Partia Socialiste feston 22-vjetorin

Partia Socialiste ka festuar mbrëmjen e së hënës 22-vjetorin e themelimit. Festa është zhvilluar me disa ditë vonesë, pasi në 12 qershor socialistët ishin në fushatë për zgjedhjet parlamentare.
Kryetari dhe kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, në fjalën e tij ka falenderuar votuesit, aleatët, si dhe ka premtuar angazhimin e ekzekutivit të ri për rilindjen e Shqipërisë.
“Ju që jeni të pranishëm dhe 1 milion votuesve ju uroj gëzuar 22-vjetorin e Partisë Socialiste. Faleminderit skuadrave të Rilindjes në çdo qark dhe aleatëve tanë. Pas viteve të trazuara, sot festojmë një fitore plebishitare që e arritëm të bashkuar. Të bashkuar do ta festojmë edhe ditën e Rilindjes. Falenderoj LSI dhe Ilir Metën për gjithçka që bëri nga ana e tij. Koha do ta provojë në qeverisje atë që 23 qershori prodhoi në zgjedhje. PS dhe LSI janë dy parti që si një fuqi e vetme mund të bëjnë historinë në këtë vend”, ka deklaruar Rama.
Kreu i PS ka theksuar se qeveria e re do të angazhohet tërësisht në shërbim të shqiptarëve, pa bërë dallime partiake. “Detyra jonë si të zgjedhurit e tyre është të përkushtohemi tërësisht për ta. Nëse ne do të harronim që kjo votë është për vendin dhe jo për veten, dëmi do të ishte shumë i madh. Po ashtu, një zhgënjim i hidhur do të ishte për njerëzit që na kanë votuar, por edhe ata që s’na kanë votuar”, është shprehur Rama.
Më tej Rama ka bërë një përmbledhje të betejave të PS në opozitë për të ardhur në pozitë, duke përmendur një sërë ngjarjesh, disa prej të cilave edhe të hidhura.
“Unë si kryetar dhe ne si PS vendosëm një sërë objektivash për rikthimin në qeveri me një vizion të ri, program të ri dhe politikë të re. Patëm beteja jo të lehta. U vodhëm në zgjedhje, u baltosëm, bëmë protesta të panumërta dhe grevë urie. Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj se sot janë më të qetë dhe të cilëve u premtoj se nuk do të jem i qetë derisa të bëj drejtësi për vdekjen e tyre. Por më në fund ia dolëm në mënyrën më të bukur. I kemi dhënë vetes me fitoren e 23 qershorit të drejtën për t’i dhënë fund jetës opozitare të PS”, ka thënë Rama.
Kryetari i mazhorancës së re parlamentare i ka drejtuar një falenderim të veçantë edhe disa personave, të cilët për fat të keq nuk janë më mes nesh.
“Do të kisha dashur që sot të mos mungonin disa persona, Dritan Hoxha, që ngriti një institucion madhor, dhe Ardian Klosi, që luftoi për të drejtat dhe liritë. I falenderoj të dy”, është shprehur Rama, i cili ka premtuar se qeveria e re do të ketë një qasje të re ndaj shtypit.
“Shqipërinë mund ta rilindim vetëm të gjithë bashkë. Prandaj ftojmë çdo shqiptar që të bashkohet me ne për ta rilindur këtë vend. Të ecim më shpejt në rrugën e rilindjes dhe integrimit. Gëzuar ditëlindjen e PS”, ka përfunduar Rama.
Ftesa për këtë eveniment i ishin dërguar edhe kryeministrit në detyrë Sali Berisha, por edhe ish-liderit historik të socialistëve, Fatos Nano.
Top Channel

Add new comment