Paratë për 2014/ Sa përfitojnë PS e LSI, 200 milionë më pak për PD

Postuar në 13 Janar, 2014 11:11

Përveçse humbi pushtetin, Partia Demokratike do duhet që të përballet edhe me një vit të vështirë financiar. Kjo pasi për shkak të rezultateve të përkeqësuara zgjedhore, ajo do të marrë nga buxheti i shtetit për këtë vit afro 200 milionë lekë të vjetra më pak, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk do të lëvizë nga kuotat e saj të financimit nga buxheti i shtetit krahasuar me një vit më parë, pasi do të përfitojë sërish afro 750 milionë lekë. Ndërkohë, një forcë tjetër politike që do t’i gëzohet më shumë rezultateve të zgjedhjeve të shkuara parlamentare, jo thjesht për pjesën e pushtetit që mori, por edhe për lekët që do marrë nga buxheti i shtetit, është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka dyfishuar përfitimin e saj duke marrë plotë 226 milionë lekë.

Buxheti

Buxheti i shtetit që u miratua në fund të vitit të shkuar, ka parashikuar këtë vit si fond për mbështetjen e partive politike plot 1.9 miliard lekë të vjetra, ose thënë ndryshe 10 milionë lekë më shumë sesa një vit më parë. Në bazë të ligjit “Për partitë politike”, do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që do duhet të miratojë vendimin për ndarjen e këtij fondi. KQZ do duhet të përdorë një formulë të njohur tashmë, ku 70 për qind e këtij fondi iu ndahet partive parlamentare sipas numrit të deputetëve që kanë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20 për qind në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë parlamentare dhe 10 për qind sipas përqindjes së votave për çdo parti që në zgjedhjet e shkuara parlamentare ka marrë më shumë se 1 për qind të votave. Nga përllogaritjet rezulton se vetëm 8 parti do të përfitojnë nga shpërndarja e këtij fondi, ku 7 prej të cilave janë parti parlamentare dhe vetëm njëra parti joparlamentare, pra Fryma e Re Demokratike, e cila përfiton sepse është e vetmja parti që nuk ka deputetë dhe që ka marrë më shumë se 1 për qind të votave në zgjedhjet e 23 qershorit.

Ndarja

Duke iu referuar pikërisht formulës së mësipërme, rezulton se Partia Socialiste edhe këtë vit do të marrë një fond thuajse të barabartë me atë të një viti më parë. Kështu ajo do të përfitojë afro 751 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që një vit më parë ka marrë 752 milionë lekë po ashtu të vjetra. Një rënie drastike të ndihmës financiare që jep shteti për partitë politike ka pësuar Partia Demokratike. Ndërsa vjet ajo siguroi 789 milionë lekë, duke kryesuar listën e përfituesve, këtë vit ajo do të marrë 200 milionë më pak, pra vetëm 588 milionë. Në këtë ndarje të parave ka ndikuar pikërisht fakti se PD këtë vit ka afro 20 deputetë më pak, ndërkohë që ka një rënie të përqindjes së votave me afro 10 pikë. Më e fituara nga këto zgjedhje është padyshim LSI-ja, e cila përveçse katërfishoi numrin e deputetëve në parlament, ka dyfishuar edhe përfitimet financiare nga paratë publike. Kështu, ndërsa vjet ajo merrte vetëm 110 milionë lekë të vjetra, këtë vit do të marrë 226 milionë. Rritje në përfitimet financiare kanë siguruar edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, e cila nga 82 milionë që mori vitin e shkuar, këtë vit do të marrë plot 98 milionë lekë. Po ashtu në të njëjtin trend rritjeje është edhe Partia Republikane e Fatmir Mediut, e cila nga 76 milionë lekë të vjetra që mori vitin e shkuar, këtë vit ka siguruar plot 89 milionë lekë. Ndërkohë që veç PD-së rënie këtë vit ka shënuar edhe PBDNJ e Vangjel Dules. Ajo këtë vit do të marrë 64 milionë lekë të vjetra, nga 74 që mori një vit më parë. Listës së partive që përfitojnë para nga fondet publike i është shtuar edhe Partia Kristian-Demokrate e Mark Frrokut, e cila do të marrë plot 64 milionë lekë. Kësaj liste i është shtuar edhe FRD e Bamir Topit, e cila do të marrë vetëm 3.2 milionë lekë të vjetra, si parti që ka kaluar pragun e 1 për qind të votave në zgjedhjet e 23 qershorit.

Buxheti i shtetit

Mbështetje për partitë politike, 1.9 miliard lekë

Mbështetje për shoqatat, 90 milionë lekë

Mbështetje për organizatën e veteranëve me status, 20 milionë lekë

Në total, 2 miliardë e 10 milionë lekë

Lekët që përfitojnë partitë nga Buxheti për 2014

Partia Shuma në lekë

PS 751 milionë lekë

PD 588 milionë lekë

LSI 226 milionë lekë

PDIU 98 milionë lekë

PR 89 milionë lekë

PBDNJ 64 milionë lekë

PKD 64 milionë lekë

FRD 3.2 milionë lekë

Lekët që përfituan partitë nga Buxheti për 2013

Partia Shuma në lekë

PD 789 milionë lekë

PS 752 milionë lekë

LSI 110 milionë lekë

PDI 82 milionë lekë

PBDNJ 74 milionë lekë

PR 76 milionë lekë

PSD 3.3 milionë lekë

Ja çfarë parashikon ligji “Për partitë politike”

“Neni 19

1. Çdo vit në Buxhetin e Shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike. Ndihma financiare e parashikuar në Buxhetin e Shtetit në vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës.

2. Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:

a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;

b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare;

c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.

Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.

3. Masa konkrete e fondit publik, që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj, përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vendim u njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.