Paloka komandohet kryetar i grupit kuvendor, Basha: Do jemi një opozitë e fortë, jo ajo e shpifjeve

Lulzim Basha mblodhi për herë të parë grupin parlamentar demokrat, përpara mbledhjes së Kuvendit të ri të dal nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në krahun e djathtë të Bashës qëndronte ish-kreu i demokratëve Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit në largim Jozefina Topalli. Gjatë fjalës së tij, Basha shprehu bindjen se opozita demokrate do të jetë më efikasja që ka njohur vendi. Sipas tij opozita e sotme nuk do të jetë ajo e baltës, shpifjeve, bllokimit dhe dhunës verbale, por një opozitë e fortë e fakteve. Do jemi në parlament zëri i drejtë i shqiptarëve.”
Basha premtoi se grupi do të angazhohet të monitorojë çdo ditë përmbushjen e premtimeve të mazhorancës së re. “Nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për përmbushjen e premtimeve që u kanë dhënë qytetarëve, nuk do të lejojmë më gënjeshtra e mashtrime elektorale për vota. Kush tërhiqet nga premtimet duhet të përballet me pasojat”,- theksoi ai.
Ai renditi arritjet e kabinetit Berisha gjatë viteve të fundit, ndërsa theksoi se këto arritje do të jenë pjesë e përgjegjësisë së tij për një fillim të ri drejt suksesit.
“Qeveria Berisha është dhe do të mbetet një vlerë dhe trashëgimi i çmuar e PD-së. Jam krenar që kam qenë për 6 vjet pjesë e kësaj qeverie. Uroj mirëseardhjen në selinë e re prej nga do të nisë sfida jonë e re. Ky është grupi i ri parlamentar i PD-së, bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Punë të mbarë të gjithëve, punë të mbarë kuvendit të Shqipërisë”,- deklaroi Basha.
Ndërkohë Edi Paloka, është komanduar si kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve. Sipas statutit të Partisë Demokratike kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me votim të fshehtë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Ky forum do të mblidhet vetëm pas zgjedhjeve të reja që do të bëhen në parti, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, kur të mblidhet edhe Kuvendi kombëtar. Ndërkohë ministri në detyrë i Drejtësisë, Eduard Halimi është zgjedhur në pozicionin e nënkryetarit të Grupit.
Jorida Tabaku është zgjedhur zëdhënëse, ndërsa Gent Strazimiri sekretar i grupit.
Ndërkaq PD ka propozuar Edmond Spahon si kandidat për nënkryetar të Parlamentit.
Shqip
Add new comment