti u mbrojt nga avokati Eno Bushi dhe kishte të bënte me rivlerësimin e votave për të gjitha qendrat e votimit të Qarkut të Fierit, pasi vullneti i zgjedhësve ishte deformuar. Avokati i Priftit la të nënkuptonte se në KZAZ-në numër 59 ka pasur ndërhyrje nga LSI-ja, duke deformuar vullnetin e zgjedhësve. Bushi ndërkohë paraqiti si provë dhe kaseta filmike në të cilat vërtetohej manipulimi apo devijimi i votës. “Mbi bazën e provave dhe të fakteve që ne kemi, rezulton se devijimi i votave lëviz një mandat në Qarkun e Fierit”. Pas këtyre provave, KQZ-ja e gjendur disi ngushtë kërkoi gjysmë ore pushim në lidhje me marrjen e një vendimi për ankimin e bërë nga kandidati i pavarur për deputet. Pas konsultimit, KQZ-ja me katër vota pro rrëzoi ankimin e Priftit, duke u shprehur se ato nuk përbënin prova të mjaftueshme për të kërkuar një rivlerësim apo rinumërim të votave për 570 QV në 10 Zonat e Administrimit Zgjedhor të Qarkut të Fierit. Pas këtij rrëzimi ka ardhur i menjëhershëm reagimi i kandidatit të pavarur Dritan Priftit, i cili shprehet se “ndodhet jashtë Parlamentit jo se nuk e votoi populli, por se votat e tij u vodhën nga hajdutët profesionistë”. “Hajdutët e votave mbetën pa emër dhe pa u ndëshkuar nga ligji. Unë mora 7 mijë vota pasi më vodhën edhe 7 mijë vota të tjera. Më vjen keq që vendi ynë nuk realizon dot zgjedhje pa vjedhje”, deklaroi Prifti, i cili nuk ka harruar të falënderojë të gjithë qytetarët e Fierit të cilët e votuan më 23 qershor.
PR kundër PD
Pas Fierit, KQZ-ja shqyrtoi ankimin e Partisë Republikane për ndryshimin e votave të tabelave të rezultateve në disa zona zgjedhore të Qarkut të Shkodrës. Në ambientet e KQZ-së ka qenë i pranishëm nënkryetari i kësaj force, Arjan Madhi i cili në deklarimet e tij nuk ka ngurruar që të akuzojë partinë aleate, PD-në për vjedhjen e mandatit. PR kërkon në kërkesën e saj pavlefshmëri për QV-të 0881, 0092, 0199 të ZAZ nr 2, për shkak të pavlefshmërisë së procedurës pas mbylljes së votimit, si dhe përpara numërimit, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që kanë procedurat në procesin zgjedhor. “Konkretisht procesverbali i QV 0881 është dorëzuar dorazi dhe nuk ishte futur as në kutinë e votimit të materialeve zgjedhore; ndërsa në kutinë e fletëve të QV nr. 0092 janë gjetur fletë votimi më shumë se sa numri i zgjedhësve që kanë votuar në këtë QV. Sipas vërejtjeve të numëruesve ka mos rakordancë mes numrit të fletëve të përmendura në procesverbalin e QV-së dhe numrit të fletëve të gjetura në kuti. Rinumërim për 13 kutitë e fundit që janë numëruar në ZAZ nr. 2, pas orës 20:00, të datës 25.06.2013, për shkak të problematikës specifike të rrëmujës së jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike në mënyrë të përsëritur. Kjo ka ndikuar në pamundësinë tonë për të ruajtur, vëzhguar dhe kontrolluar procesin e numërimit të votave për shkak të fikjes së dritave në kohën kur kutitë e këtyre QV-ve ishin të hapura dhe procesi i numërimit të këtyre kutive pati shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe manualeve dhe të rregullave të VNV-ve”, thuhet në kërkesën ankimore të PR-së. Për disa QV në ZAZ 3 të Shkodrës, theksohet se “janë të dukshme korrigjimet me vota të shtuara në subjektet zgjedhore, korrigjim i bërë në disfavor të PR-së në raport me ato të PD-së, jo vetëm për zonën zgjedhore, por për të gjithë qarkun dhe që ndikon në fitimin e mandatit për deputet të kandidatit të PR-së në këtë Shkodër”. Pas paraqitjes së këtyre provave nga ana e avokatit Bushi, KQZ-ja pasi mori në dorëzim provat shkresore e shtyu për sot vendimin për Qarkun e Shkodrës. KQZ-ja ndërkohë rrëzoi kërkesat për pavlefshmëri të Qarkut të Gjirokastrës dhe të Tiranës.
Kreut të PPKDSH-së i rrëzohen të gjitha ankimet në KQZ
Shkambi: Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese
Partia Popullore Kristian Demokrate e Shqipërisë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të Kodit Zgjedhor. Kreu i kësaj partie, Pal Shkambi, pas rrëzimit të ankimimit të të gjitha kërkesave për pavlefshmëri nga ana e KQZ-së pothuajse në të gjitha qarqet e vendit, ka deklaruar se “do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Kodit Zgjedhor, pasi është një ligj diskriminues ndaj votës së popullit shqiptar dhe partive të reja politike”. Kjo parti ka paraqitur ankime për rinumërim të votave për të gjitha qarqet e vendit, pasi pretendon se ka pasur vjedhje të votave nga ana e dy partive të mëdha. Shkambi ndërkohë akuzon dhe KQZ-në, e cila nuk i ka vënë në dispozicion materialet e nevojshme për t’i përdorur si provë. PPKDSH ka hyrë e vetme në zgjedhje. Për të hyrë në këtë garë ajo ka paraqitur mbi 5 mijë firma, siç dhe kërkon ligji. Edhe Partia e Bashkimit Popullor të Pensionistëve është subjekti që ka ankimuar të gjitha qarqet e vendit duket kërkuar pavlefshmëri të votave. Të gjitha këto kërkesa i janë rrëzuar.
SHQIP
Add new comment