Poni kërcënon minibashkitë: Do t’i ndajmë vetë qendrat e votimit

Postuar në 28 Mars, 2013 03:25

 

Ministria e Brendshme kërcënoi dje njësitë vendore socialiste se do të ndërhynte përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile për të bërë të mundur ndarjen e qendrave të votimit. Ky kërcënim erdhi dje nga ana e zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili theksoi se do të ndërhyhet tek ato njësi vendore të Tiranës të cilat nuk vepronin për të bërë të mundur ndarjen e qendrave të votimit në Tiranë, të cilat kishin kaluar numrin limit të 700 zgjedhësve në një qendër. Bëhet fjalë për katër njësi vendore të kryeqytetit, 3 nga të cilat drejtohen nga PS-ja, përkatësisht njësitë numër 1, numër 5, numër 7 dhe njësia numër 4 e drejtuar nga PD. Por nga ana tjetër, socialistët janë të pretendimit se vetë kjo ministri nuk po kryen detyrën e pastrimit të listave nga dublikatet dhe po zvarrit këtë proces të rëndësishëm, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e tjera të organizimit zgjedhor nga ana e njësive vendore. Në një prononcim për “Shqip”, eksperti i PS-së për zgjedhjet, Bledar Çuçi, theksoi se aktualisht ministria po mban të bllokuar procesin e pastrimit të listave në një kohë kur nga PS janë nxjerrë 60.000 rekorde në të gjithë vendin që dyshohet se janë të dubluar. Por Poni dje theksoi se aktualisht janë vetëm 3400 rekorde të publikuara në vend dhe ministria po punon për të arritur në pastërtinë maksimale të listave të zgjedhësve.

Ndërhyrja

Ministria e Brendshme me sa duket po planifikon ndërhyrjen te  kompetencat e njësive vendore në kuadër të shpërndarjes së zgjedhësve sipas qendrave të votimit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi dje se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pritet të ndërhyjë në katër njësi vendore të drejtuara nga socialistët, në rast se nuk merren masa të menjëhershme për të bërë një ndarje zgjedhësish aty ku një qendër votimi kalon numrin 700 të tyre. “Në disa njësi të Tiranës, në njësinë 7, 5, 1, 4 kishte qendra votimi mbi limitin 700. Të gjitha duhet të jenë 700. Ne nuk duam të vemi në përdorimin e kompetencës së përgjithshme që quhet, ku në 9 maj ku mbyllen ndryshimet Drejtoria e Përgjithshme është e ngarkuar t’i vendosë në ligj, por unë jam optimist që dhe këto janë kalimtare”, bënë të qartë Poni në lidhje me këtë çështje.

Dublikimet

Por në një kohë kur Ministria e Brendshme planifikon të marrë veprime drastike pranë njësive vendore në emër të ecurisë së procesit, socialistët akuzojnë ministrinë se po mban peng një proces thelbësor siç është ai i pastrimit të listave nga dublikatat. Në një prononcim për “Shqip”, eksperti i PS-së për çështjet zgjedhore, Bledar Çuçi, thekson se opozita po pret prej një muaji që ministria të marrë masa për pastrimin e dublikimeve, që sipas saj janë rreth 60.000. “Ne dyshojmë se aktualisht në të gjithë Shqipërinë ka 60.000 dublikime. Këto rekorde të dyshuara ia kemi paraqitur Ministrisë së Brendshme një muaj më parë dhe i kemi kërkuar që të zbatojë procedurën për pastrimin. Kjo procedurë ka të bëjë me evidentimin e zgjedhësve realë mes këtyre 60 mijëve përmes aplikimit të tyre për të marrë kartën e identitetit. Nga listat duhet të hiqen pikërisht ata që s’e kanë bërë këtë aplikim. Por pavarësisht kësaj, ministria ende nuk ka vepruar për të zhvilluar këtë procedurë”, thekson Çuçi, duke e parë si tepër problematike këtë situatë. Nga ana tjetër, zëvendësministri Poni theksoi se aktualisht kishte 3400 rekorde dublikante. “Lista me 7 mijë e 600 e ca dublime është reduktuar në një listë me 3400 rekorde. Sa më e vogël fusha e veprimit, ne besojmë në një cilësi më të lartë të listës, dhe pse jo të shkojmë drejt një zeroje absolute”, premtoi ai.

 

Qendër Listat - Ende Ministria e Brendshme nuk ka përfunduar procesin e definimit përfundimtar të listave të zgjedhësve të pastruar nga publikimet

2 Për rastin e publikimeve PS dhe qeveria kanë dy qëndrime të kundërta. PS thekson se ka 60 mijë, ndërsa qeveria vetëm 3400

3 SHBA - Misioni i vëzhguesve amerikanë i kërkoi Ministrisë së Brendshme që të lironte fondin për njësitë vendore për mbylljen e listave

4 Tirana - Kryeqyteti është një zonë shumë kyçe për ardhmërinë e zgjedhjeve ndaj po zhvillohet një betejë për ndarjen e qendrave të votimit

Transferimi - Para disa ditësh, opozita iu ankua ambasadës amerikane se po bëhen transferime zgjedhësish nga Qarku i Fierit në Tiranë

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.