PD mbyll fushatën në Tiranë, Berisha: Uragani i fitores më gjigant se kurrë

Partia Demokratike ka përmbyllur fushatën e saj në Tiranë në një miting në sheshin “Nënë Tereza”, i cili cili ka nisur ne oren 19.44 minuta, i lidhur në mënyrë simbolike edhe me numrin e PD në fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare.
Në këtë miting janë dhënë edhe mesazhet e fundit elektorale para zgjedhjeve të së dielës, ku qytetarët me votën e tyre do të vendosin për ata që do të drejtojnë vendin për katër vitet e ardhshme.
Fillimisht ka qenë Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë, i cili deklaroi se Shqipëria ka nevoje për modelin e Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike, ndërsa e cilësoi modelin e Ramës si tërësisht të dështuar.
“Ju ftoj sot të ecim përpara për Tiranën moderne dhe europiane, për Shqipërinë e zhvilluar, për fitoren e çdo shqiptari”, tha Basha.
Ndërkohë kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij para simpatizantëve që kishin mbushur sheshin ‘Nënë Tereza’ shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e tyre masive, që e cilësoi si një uragan të vërtetë të fitores në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Uragani i fitores sot më gjigant se kurrë në sheshin e Tiranës është uragani i shpresës dhe besimit tek njëri-tjetri dhe tek e ardhmja, uragani i forcës suaj për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit dhe të mirëqenies, në rrugën e punësimit, për të ecur përpara për të bërë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë të zhvilluar. Ora e madhe po afron, le të bashkohemi të gjithë ne që besojmë tek mundi dhe djersa jonë se do të ecim përpara drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Berisha.
Kryeministri ftoi socialistët shqiptarë që të votojnë për alternativën demokratike, sepse kjo alternativë është për zhvillimin e biznesit, për subvencionimin e fermerëve, për zhvillimin e jetës së qytetarëve.
Po ashtu Berisha ftoi votuesit që bashkë me ekipin qe ai drejton të bëjnë betejën më të madhe, betejën kundër murit të patriarkisë.
“Do të shembim mure, do të luftojmë si njerëz të lirë për barazinë mes qytetarëve të këtij vendi. Kemi arritur progrese këto vite, por progresi më i madh është i domosdoshëm për katër vitet që vijnë”, tha Berisha.
Berisha ftoi fermerët, punëtorët, të rinjtë, të rejat, pensionistët, qytetarët e këtij vendi që të bashkohen me këtë alternativë, që sipas Berishës është rruga drejt të ardhmes, drejt integrimit të vendit.
“Le të bashkohemi së bashku, të marrim statusin e vendit kandidat. Gjatë këtij do të bëjmë çdo gjë për të hapur negociatat me Bashkimin Europian”, premtoi Berisha.
SHQIP
Add new comment