PD: Denonconi presionin dhe largimet nga puna

Postuar në 25 Shtator, 2013 09:56

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, në një deklaratë për mediat, bëri thirrje që të denoncohen presionet dhe largimet nga puna.

Vorpsi tha se PD ka hapur në faqen e saj zyrtare edhe një portal të aksesueshëm 24 orë në ditë, ku mund të denoncohen presionet dhe largimet nga administrata.

“Revanshi politik i mazhorancës së re, presioni dhe largimi i nëpunësve të shtetit me metodën e vjetër të luftës së klasave, po mbizotëron në çdo zyrë të administratës shtetërore.

E gjithë administrata është nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës, në respekt të meritës.

Nga sot, Partia Demokratike ka hapur në faqen e saj zyrtare një portal të ri, “Denonco presionin dhe largimin nga administrata”, që do të jetë i aksesuseshëm 24 orë në ditë.

Në këtë portal çdo nëpunës do të marrë këshillim falas për të gjitha të drejtat e nëpunësve, do të mund të denoncojë çdo rast të presionit politik për t’u dorëhequr nga detyra dhe çdo akt për largimin e padrejtë nga administrata. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të ndalë presionin mbi administratën dhe revanshin për spastrimin e saj. Partia Demokratike fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin për të dhunuar të drejtat e nëpunësve, ushtrojnë presion e ndikim të paligjshëm ndaj tyre dhe abuzojnë me pushtetin për të larguar nga puna stafet profesioniste duke i zëvendësuar me listat e militantëve politikë,” tha Vorpsi.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.