PD shtyn votimin. Skenari i PS për bllokimin

Postuar në 12 Prill, 2013 04:07

 

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Pagat e gjyqtarëve - PS dhe PD bashkuan votat dje për të votuar draftin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, ku u miratua rritje e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët

Berisha - Kryeministri Berisha ka munguar në seancën e Kuvendit. Ai ka qenë në dijeni të zhvillimeve, si dhe pas seancës ka zhvilluar një takim në zyrën e tij me kreun e grupit të PD-së dhe kreun e PR-së

Anëtari i KQZ

Miratimi do të bëhet të hënën. Pas dështimit, Patozi takon Berishën

BLEDAR HOTI

Presioni i faktorit ndërkombëtar dhe mungesa e votave brenda mazhorancës e ka detyruar Kryeministrin Sali Berisha, njëherësh dhe mazhorancën të tërhiqen nga ideja e votimit të nismës për heqjen e anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho. Fillimisht në rendin e ditës ishte parashikuar si pikë e dhjetë: “Kërkesë për lirimin nga detyra e një anëtari të KQZ, me qëllim respektimin e parimit të baraspeshimit të përbërjes së këtij komisioni”. Pikërisht për këtë arsye janë mbajtur dy konferenca kryetarësh të grupeve parlamentare. E para ka qenë tepër normale, pasi është folur për kalendarin e punimeve për afatin kohor nga 12 prilli deri në 2 maj. Në mbledhjen e dytë të konferencës së kryetarëve e thirrur në zyrën e Topallit është diskutuar mbi temën e nxehtë, atë të futjes për shqyrtim të kërkesës së PD-së për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Kryetarja e Kuvendit, me anë të punonjësve të saj, shpërndau lajmin se me kërkesë të kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, u shty për të hënën votimi i kësaj pike. Por nga ana e PS-së hidhen poshtë këto pretendime. Socialistët Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, në mbledhjen e konferencës, e zhvilluar me dyer të mbyllura e kanë cilësuar si antiligjore dhe në shkelje të plotë me Rregulloren e Kuvendit futjen në votim të një çështjeje apo projektligji pa kaluar 48 orë nga shqyrtimi i komisioneve. Kryetari i grupit të opozitës, Gramoz Ruçi mësohet se ka kundërshtuar dhe e ka quajtur si të paligjshëm përfshirjen në seancë për shkak se ai bie ndesh me rregulloren, pasi nuk i përmbahet kriterit për plotësimin e 48 orëve nga miratimi në Komisionin e Ligjeve. Ndërsa demokratët kanë këmbëngulur në realizimin e baraspeshës politike në KQZ. Për më se tri orë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë shëtitur përpara oborrit të Kuvendit për të pritur verdiktin e Konferencës së Kryetarëve. Kjo ka shërbyer që liderët apo deputetët e partive të ndryshme të japin qëndrimet e tyre mbi këtë çështje.

Skenari i PS-së   

Fillimisht, PS-ja mblodhi grupin e saj në ora 10:00 për t’u njohur me qëndrimin për votën se si do të votohej për shkarkimin e Muhos. Skenari i PS-së ishte se nëse kërkesa futej për çdo ligj duhej të regjistroheshin 60 deputetë si diskutantë. Kjo me qëllimin për të zgjatur pa fund seancën parlamentare. Natyrisht, vota e PS-së do të ishte kundër. Socialistët kishin lajmëruar të gjithë deputetët e grupit, në mënyrë që të mos kishte asnjë rrjedhje votash. Ideja e diskutimeve pa fund mësohet se është bërë prezent dhe në Konferencën e Kryetarëve. Ndërsa tensioni mes deputetëve për një çështje të tillë vihet re dukshëm në të dyja kampet e politikës.

Meta akuzon Berishën si diversant

“Nuk ka lidhje me ligjshmërinë dhe as me kushtetutshmërinë. Ne kemi një sjellje prej diversantësh në politikë”. Kështu deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta, dje paradite gjatë hyrjes në seancë parlamentare. Ndërsa mësohet se gjatë kohës kur po mbahej konferenca e kryetarëve, zyrtarë të PD-së kanë negociuar me tre deputetët e pavarur Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani. Më vonë Dogjani për mediat u shpreh se “Sa i përket anëtarit të LSI, në kod është parashikuar qartë mënyra si zgjidhen anëtarët e KQZ dhe sa anëtarë i takojnë mazhorancës apo dhe opozitës. Aktualisht kemi një rast që edhe ligjvënësit nuk e kanë parashikuar një moment të tillë dhe nëse ky anëtar do t’i lihet LSI-së do prishen balancat”. Ndërkohë, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi se do të votonte pro heqjes së anëtarit të LSI-së në KQZ. Porse mësohet se qëndrimi i PDIU-së nuk është përfundimtar, vazhdon të mbetet enigmë. Pikërisht kjo enigmë duket se ka detyruar mazhorancën të mos rriskojë në hedhjen e votës. Ndërkohë që në seancë mungonin Kryeministri Sali Berisha, Lajla Përnaska e PD-së, deputeti i pavarur, Dritan Prifti, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Gjithashtu, mazhoranca nuk e kishte të qartë as idenë se si mund të votonte FRD-ja për çështjen e anëtarit të LSI-së në KQZ.

Tërheqja dhe presioni me kodet

Në ora 13.30 ka nisur seanca e Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli ka lexuar rendin e ditës ku ka hequr pikën 10 që ishte e parashikuar në rendin e ditës, atë për heqjen e anëtarit të KQZ-së dhe pikën 11, atë të shqyrtimit të kandidaturave në institucione. Kjo vulosi tërheqjen e PD-së nga votimi, duke bërë të ditur se ajo do të realizohet në ditën e hënë. Ndërkohë që opozita kërkoi shtyrjen e votimit të Kodit Civil, pasi duhej të shqyrtohej së bashku më Kodin e Procedurës Civile. Topalli insistoi që Kodi të votohej nga opozita në këtë seancë, por socialistët këmbëngulën që ta votojnë të hënën. “Pa votat tuaja Kodi nuk kalon, ju e dini, mos na e kondiciononi siç bëtë me Fierin”, reagoi Topalli, e cila u shfaq skeptike për këtë shtyrje. PD dyshon se mosvotimi i Kodeve kësaj here do të vijë në seancë për shkak të heqjes së anëtarit të LSI-së.

Patozi dhe Mediu, në zyrën e Berishës   

Pas përfundimit të seancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka trokitur në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar në seancë, ku siç duket, mungesa e votave ka qenë objekt i diskutimeve. Gjithashtu mësohet se në zyrën e Berishës ka qenë edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu. Patozi ka lënë zyrën e Kryeministrit Berisha në ora 14:45, ndërsa kryerepublikani Mediu ka vazhduar takimin në Kryeministri. Disa minuta pas largimit të Patozit nga Kryeministria është parë të dalë dhe kreu i Partisë Agrare, Lufter Xhuveli, i cili mban dhe postin e këshilltarit të kreut të Ekzekutivit. Votat e munguara në seancë apo koalicionet e mundshme politike për 23 qershorin mund të ketë qenë temë e bisedimeve mes Berishës, Mediut dhe Patozit.

 

Replikat për Enver Hoxhën

Ruçi: Berisha- doktor kujton se ai është gjallë

Në seancën kuvendore nuk kanë munguar replikat për përvjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës. Kryeparlamentarja Topalli, veç urimit të ditëlindjes së ministrit Genc Ruli, i kërkoi opozitës që të vendosë kurora për përvjetorin e vdekjes së diktatorit komunist.

“Sot nuk është vetëm ditëlindja e zotit Ruli, më fal zoti ministër, sot keni ju (PS) përvjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës. Meqë është ky përvjetor t’i votojmë këto tre ligje. Çojini kurora te varri dhe i votojmë këto tre ligje. Ore përvjetor e keni se e keni, votojmë dhe këto tre ligje, mos qani vetëm. Mos qani!”, tha Topalli. Ndërkohë që ka replikuar në mënyrë të menjëhershme kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. “Është e dyta herë që provokon opozitën. Tashti unë po vrisja mendjen për një seancë parlamentare kaq të tensionuar të grupeve parlamentare që ju tentuat të bënit fakt të kryer sot. Pyetja ime tërë kohës sot ishte se ku është Kryeministri doktor. Tani e mora vesh se Kryeministri mendon akoma se Enveri, doktori i tij është gjallë”, reagoi Ruçi. Ndërsa Topalli u shpreh se Berisha ishte në takimet me qytetarët. “Ju jeni të mërzitur, keni marrë aleatë, interesante është se aleatët, partia e djalit të Enverit thotë do të rigjyjkojmë edhe një herë të persekutuarit. Rilindje është kjo?”. Pas këtij debati ka pasur një reagim nga kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti. “Zonja Topalli, ju asnjëherë nuk u keni dhënë pafajësinë të burgosurve politikë, por nuk ka gjë, do ta bëjmë ne. Ne, që jetojmë dhe e ndiejmë thellë dhimbjen për çdo njeri të dënuar padrejtësisht, si në kohën e Enver Hoxhës, edhe në kohën e Sali Berishës”, tha Dajti në deklaratën për shtyp.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.