PD zhvendos shtabin elektoral nga selia blu. Skema e makinës zgjedhore

Funksionimi i “trurit të fushatës” që del nga zyrtari i kompanisë “Podesta”
Fushata e PD-së nuk drejtohet më nga selia blu, por nga zyrat speciale pranë saj në një qendër biznesi, ku qendra e prodhimit të ideve dhe urdhrave elektoralë kalojnë nëpërmjet kreut real të fushatës, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ashtu si në zgjedhjet vendore të 2011-s për Bashkinë e Tiranës, Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike është vendosur jashtë selisë blu, pranë godinës që njihet me emrin “Torre Drini”. Burime pranë PD-së theksuan për gazetën “Shqip” se zhvendosja e stafit është bërë për shkak, se ashtu si në zgjedhjet e 8 majit 2011, gjatë zgjedhjeve është mobilizuar një numër i madh personash, shumë më shumë nga kapaciteti që mban godina e demokratëve. Shtabi i PD-së ndodhet në godinën e quajtur “Torre Drini”, në dy katet e saj, në të tretin dhe në të nëntin, pranë Ministrisë së Brendshme dhe selisë së PD-së. Nga aty po koordinohet e gjithë pjesa mediatike fushata zgjedhore e Partisë Demokratike për garën e 23 qershorit, pasi në këtë godinë vjen dhe informacioni i degëve të PD-së në rrethe.
Kati i tretë
Sipas informacioneve të mbledhura nga gazeta “Shqip”, mësohet se në katin tretë të godinës “Torre Drini” gjendet zyra e drejtuesit të fushatës së demokratëve, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashës. Burime pranë selisë blu theksuan se këtë zyrë Basha zhvillon një herë në ditë, mbledhje me të gjithë drejtuesit e fushatës të ndarë sipas zonave. Në këto mbledhje bëhet dhe përcaktimi i axhendës ditore, ku normalisht secili nga drejtuesit merr udhëzimet mbi punës e ditës, ku ndër të tjera është fakti se ata trajnohen edhe mbi terminologjinë që do përdorin në takimet e tyre elektorale. Bëhet fjalë për trajnime mbi diskurset politike që do zhvillojnë kandidatët gjatë takimeve me banorët e zonave ku ata do zhvillojnë takime, si dhe u jepen direktiva në lidhje me premtimet që kandidatët do bëjnë për banorët. Gjithashtu, një tjetër praktikë që po ndiqet nga drejtuesit e fushatës së demokratëve, është ajo e përgatitjes së opinionistëve mediatikë që shprehin qëndrime të djathta në ekranet e ndryshme televizive, të cilët udhëzohen në lidhje me mesazhet direkte që i drejtohen audiencës shqiptare. Në zgjedhjet e kaluara, zyra e opinionistëve gjendej në katin e shtatë të godinës në fjalë, por sipas burimeve mësohet se kjo zyrë nuk po përdoret në këtë fushatë.
Kati i nëntë
Në katin e nëntë ku është përqendruar shtabi elektoral i Bashës ndodhen tri zyra njëra pas tjetrës. Në zyrën e parë gjendet salla e madhe, e cila është përshtatur në formë redaksie, në të cilën janë instaluar 7-8 kompjuterë. Në mes të sallës gjendet një tryezë e rrumbullakët ku zhvillohen mbledhjet me stafin e medias, e cila shpërndan të gjitha informacionet e përpunuara që vijnë jo vetëm nga Qarku i Tiranës, por edhe nga rrethet e tjera të vendit. Këto mbledhje drejtohen nga këshilltari për mediat, Edi Lesi. Në zyrën ngjitur me sallën e madhe të medias gjendet zyra e këshilltarit të përhershëm amerikan për fushatën (Podesta), të quajtur Abraham, i cili nga rrethi i ngushtë njihet thjesht si “Abby”. Ndërsa, në zyrën ngjitur me Abby-n ndodhet zyra “Pull-maker”, në të cilën grumbullohen të gjitha rezultatet ditore të sondazheve të brendshme që PD-ja po zhvillon këto ditë në terren, me një staf prej rreth 350-400 personash të shpërndarë në të gjithë Qarkun e Tiranës. Të gjitha rezultatet mblidhen në formë raportesh ditore, të cilat i dorëzohen këshilltarit amerikan të fushatës. Pas vënies në dijeni me këto raporte, urdhërohen deputetët dhe kandidatët për deputetë përkatës të atyre zonave të cilat nuk japin pritshmëritë e kërkuara nga Shtabi Elektoral, dhe u kërkohet që të ndërhyjnë në mënyrë që të rrisin dozën e aktiviteteve në zonat ku rezultatet e sondazheve janë në nivele jo të kënaqshme për drejtuesit. Aktualisht, në zyrën e pull-maker punojnë dy persona, të cilët vënë në dijeni për çdo informacion këshilltarin amerikan.
Bogdani mbledh FRPD
Nën drejtimin e kreut të FRPD-së, Gert Bogdani, kryesia e Forumit Rinor të PD-së zhvilloi mbrëmjen e djeshme në selinë blu një takim me të rinjtë e kryeqytetit. Burime nga PD-ja theksuan se temë e bisedës së djeshme ishte mobilizimi i të rinjve në fushatën derë më derë që po zhvillohet në Tiranë. “Drejtpërdrejt nga selia qendrore e PD-së, mbledhje e kryesisë së FRPD-së së Tiranës”, thuhet në njoftimin e FRPD-së së Tiranës.
Shpërndarja e shtabit
Burime nga PD-ja theksuan se fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, e cila në Qarkun e Tiranës drejtohet nga Lulzim Basha janë përcaktuar edhe drejtuesit e tjerë sipas zonave.
Vorë
Në fushatën e PD-së që po bëhet në Vorë, Gërdec etj., drejtues i saj është ngarkuar ministri aktual i Shëndetësisë, Halim Kosova.
Ish-prefekti
Në Domje, Kashar, Bërxull etj., fushata kryesohet nga ish-prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, që është dhe kandidat për deputet.
Bashkëpunimi
Në Kamzë, Paskuqan, Institut Bujqësor, fushata e demokratëve drejtohet nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, dhe me ndihmë të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu.
Rikthimi
Në zonën e ish-Kombinatit, Sharrë, Vaqar etj., që i përkasin njësisë numër 6, fushata kryesohet nga deputeti i Lezhës, Edi Paloka.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, është caktuar si drejtuese e fushatës në njësinë 7. Kreu i FRPD-së, Gert Bogdani, në njësinë 2, i cili është zëvendësuar nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.
SHQIP

Add new comment