PD hap fushatën në Elbasan, Berisha premton sërish heqjen e vizave me SHBA: Blushi të tregoj ku e ka teserën e PD

Postuar në 16 Maj, 2013 16:00

 

Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit, duke prezantuar edhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Lista e kandidatëve demokratë kryesohet nga Arben Imami, i cili aktualisht mban postin e ministrit të mbrojtjes në kabinetin Berisha.

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha u shpreh i sigurt për fitoren e koalicionit të djathtë. Teksa ka renditur arritjet e qeverisë, Berisha ka përsëritur premtimin për heqjen e vizave me SHBA. “Askujt nuk i kërkojmë atë që nuk meritojmë, por do plotësojmë çdo kusht, çdo kërkesë, siç plotësuam për Bashkimin Europian. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik është një ëndërr që do realizohet gjatë katër viteve që vijnë. Kontrolloni pak grupin tuaj parlamentar se sa të refuzuar për vizat amerikane keni në atë vend. Ne do bëjmë çdo reformë, çdo përpjekje për të arritur këtë gjë. Ky është një motiv që gëzon çdo shqiptar”, tha Berisha. Ai akuzoi kundërshtarët e tij politikë se janë alternativa e akuzave dhe mashtrime, ndërsa i është drejtuar personalisht deputetit Ben Blushi, i cili kryeson listën e të majtëve në qarkun e Elbasanit.

“Takoheni në rrugë dhe pyeteni Blushin ku e ke teserën e Partisë Demokratike. Blushi deklaroi publikisht që nëse Berisha hap tunelin, unë do marr teserën e Partisë Demokratike. Ku është tani Blushi? Struket si fatorino në autobus me shefin e tij”, ka ironizuar Berisha.

I pari kandidat që ju drejtua qytetarëve të Elbasanit ishte Eduard Selami, i cili premtoi se PD do të bëjë të mundur integrimin në BE, që sipas tij opozita e bllokoi për 3 vjet.  “Për mua është nder që kandidoj në Elbasan, entuziazmi juaj tregon besimin që keni tek PD. Besimi jo vetëm për atë që është bërë më përpara për të rrëzuar komunizmin, por edhe punën që është bërë në këto 8 vite. BE i ofroi Shqipërisë statusin por u bllokua për 3 vjet nga kreu i opozitës që të ruante vendin e tij në krye të partisë, t’i japim fund politikës destruktive, të përqafojmë të ardhmen evropiane. Ne besojmë në anëtarësimin e plotë në BE. Ne do e bëjmë anëtarësimin e plotë”, tha ai.

Ndërsa Arben Imami teksa shprehu falënderimet për mbështetjen e sotme, akuzoi liderin e opozitës Rama për bllokimin e integrimit.

“Shumë faleminderit për mbështetjen e sotme, të jeni të sigurt që do bëjmë gjithçka për t’ju përfaqësuar më mirë. Dje Rama u fut në qoshe dhe ju në qoshe do ta vini më 23 qershor, ne kemi alternativën e mirë, të mbarë, të drejtë, e punësimit, zhvillimit, mirëqenies, integrimit, ata kanë alternativën e bllokimit dhe taksës të larta. Ne jemi integrimi, Edi Rama ishte kundër lëvizjes së lirë”, tha ai.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.