PD urdhër administratës për të votuar para orës 11:00

-Partia Demokratike ka urdhëruar të gjithë nëpunësit e administratës publike që të paraqiten para qendrave të votimit për të votuar para orës 11. Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se urdhri i është dërguar nga selia blu të gjithë drejtuesve të lartë të administratës publike për t’u kërkuar vartësve të tyre që të votojnë para orës 11:00 të ditës së sotme. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se nxitimi për të votuar në orët e para të ditës së nesërme lidhet me exit-pollet e mundshme që priten të zhvillohen. Një sondazh pozitiv për mazhorancën, sipas atyre që merren me strategjinë zgjedhore në Patinë Demokratike, do të ndikonte në moralin e zgjedhësve të tjerë të cilët e kanë lënë për të votuar në orët e pasdites. Mësohet se drejt të gjithë punonjësve të administratës shtetërore është dërguar një mesazh telefonik nga grup –seksionet e Partisë Demokratike të cilët gjatë gjithë fushatës zgjedhore kanë shënuar në listat e veçanta të gjithë punonjësit e administratës publike dhe u kanë kërkuar që të paraqiten në degët e PD-së për të konfirmuar angazhimin e tyre në fushatë. Ky fakt provohet edhe nga postimi i kryetares së Kuve- dit Jozefina Topalli, e cila në rrjetin e saj social në Facebook u ka kërkuar të gjithë qytetarëve që të votojnë para mesditës dhe më pas të shijojnë fundjavën në këto temperature të larta. “Ne jemi në fitore dhe ora e saj po afron. Por, përcaktuese për fatin e fitores sonë të merituar do të jetë votimi nga ju dhe çdo i njohur i juaji në orët e para të mëngjesit. Nesër nuk është koha për plazh! Është koha për Fitore!”, thuhet në postimin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Presioni ndaj administratës
Por kërkesa ndaj administratës për të votuar brenda orës 11 nuk është i rastësishëm. Gjatë gjithë kësaj kohe, drejtorët e administratës publike në institucione të ndryshme, u kanë kërkuar punonjësve të tyre që të deklarojnë pjesëtarët e familjes të cilët janë në moshë madhore për të votuar si dhe të afërmit apo të njohurve. Në formularët e shpërndarë nga grup-seksionet e Partisë Demokratike, kërkohet vendi i punës se ku ata janë të punësuar si dhe numrat e telefonit të të afërmve për t’u kontaktuar më pas nga PD-ja. Një nga rastet është ai i shpërndarjes së tyre në Ministrinë e Ekonomisë, e cila mori mbështetjen dhe nga kryeministri Berisha, ç’ka solli edhe një rritje të këtij fenomeni në të gjithë institucionet shtetërore nga veriu në jug. Edhe në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë në kryeqytet. Punonjësve u është kërkuar që në formularë të shënojnë të gjithë të dhënat. Formularët janë shpërndarë nga grup-seksioni numër 2 , zona 2 në Tiranë. Por , ndryshe nga formulari i shpërndarë te Ministria e Ekonomisë, punonjësve të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë u kërkojnë që të shënojnë të gjithë familjarët e tyre, prindërit, fare-fisninë dhe shoqërinë. Duket se krerët e degëve të Partisë Demokratike janë ndjerë të çliruar nga deklarata e kryetarit të kësaj force Sali Berisha, i cili përgëzoi drejtoreshën në Ministrinë e Ekonomisë që kishte shpërndarë materiale të tilla për vartësit e saj. Përballë dokumenteve të bëra publike nga deputeti Saimir Tahiri, ku nëpunësit që janë zgjedhës në Njësinë 5 detyrohen të plotësojnë formularë partiakë, kryeministri Berisha përgëzon ata që i kanë shpërndarë dhe kanë urdhëruar plotësimin e tyre. “Ai nuk është një formular kontrabande, as një formular dogane, është thjesht një formular për administratën. Unë e përgëzoj znj. Ermira për këtë gjest”,ka deklaruar Berisha.
SHEKULLI
Add new comment