Pogradec, Meta: Sfida jonë, integrimi në BE

POGRADEC- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke pranuar se me 23 qershorin u cel rruga e Shqiperise evropiane ka deklaruar se sfidë mbetet integrimi i vendit në BE.
Sipas tij detyrë e forcës që drejton është t’i jepet mundësi njerëzve që të punojnë dhe të jetojnë me djersën e ballit.
Deklarata është bërë gjatë një takimi falenderues me strukturat e Pogradecit. Sipas tij kontributi i LSI-së ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjithë koalicionin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.
Ai ka kujtuar se 180 000 vota kanë qenë vendimtare për këtë rezultat të jashtëzakonshëm, për këtë fitore domethënëse, për këtë rrotacion tepër të vendosur.
“Natyrisht që kontributi i LSI-së nuk ndalet këtu përkundrazi 23 qershori është vetëm stacioni i radhës në angazhimin tonë si forcë politike për të transformuar vendin, për ta bërë atë një vend plotësisht evropian, të standardeve evropiane. Ne i kemi treguar aftësitë tona në të kaluarën dhe do t’i tregojmë akoma më shumë tani. 180 000 vota dhe 16 mandate është një rezultat i jashtëzakonshëm”, vijoi ai.
Meta ka thënë më tej se sfidat e mëdha që i presin në qeverisje do t’i përballojnë me sukses sepse do t’i përballojnë të gjithë së bashku, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim tani ka marrë atë shpejtësinë e duhur për të ecur drejt atyre objektivave që do ta shndërrojnë në një forcë akoma edhe më të fuqishme, akoma edhe më shpresëdhënëse, në një garanci të fuqishme për normalitetin e jetës politike në vend, për stabilitetin e vendit, për zhvillimin e tij, për integrimin e tij e sidomos për punësimin e pogradecarëve, të të rinjve dhe për punësimin e të gjithë shqiptarëve.
PANORAMA
Add new comment