PD, kundër fatit që i caktoi shorti. KQZ ndryshon numrin në fletën e votimit

Postuar në 21 Maj, 2013 07:56

 

Debate të ashpra në Komisionin Qendror. Ndryshohen specifikimet. PS kundër, Gjonçaj: Akti kërkon 5 vota

BLEDAR HOTI

Sërish përplasje e ashpër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas dështimit me numërimin elektronik, problemit të kontrollit të kartave të identitetit, komisioni që përbëhet vetëm nga 4 të zgjedhurit e mazhorancës ka ndryshuar sërish rregullat e lojës, edhe pse të vendosur me një vendim në mbledhjen e kaluar, ku ishte hedhur shorti për fletën e madhe të votimit të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Partia Demokratike ndryshon renditjen në fletën e votimit për shkak të mosngatërrimit të votuesve të saj. Me një skemë të paprecedentë, PD ka arritur të marrë numrin 44 në fletën e votimit nga 43 që kishte më parë. Fillimisht është përdorur si pretekst një letër e kreut të Partisë së të Drejtave të Mohuara, e cila kërkonte ndryshimin e renditjes në fletën e votimit për shkak se poshtë saj renditet Partia e të Drejtave të Mohuara e Re. Kërkesa e paraqitur, me një letër me shkrim dore e kësaj partie u cilësua si e drejtë nga ana e kryekomisioneres Lefterije Lleshi, por mbi të gjitha nga përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. Të dyja partitë e të Drejtave të Mohuara janë në një koalicion me PD-në, “Aleanca për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim”. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, u deklarua kundër një vendimmarrjeje të tillë, pasi sipas tij, “nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës në mes të saj, në një kohë që shorti është hedhur”. Kosovrasti ka ndërhyrë duke theksuar se nuk mund të realizojë një short tjetër KQZ-ja, për renditjen e partive, pasi mund të qëllojë sërish që të jenë parti të ngjashme si në emër ashtu dhe në inicialet e saj. Si zgjidhje është gjetur një formulim ku KQZ-ja vendoste që të caktohej se në rast se partitë kanë një ngjashmëri në emër apo në iniciale, zhvendosja bëhej katër më lart ose më poshtë në fletën e votimit. Kështu, Partia e të Drejtave të Mohuara e re u zhvendos nga numri 48 në 52 të fletës së votimit. Ndërsa pas miratimit të këtij akti menjëherë janë shfaqur pretendimet e PD-së dhe të Aleancës Demokratike. “Kërkoj që të zhvendoset renditja e PD-së, pasi ka ngjashmëri me Partinë Demokracia e Re Europiane”, tha Kosovrasti. Pas kësaj, KQZ-ja ia pranoi ndryshimin e renditjes. PD-ja nga numri 43 i miratuar më parë kaloi në 44. Ndërsa Partia Demokracia e Re Europiane u rendit e 41-ta, nga 44 që ishte më parë. Aleanca Demokratike është renditur 42 nga 41 që ishte më parë në vendimin e KQZ-së. Këto kanë qenë të vetmet ndryshime në fletën e votimit, ndërsa partitë e tjera të koalicionit të së majtës nuk pësuan ndryshim në renditje, ashtu si dhe subjektet që garojnë më vete. KQZ-ja miratoi për 12 qarqet fletën e votimit. Kështu, fleta e votimit do të ketë 66 parti në zgjedhje. Në qarqet Fier dhe Vlorë, numri rendor do të shkojë në 67, pasi kandidojnë dy të pavarurit Arben Malaj dhe Dritan Prifti në zonat respektive ku ato konkurrojnë.

Ndryshon modeli i fletës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një mënyrë të paprecedentë ndryshoi dhe elementët e specifikimit të fletës së votimit. Edhe pse akti numër 23 ishte votuar me një shumicë të cilësuar, KQZ-ja vendosi me një shumicë të thjeshtë të votonte për ndryshimin fletës. Juristi i prokurorimeve në KQZ, Bledi Kodra i argumentoi këto ndryshime me faktin se firma fituese, sllovenia CETIS nuk realizon dot të gjitha specifikimet e nevojshme. Ndaj është parë e udhës heqja nga pjesa e përparme e QV-së, ZAZ dhe numrin e qarkut. Gjithashtu, Kodra theksoi se këto do të vendosen në pjesën e pasme të fletës së votimit. Fillimisht PD dhe PS kishin kundërshtuar që këto specifikime si QV, ZAZ apo qarku të mos hiqeshin fare nga fleta e votimit. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, kontestoi fuqishëm këto ndryshime duke theksuar se mbi të gjitha akti duhet të votohej me 5 vota. “Kjo vendimmarrje është totalisht e papranueshme e sjell procesin në një vështirësi, nga njëra anë është qenia e një flete votimi dhe nga ana tjetër është leximi i dispozitës së saj. Vendimi i parë i KQZ parashikonte se duhet të siguronte në pjesën e përparme, e dukshme numrin e qarkut, numrin e ZAZ dhe numrin e QV-së. Besoj se ka pasur një konsensus mes KQZ-së. I mbetem në përcaktimin e atij vendimi që ka marrë KQZ, argumente që heqin QV nga përmbajtja, apo të ndryshojnë specifikimet e fletës që KQZ i ka miratuar një herë nuk shkojnë. Fleta e votimit, prodhimi dhe formulimi i saj janë elementë shumë të rëndësishëm dhe nuk duhet të preken në këtë pikë. Mund të zgjidhje një kompani që ofron specifikimet tona”, tha Gjonçaj. Ai i mëshoi faktit se vendimi duhet të merrej me 5 vota të anëtarëve, një gjë e tillë u kundërshtua nga ana e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti. KQZ-ja miratoi fletën e votimit me përmasat 297*600 mm. Kjo do të jetë fleta më e madhe që votuesit kanë pasur më përpara. Gjithashtu me përmasat e kësaj flete firma sllovene merr përsipër t’i nisë nga Sllovenia fletët në datën 17 qershor, ku parashikohet që brenda 19 qershorit të mbërrijnë në Shqipëri.

 

Ndryshimet

CETIS

Firma që do të prodhojë fletët e votimit në zgjedhjet e 23 qershorit është sllovenia CETIS. Kjo ka prodhuar fletët në votimet e 2003 dhe 2007

 

Përmasat

Fleta e votimit të 23 qershorit do të ketë përmasat 297*600 mm. Ky do të jetë formati më i madh i fletës ku votuesit do t’i ngjajë si një “çarçaf”

 

Kutitë

KQZ-ja do të vihet në vështirësi dhe për kutitë e votimit, pasi përmasat e fletës janë shumë të mëdha. Sipas KQZ një kuti mban 800-860 fletë votimi

 

ZAZ

Një tjetër ndryshim i fletës është heqja nga pjesa e përparme e fletës që ZAZ, të QV dhe të Qarkut. Ato do të vendosen në pjesën e prapme

 

5 vota

Vendimi për ndryshimin e specifikimeve të fletës së votimit duhet të merrej me 5 vota. Gjonçaj i PS-së e kontestoi vendimmarrjen me 4 vota të KQZ-së

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.