PD para takimit të Ramës në Vlorë: Po fshihet brenda në sallë, pasi nuk mbush dot sheshin

Partia Demokratike, pak para prezantimit të kandidatëve të PS-së në Vlorë, ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se mohon çdo vepër të kryer në këtë qark.
Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, ka dalë në një konferencë shtypi duke numëruar veprat e kryera nga ana e qeverisë.
“Ne e dimë se ai, sipas platformës së tij: “akuzo, moho, trillo – ç’të mundesh!!” do të vazhdojë të sajojë edhe më shumë shpifje nga salloni mavi. E dimë se ai do të mundohet të minimizojë zhvillimin e vërtetë që prekin qytetarët në jetën e përditshme, në sajë të përkushtimit tonë. Këtë e dinë edhe qytetarët! Qytetarët e dinë se ne kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar rrugë në të gjithë Vlorën. Kemi përgjysmuar distancën kohore nga Vlora në Tiranë: rrugë si ajo Vlorë – Fier, Vlorë – Levan , Levan – Tepelenë, Kote-Sevaster-Kalivac, Sarande – Konispol-Delvinë, Rruga Sarandë-Pllakë-Xarrë pa harruar edhe ndërtimin e Tunelit të Vlorës”, tha Vorpsi.
“Qytetarët e dinë se kanë përfituar ndihmë financiare 4.173 fermerë për të mbjellë ullishte, sera dhe mbështetje për përmirësimin e sistemit vaditës. Qytetarët e dinë se kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar 50 shkolla, duke futur edhe shkollën e re të lagjes 24 Maji në Vlorë, konviktin për shkollën e mesme në qytetin e Sarandës, shkollën e ciklit të ulët dhe kopshtin në Bamatat në Bashkinë e Delvinës. Gjithashtu kemi rikonstruktuar edhe Universitetin e Vlorës. Qytetarët e dinë që kemi zgjeruar Spitalin e Sarandës dhe kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar qendra shëndetësore në Gërnec, kemi ndërtuar ambulancën e re në Ksamil dhe Ciflik, kemi rikonstruktuar qëndrën shëndetësore në Vllahinë dhe Sevaster. Qytetarët e dinë se kemi përmirësuar furnizimin me ujë falë Ujësjellësit të Vlorës. Dhe qytetarët e dinë që Ne kemi nxitur dhe investuar në projekte madhore si: Hidrocentrali i Sasaj, Petrolifera në Vlorë dhe përmirësimet që janë bërë në Portin e Vlorës. Janë hapur mbi 6.500 biznese të reja në Vlorë falë taksës së sheshtë 10% dhe turizmi është rritur si rezultat i projekteve të restaurimit të Manastirit 40 Shenjtorët, ndërtimi i Sheshit të Flamurit, dhe rikonstruksioni i Muzeut të Pavarësisë. Këto janë vetëm disa nga gjërat që kemi bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Vorpsi.
Ajo ka thënë se Rama nuk mbush dot sheshin me njerëz dhe për këtë arsye ka vendosur që të futet brenda në sallë në këtë ditë me diell.
“Edi Rama vetëm akuzon dhe mohon çdo njërin nga këto projekte. Në fakt, Rama postoi në blogun e tij dy ditë më parë, se e kish marrë malli për Vlorën e kohës së Enverit, sepse Edi Rama kërkon të na kthejë mbrapa. Ai ka bllokuar zhvillimin dhe progresin me bojkote, me greva urie dhe protesta të dhunshme”.
“Ky është historiku i Edi Ramës, kjo është alternativa që ofron. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Edi Rama po fshihet brenda ne pallatin e sportit këto dite plot diell për të paraqitur modelin Kokëdhima – Rama, pasi ai e di se me Koçon ju fik fushata dhe alternativa që ofron nuk mund të mbushë sheshet me njerëz. Me 23 qershor, ne e dimë se qytetarët e Vlorës do të zgjedhin të ecin përpara”, përfundoi Vorpsi./b.l
TEMA
Add new comment