Panariti takon ambasadorët për Luginën e Preshevës: E papranueshme që të quhen shqiptarët terroristë

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka zhvilluar takime të veçanta me ambasadorët e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës si dhe kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, ku ka biseduar në lidhje me çështjen e Luginës së Preshevës.
Në një njoftim për shtyp të MPJ, thuhet se Panariti i ka cilësuar të papranueshme qëndrimet e mbajtura nga kryeministri serb, që i ka quajtur shqiptarët terroristë.
“Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare ka inkurajuar gjithmonë zgjidhjen e problemeve reale që lidhen me të drejtat e popullsisë shqiptare në Jugun e Serbisë përmes dialogut. Këtë e kemi komunikuar, tha ai, si në drejtim të autoriteteve lokale shqiptare ashtu edhe në drejtim të qeverisjes qëndrore në Serbi. Gjithashtu ministri Panariti, i vlerësoi si të papranueshme cilësimet, nga autoritetet më të larta serbe, të popullsisë shqiptare si elementë terroristë, të cilat dëmtojnë drejtpërdrejtë dialogun, mirëkuptimin dhe integrimin e plotë të pakicës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Serbi,” thuhet në njoftimin e MPJ.
“Njëkohësisht, ministri Panariti, ka theksuar se qeveria shqiptare vazhdon të ruajë konstanten e qëndrimit të saj konstruktiv në rajon, e në këtë kontekst mbetet e angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë në interes të të dy popujve, sikurse ka pritshmërinë legjitime që kjo frymë të reciprokohet nga qeveria serbe”, mbyllet njoftimi.
TEMA
Add new comment