PD: “Mësim horrave”. PS: Në Lundër ka manipulim të kutive të votimit

Postuar në 20 Korrik, 2013 03:40

-Përveç rotacionit të pushtetit, zgjedhjet e 23 qershorit kanë sjellë edhe ndryshimin e akuzave për manipulim të votave. Ndonëse ishte mazhoranca për administrimin e zgjedhjeve, përfaqësuesit e djathtë akuzojnë të majtët se kanë ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve duke manipuluar zgjedhjet. Eksperti për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e konsideron vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave të qarkut të Lezhës, si një mësim që u jepet atyre që ai i quan si horra të zgjedhjeve. Në një prononcim për ABC, Bylykbashi thekson se manipulimet janë tregues i qartë se fitorja e Partisë Socialiste bazohet tek paratë e trafiqeve dhe të drogës. Lidhur me deklaratat e përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste për padi penale ndaj anëtarëve të Komisionit Qen- dror të Zgjedhjeve, bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor i quan reagim të dikujt që është kapur duke kryer një krim dhe presion ndaj Komisionit që të mos bëjë transparencën në interes të publikut. ‘Një reagim paradoksal, pasi 4 vjet më parë, Partia Socialiste kërkonte hapjen e kutive, pavarësisht se nuk kishte prova. Dhe sot e kundërshton rinumërimin ndonëse ka prova të qarta që tregojnë manipulimin e rezultatit”, thotë Bylykbashi. Sipas tij, rinumërimi më shume se rezultatit, i shërben shërimit të proceseve zgjedhore nga manipulimet. “Nuk ka rëndësi se kujt i shkon mandati, por është momenti që të bëhet transparencë që të hiqet një herë e përgjithmonë çibani i manipulimit nga proceset zgjedhore”,- theksoi ai. Bylykbashi thekson se transparenca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të pasohet me veprime të prokurorisë e gjykatës. Dy ditë më parë ishte vetë kryeministri Sali Berisha, ai që akuzoi aleancën e majtë se po vjen në pushtet me vota të vjedhura në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Në një postim në faqen e vet në Facebook, ndërsa KQZ bënte rinumërim votash në qarkun e Lezhës, Berisha shkroi: “Në 10 kuti 706 vota të vjedhura. Ky është pushtet mbi vota të vjedhura!!! Të dashur miq, nga hapja e 10 kutive te votimit dhe nga verifikimi i tabelave të rezultateve të qarkut të Lezhës doli se Edi Rama me bosët e drogës dhe krimit kishte vjedhur me falsifikim tabelash dhe mashtrim në numërim 706 vota. Ky është ndryshim! Vjedhje votash me drogë dhe trafiqe! Sb”. Me këtë status në profilin e vet, kryeministri në detyrë pretendon se e majta, arriti të fitojë, duke manipuluar votat dhe se ka marrë një fitore të pamerituar.

Qëndrimi i PS-së

Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele, shpreh dyshimet se kutitë e votimit që ruhen në Lundër mund të jenë manipuluar. Në një intervistë për Top-Channel, Koli Bele thekson se KQZ po tregon mungesë vullneti dhe është bërë pjesë e PD-së. “Mënyra se si vepron KQZ-ja, e shkuara e vitit 2011, kur kutitë lëvizën në mënyrë të pakontrolluar dhe votat kaluan nga një kuti në tjetrën, na jep arsye të dyshojmë për gjithçka. Ky institucion po demonstron një mungesë vullneti për të zhvilluar procesin, duke u bashkuar me PD, që në pamundësi për të ndryshuar votën plebishitare po justifikon alibinë e humbjes”, thekson Bele. Sipas juristit të PS-së, votat e shqiptarëve nuk mund të ndryshohen nga rinumërimi i Lezhës apo i Shkodrës. “Veprimi në kundërshtim me ligjin të jep shkasë për të gjitha dyshimet. Ligji ka afate. Ky proces është i kundërligjshëm. Të gjitha afatet në KQZ kanë përfunduar”, sqaron Bele. Sipas tij, mandati i katër do të rifitohet sërish nga e majta për qarkun Lezhës duke nënvizuar faktin se PS është e gatshme të shkojë sërish në zgjedhje nëse do të jetë e nevojshme. “Ne besojmë që mandati i katërt i së majtës në Lezhë është i konsoliduar dhe numërimi do ta kthejë atë. PS është e gatshme të shkojë sërish në votime atje”, shprehet Koli Bele.

Deklarata

PD pranon humbjen, por kërkon rinumërimin

Partia Demokratike ndonëse pranoi humbjen e thellë që pësoi në zgjedhjet e 23 qershorit, vijon që të kërkojë rinumërim të të gjithë kutive të votimit. Përmes deputetit, Gerti Bogdani, sulmoi opozitën duke e fajësuar për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve. “Edi Rama me bandën e tij në listën e deputetëve të përbërë nga kriminelë të dënuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo e vendeve të tjera për vrasje, trafik droge dhe prostitucion, pasi zhduku me terror dhunë dhe para te pista, tabelat origjinale të rezultateve të këtyre dhjetë qendrave dhe dorëzoi në KQZ tabela të falsifikuara nën kërcënimin e armëve dhe parave të drogës, sipas të cilave Edi Rama kishte fituar mandatin e katërt në qarkun e Lezhës me mbi 400 vota më tepër se sa PD. Partia Demokratike në një akt përgjegjësie morale, ka njohur dhe pranuar me dinjitet rezultatin e zgjedhjeve të diktuar nga mashtrimet e premtimet antiglobaliste të Edi Ramës", tha për mediat deputeti i PD-së, Gerti Bogdani.

 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.