PD akuzon Saimir Tahirin

Postuar në 03 Gusht, 2013 09:57

Partia Demokratike ka sulmuar sërish emrat e kabinetit “Rama” që pritet të marrin detyrën në muajin shtator, pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i demokratëve, Gerti Bogdani tha se qeveria Rama nuk u shërben interesave të shqiptarëve. Më pas në qendër të kritikave ka qenë Saimir Tahiri, i projektuar si Ministri i Brendshëm në qeverinë “Rama”.

“Qeveria e re e shpallur nga Edi Rama nuk do të mund t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë sepse anëtari i skuadrës, përgjegjës për rendin dhe sigurinë në më shumë se një rast ka qenë përgjegjës për shkatërrimin dhe destabilizimin e rendit dhe të sigurisë. Nuk do të mund t’i shërbejë dot qytetarëve shqiptarë sepse është personi që në asnjë moment nuk u distancua dhe të kërkojë falje për kapjen në flagrancë për trafiqe ilaçes apo evazion fiskal të prindërve të tij. Për vite me radhë Shqipëria luftoi krimin e organizuar dhe trafiqet dhe për suksesin e kësaj lufte iua dha ftesa dhe anëtarësimi në NATO, iu hoqën vizat qytetarëve shqiptarë. Por me emërimin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, jo vetëm çbëhen këto arritje, për më tepër përfaqësuesit e krimit rikthehen kërcënueshëm tashmë të veshur me imunitet parlamentar dhe me ndërlidhësin e tyre në qeveri, jo më pak se në postin e Ministrit të Brendshëm. Njeriun e lidhjeve të shkurtëra me përfaqësues të njohur për Interpolin dhe Europolin, të trafiqeve, pastrimit të parave, apo atentateve ndaj uniformave të Policisë së Shtetit, lidhje që e bëjnë të vetmin ministër në historinë e Shqipërisë dhe mbarë Ballkanin, pronar të një skafi”, deklaroi deputeti Bogdani.

Më tej, deputeti demokrat tha se Partia Demokratike është e vendosur të mbrojë institucionet dhe shtetin ligjor nga krimi dhe do ta bëjë këtë edhe në opozitë.

Kjo ishte dalja e radhës e demokratëve kundër qeverisë së ardhshme. Që pas publikimit të emrave të kabinetit nga Edi Rama, emrat përbërës janë vënë në qendër të kritikave nga PD. I pari që nisi valën e kritikave ishte ish-kryetari Sali Berisha në rrjetet sociale, ndërsa më pas edhe kreu i ri Basha e quajti qeverinë e re si të përbërë nga kamikazë personalë të Edi Ramës.
Balla: PD, frikë nga rendi
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në Facebook në lidhje me deklaratën e lëshuar nga Partia Demokratike që sulmoi Saimir Tahirin.
Balla thotë se PD ka frikë nga vendosja e rendit publik, që s’e arriti dot vetë për shkak të lidhjeve me krimin.
“Partia Demokratike dështoi në luftën kundër krimit dhe shkak ishin lidhjet me elementët kriminalë dhe tani ka frikë nga vendosja e rendit publik. Sulmi i sotëm tregon që Partia Demokratike ka frikë nga vendosja e rendit dhe e ligjit”, shkruan Balla.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.