PD: Ne bëmë gjithçka për zgjedhje të lira, por PS vodhi votat

Postuar në 06 Gusht, 2013 14:31

Në përfundim të procesit zgjedhor, Partia Demokratike doli me një deklaratë për shtyp duke theksuar se mazhoranca në largim bëri gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ishte PS ajo që vodhi votat dhe damkosi procesin.

“Me vendimin e sotëm formal të votuar nga katër anëtarë, KQZ përmbylli një proces zgjedhor, i cili shënoi arritje në lidhje me standardet e organizimit, dëshmoi vullnetin pozitiv të mazhorancës për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, përkundrejt minimit që PS i bëri procesit duke tërhequr anëtarët nga KQZ. Vendimi i sotëm dhe vullneti i dëshmuar i PD dhe aleatëve të saj për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor nuk mund ta shlyejë vulën e turpit, me vjedhjen e votave që u provua në sytë e publikut dhe vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë,” tha zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.

“Në Lezhë, PS tentoi t’i vidhte një mandat PD, që të arrinte shumicën e cilësuar me 84 vota, njësoj siç bëri me Dushkun në 2001. Në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura nga koalicioni PS-LSI. Një transparencë e plotë, e bazuar në provat që disponohen, do tregonte qartë mënyrën se si Partia Socialiste tjetërsoi votën e qytetarëve, pas angazhimit për fitore me çdo mjet, përfshirë përdorimin e parave të pista dhe angazhimin e kontingjenteve kriminalë,” vijoi Vorpsi, duke theksuar se Lezha i vuri damkën e turpit fitores së PS.

Vorpsi akuzoi PS-në se kontrollonte me lehtësi Kolegjin Zgjedhor.

“Që nga fillimi, PS i shpalli luftë KQZ, organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve dhe këtë e bëri në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe antikushtetuese. Qëllimi i PS ishte i thjeshtë, të shndërronte në organ të vetëm për zgjedhjet Kolegjin Zgjedhor, të cilin siç edhe u dëshmua e kontrollonte lehtësisht.

Për fat të keq, Kolegji kapitulloi para presioneve çka u dëshmua publikisht përmes njëanësisë së tij, duke pranuar çdo kërkesë të bërë nga PS dhe LSI. Kolegji vendosi hapur dy standarde në gjykim, duke anuluar “de facto” kapituj të tërë të Kodit Zgjedhor me vendimet e tij dhe duke shkelur Kushtetutën, me vendimin për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve,” tha Vorpsi./ep

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.