Paloka kërcënon: Rama të mos bëjë gafë e të anulojë vendimin për SHQUP-in

Më në fund vjen një reagim nga kampi i djathtë në lidhje me vendimin e qeverisë për kalimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë si seli të Partisë Demokratike.
Deputeti Edi Paloka thotë se Rama nuk duhet të bëjë gafë dhe të anulojë këtë vendim.
“Në fakt selia ku ne jemi është pronë private dhe përderisa ne jemi në pronë private nuk mund t’i mohojmë të drejtën zotit të pronës që të shfrytëzojë pronën e tij. Për këtë arsye është menduar kalimi në një pronë shtetërore, nëse mund ta quajmë, jo pronë të atyre zotërinjve ose shokëve që ishin aty (ish-ushtarakët) por është një pronë që i takon ministrisë së Mbrojtjes dhe si shumë të tjera, ne e dimë që është një mbetje e regjimit edhe kjo shtëpia e ushtrisë se atëherë e kanë pasur të gjithë qytetet e Shqipërisë. Të gjitha kanë kaluar ose tek ish-pronarët ose në objekte të tjera, nuk mund të vlenin për funksionin që kishte ngritur shoku Enver dhe sigurisht që edhe kjo do të jetë më e vlefshme si seli e PD-së”, tha ai.
Paloka shkon më tej në komentin e tij, duke theksuar se Rama do të bënte gafë nëse do ta kundërshtonte një vendim të tillë.
“… Nuk besoj që edhe Rama ta bëjë një gafë të tillë. Unë e pashë që doli znj. Kodheli por uroj që të ketë dalë kështu gabimisht, rastësisht, duke pasur edhe qejfin e ministres së re. Ramën nuk e kam parë të reagojë dhe uroj që të mos ta fillojë qeverinë e re me këto forma”, u shpreh Paloka për ABC News./ep
Tema
Add new comment