Parregullsitë në lista/ 100 vjeçarët ftohen të votojnë

Në çdo palë zgjedhje në Shqipëri, listat e votuesve kanë qenë shkas për sherr mes forcave politike dhe një mundësi e artë për pushtetin për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. Listat historikisht kanë zakonisht probleme të mëdha dhe përjashtim nuk bëjnë as listat për zgjedhjet e 23 qershorit. Parregullsitë nisin që nga prania në to e votuesve të vdekur, tek dublikimet e emrave dhe ekzistenca e votuesve që votojnë në më shumë se një qendër votimi e deri tek votues të cilët nuk kanë emrin në lista apo që nuk rezultojnë në asnjë qendër votimi. Revista Java tregon një pjesë të majës së ajsbergut
Nga Lorenc Vangjeli
Kohët kanë ndryshuar, por Doktori është përsëri i njëjti. Në një mënyrë apo një tjetër, slogani i hershëm i komunizmit: Vota jonë, plumb për armikun!, ju përkthye sërish në subkoshiencë. Sipas modelit të ri të kohës. Kësaj radhe me modelin: “Vota e 16 vjeçarëve është liri dhe internet”. Duke bërë dhe krahasimin e kohërave të ndryshme. Dikur 16 vjeçarët merrnin pushkë, kurse 16 vjeçaret jepeshin nuse. Në këtë moshë, në botë ka fare pak vende që qytetarët mund të votojnë. Shqipëria, sipas propozimit të Doktorit, do t’i bashkohej kështu një klubi të largët vendesh si Timori Lindor, Nikaragua, Indonezia, Sudani. Po kështu, në Shqipëri të miturit 16 vjeçarë do të votonin njëlloj si moshatarët e tyre në Korenë e Veriut, të udhëhequr nga 30 vjeçari Kim Jong Un, i biri i Kim Jong Il dhe nipi i Kim Il Sung-ut.
Natyrisht këta nuk ishin shembujt e Doktorit, që më pas do të përmendë se dhe në Evropë ka një diskutim për uljen e moshës së votuesve. Doktori e kishte tek pushka për “çunat” dhe burri për “gocat”. Përtej këtij propozimi, ka dhe një realitet tjetër. Për shembull, për Zane Topin, të bijën e Abazit dhe Refies nga Qarku i Fierit, votuese në komunën Fier Shegan, kanë kaluar plot 112 vjet nga koha kur mund të jepej nuse. Sepse sot ajo është plot 128 vjeç. E lindur në 13 janar të vitit të largët 1885, Zane Topi është ftuar të votojë sërish. Emri i saj ndodhet në listat e votimit për zgjedhjet e 23 qershorit, me kod zgjedhor me numër 178, kod shifror 178-2917-00-095 dhe kod të qendrës së votimit 2917-00. Zane Topi është gruaja më e moshuar që e ka ende emrin në listat e votuesve. Katër vjet më parë, rekordin e mbante Shqype Hasibra, e bija e Avdiut e datëlindjes 18 qershor 1851. Shqypja ishte parashikuar të votonte në fshatin Shkallnuer të qarkut të Durrësit. Kësaj radhe, emri i saj nuk ndodhet më në listat e votimit si zgjedhëse.
Skandali i katër vjetëve më parë që e bëri qesharak listën e përgjithshme të votuesve në Shqipëri, rrezikon të përsëritet sërish. Edhe në këto lista paraprake, ushtria e mbi 100 vjeçarëve votues është e konsiderueshme. Në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe si pasojë, edhe në listat paraprake të votuesve, ndodhen me statusin e votuesit 1225 qytetarë me të drejtë vote me moshë mbi 100 vjeç. Më e moshuara 128 vjeçare Zane Topi dhe më i riu, Vllasi Muçi, i biri i Mihalit dhe Antigonit, i datëlindjes 14 qershor 1913, banues në Durrës me kodin e qendrës së votimit 1408-01. E dyta në listë, ka lindur 16 vjet mbas Zane Topit dhe është 112 vjeç. Ajo është Drande Gjergji, e bija e Prendit dhe Diles. Drande Gjergji është votuese në qarkun e Shkodrës, në qendrën e votimit me kod 0188-00 dhe Kod Zgjedhor me numër 343.
Nga gjithë kjo ushtri njëqind vjeçarësh, një dorë e “mençur” ka bërë një zgjedhje të çuditshme: shumica dërmuese e tyre janë grumbulluar të votojnë të gjithë në një qendër të vetme votimi. Ekzaktësisht 1040 të tillë, janë ftuar të shprehin vullnetin e tyre politik në qendra votimi me kod 8899. Por ky është një kod që nuk ekziston. Sipas ligjit, ata ndonëse e gjejnë emrin e tyre në lista, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim për të saktësuar vendin se ku do të votojnë. E meqë mund të paramendohet se ata nuk dinë ta bëjnë vetë një gjë të tillë – me siguri nuk dinë shkrim e këndim – mund t’jua realizojë ndonjë nga stërnipat apo stërmbesat e “kohës së lirisë dhe internetit”, siç thotë Doktori.
Të tjerë 100 vjeçarë janë më me fat. 185 prej tyre kanë të drejtë direkte të votojnë. Emrin në listë e kanë, kanë gjithashtu edhe qendrën e saktë të votimit dhe u mbetet vetëm që në 23 qershor të bëjnë zahmet, të ngrihen dhe të shkojnë në dhomën e fshehtë për të zgjedhur mes Berishës dhe Ramës. Në fakt, sipas moshës, janë më pranë Doktorit.
Gjeografia e këtyre shpirtërave të vdekur që ftohen për të votuar shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Ata gjenden me shumicë në Shkodër, me Gjylie Likajn, e bija e Nakut dhe Manes, në Dibër, me Zile Asllan Mine Hoxhën, në Kukës, me Raze Nabollin, të bijën e Osmanit dhe Kades, në Fier, me Kajaçe Sali Selaj Avdullain, në Berat me Deko Habil Razije Toskën, në Durrës me Feriden të bijën e Rrahmanit dhe Bibes. Të gjithë mbi 110 vjeç.
Dyshime për emra të dubluar
Eshtë një nga mënyrat klasike për të siguruar votues shtesë. Ka pasur gjithmonë të tillë në listat e zgjedhësve. Janë emra dhe mbiemra identikë, po kështu edhe emrat prindërve dhe ditëlindjet. Por në këto të dhëna, mund të ndryshojë vetëm një gërmë dhe nga një qytetar i vetëm, papritur lindin dy votues me të drejtë vote. Në listat e zgjedhjeve të 23 qershorit, ky është një aneks që mban erë të rëndë.
Nga kontrolli i rasteve të dyshuara, duke krahasuar me programe kompjuterike të dhënat e votuesve në listë dhe duke i kryqëzuar ato edhe me rubrika të tjera si ato të kodit të qendrës së votimit, del se janë rreth 62 mijë rekorde identike. Megjithatë, mendohet se kjo shifër është relativisht më e ulët me rreth 30 qind dublikime më pak. Diku tek niveli i 40 mijë të tillave.
Për shembull, Shkëlqim Koçi, me atësi Habib, mund të votojë edhe në Laç, edhe në Durrës. Haki Shehu, me atësi Mehdi, mund të votojë edhe në Paskuqan, edhe në njësinë katër në Tiranë. Në Paskuqan dhe në Lekbibaj mund të votojë edhe Zojë Gjeloshaj, me atësi në të dy rastet Dedë. Adem Terziu, me emrat identikë të prindërve në të dy rastet, Rexhep dhe Hatixhe, mund të votojë njëkohësisht edhe në komunën Ostren në Dibër, edhe në Durrës. Po kështu edhe Afërdita Sallaku, e bija e Sadikut dhe Lumturisë, mund të votojë me të njëjtën kartë identiteti edhe në Librazhd, edhe në Paskuqan. Njëlloj edhe Age Rrasa që ka mundësi të hedhë dy herë votën e saj, edhe në komunën e Shalës, edhe në Shkodër. Askush nuk mund t’i ndalojë. Janë në listat e votuesve dhe vota është një e drejtë kushtetuese. Edhe pse votimi dy herë dhunon barazinë e votës, siç thotë kushtetuta, por vendosin ndryshe hartuesit e listës në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.
Të tjera
Në KQZ është bërë debat i nxehtë mbas dy raporteve të njëpasnjëshëm të auditëve teknicienë që kanë kontrolluar listat e zgjedhësve. Në dy listat e fundit, të shkurtit dhe të marsit, nga krahasimi i tyre rezulton se në mars janë pasqyruar 1151 zgjedhës më pak se në shkurt, si rezultat i pastrimit të tyre. Në fakt, janë shtuar rreth 1600 emra të rinj, por janë pakësuar rreth 2800 votues për shkak se janë çregjistruar si të vdekur gjatë kësaj periudhe nga gjendjet civile apo dhe janë ngrirë si të tillë për shkak të dublikimeve të provuara.
Problem tjetër i rëndë në listat, i mbartur nga zgjedhjet në zgjedhje, janë dhe ato të dhëna votuesish të cilat janë hedhur gabim. Janë përdorur shenja pikësimi të ndryshme nga çfarë lejon drejtshkrimi apo dhe nuk janë plotësuar rubrika të veçanta.
Eshtë një ushtri tjetër votuesish, gati tre herë më shumë shqiptarë sesa ishin turqit në rrethimin e parë të Krujës, të cilët nuk dihet se ku banojnë. Rreth 300 mijë votues, ndonëse janë të regjistruar në lista, ata nuk kanë një adresë të saktë banimi. Në Berat janë 5400 të tillë, në Dibër rreth 10 mijë vetë, në Durrës rreth 5 mijë, në Elbasan rreth 7500, në Fier rreth 16 mijë, në Gjirokastër rreth 4500, në Korçë rreth 25 mijë, në Kukës rreth 6 mijë, në Lezhë, rreth 20 mijë, në Shkodër rreth 36 mijë, në Tiranë rreth 100 mijë dhe në Vlorë rreth 52 mijë. Në total, janë rreth 290 mijë votues të cilët figurojnë pa adresë, ndonëse ekzistojnë në listat e zgjedhësve të 23 qershorit.
Të vdekurit e qershorit 2009
Të ftohesh për të votuar edhe kur i ke mbyllur të gjitha hesapet me këtë dynja, nuk është një gjë e re për Shqipërinë. Katër vjet më parë, zbulimi i një numri të jashtëzakonshëm votuesish me moshë një shekull e gjysëm, u pasqyrua në të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare duke bërë qesharak vetë procesin zgjedhor. Revista MAPO kishte zbuluar atëherë një grup votuesish, rreth 2800 të tillë, të fashës së pabesueshme moshore nga 110 deri në 160 vjeç. Duke marrë për bazë ditëlindjen e tyre dhe duke bërë përkitjen me çfarë kishte ndodhur në atë vit në botë, rezultati ishte gjithashtu qesharak.
Kështu, Shqype Hasibra, e bija e Avdiut, ishte votuese për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ajo kishte lindur në datën 18 qershor 1851 dhe në 2009-ën duhej të ishte 158 vjeç. Shqypja ftohej nga Ministria e Brendshme të votonte në qendrën e hapur në shkollën e fshatit Shkallnuer.
Vitin kur lindi Shqypja shqiptare, kompozitori italian Xhuzepe Verdi vinte për herë të parë në skenë operan Rigoleto, në teatrin e Venecias. Në të njëjtin vit ishte themeluar gazeta “N. Y. Times” si dhe agjensia e famshme britanike Reuters; atë vit vdiq dhe J. F. Cooper, shkrimtar amerikan, autor i romanit të famshëm “I fundmi i Mohikanëve”.
Shqypja ishte e fundmja 158 vjeçare “e gjallë”, po t’i besohej listës së Ministrisë së Brendshme, dhe natyrisht, i binte të ishte edhe njeriu më i vjetër në botë. Me një diferencë të vogël atë e pasonin një ekip tjetër votuesish shqiptare me moshë një shekull e gjysëm, si Sulejman Subashi, Zele Hysa, Zaim Saraçi, Hava Pepa, Therjani Golla e të tjerë, përkatësisht fëmijët e Qazimit, Veliut, Kapllanit, Hajdarit dhe Anastasit. Bëheshin plot 20 vetë që kishin sipas listave këtë moshë rekord, deri në 156 vjeç.
Votues të tjerë me moshë mbi 140 vjeç ishin shumë më shumë. Shqipëria, me shumë të drejtë mund të krenohej për jetëgjatësi edhe sepse 86 votues të tjerë, sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2009, ishin të moshës nga 140 deri në 149 vjeç.
Dile Bzhetaj për shembull, e bija e Gjetos, shenja e gaforres në horoskop, kishte lindur në 3 korrik 1870. Ajo ftohej të votonte në shkollën fillore të fshatit Dobre.
Në të njëjtin vit që Gjetoja shqiptar bëhej me vajzën e tij Dile dhe nuk shkrepte pushkë sipas zakonit, pra në vitin 1870, Riçard Vagner shfaqte Valkiria-n, veprën e tij më të famshme në Mynih, Franca i deklaronte luftë Prusisë, mbahej Lidhja e Prizrenit, themelohej departamenti i drejtësisë në SHBA, amendohej Kushtetuta amerikane që lejonte votën e afro-amerikanëve, niste ndërtimi i urës së Bruklinit, Roma bëhej kryeqytet i Italisë së bashkuar dhe ndërronte jetë Aleksandër Dyma, Ati, autor i romaneve “Tre musketierët” dhe “Konti i Monte Kristos”. Gjithashtu, në vitin që Dilja shqiptare erdhi në jetë, kishte lindur Vladimir Iliç Lenini, komunisti rus që ndërtoi atdheun e mbrapshtë të sovjetëve.
Kështu ka ndodhur katër vjet më parë. Të njëjtat simptoma ka dhe lista e zgjedhësve për votimet e këtij viti. Ka kohë për të ndrequr ato? Po, koha mjafton! Ekziston vullneti politik i “zotërve” të listave që t’i sjellin ato, në mos në parametra normalë, në parametra të pranueshëm? Kjo është një pyetje që e ka dyshimin brenda. Sepse vjen nga ankthi i asaj çka do të hidhet brenda kutisë së votimit, domethënë, votës.
Këtë javë Doktori përmendi se duhej ulur mosha e votimit deri në 16 vjeç. E përshkroi një akt të tillë, si një procedurë që mund të mbyllej automatikisht në harkun e pak orëve duke i shtuar ata në listat e votimit. Mirë do të ishte të kishte të njëjtin vullnet, që në harkun e shumë orëve dhe ditëve, të urdhëronte pastrimin e listave nga parregullsitë që sërish do të helmojnë klimën e helmuar të zgjedhjeve shqiptare. /JAVA
TEMA
Add new comment