Padia në Kushtetuese, rrëzohet rritja e pagave të policëve

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit për të shfuqizuar vendimin e qeverisë për mënyrën e përllogaritjes së shtesës për gradë. Sipas vendimit objekt ankimi, parashikohet që punonjësi i Policisë së Shtetit, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune, por përllogaritja e kësaj shtese duhet të fillojë në çastin e marrjes së gradës. Por për Sindikatën që dhe e ka ankimuar këtë vendim, ky përcaktim është diskriminues pasi favorizon vetëm punonjësit e policisë që kanë gradën e tyre nga data e hyrjes në fuqi të ligjit dhe jo ata punonjës që nuk kanë gradën e caktuar. Megjithatë, vendimin e saj për ta rrëzuar këtë kërkesë gjykata nuk e ka bazuar në argumentet juridike lidhur me përmbajtjen e aktit, por thjesht për kalim të afateve kohore brenda të cilëve duhet të ishte bërë ky ankimim. Shqyrtimi Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga Xhezair Zaganjori, Sokol Berberi dhe Altina Xhoxhaj, në datën 05.02.2013, mori në shqyrtim paraprak kërkesën e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit me objekt shfuqizimin, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i pikës 4/2 të VKM-së nr.1135, datë 05.08.2008 “Për pagat e punonjësve të policisë së shtetit si dhe pezullimin e ekzekutimit të zbatimit të kësaj pike deri në një vendimmarrje të Gjykatës. Bëhet fjalë pikërisht për pikën 4 paragrafi i dytë, ku mes të tjerave përcaktohet se “Punonjësi i Policisë së Shtetit, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë, të gradës pasardhëse. Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës”. Kërkuesi, pra Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se paragrafi i dytë ku thuhet se “Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë, të gradës pasardhëse. Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së grades”, është jokushtetues. Më konkretisht, Sindikata thekson në kërkesën e saj se parashikimi i kësaj pike mban një qëndrim favorizues ndaj punonjësve të policisë së shtetit që kanë gradën e tyre nga data e hyrjes në fuqi të ligjit dhe diskriminon ata punonjës që nuk kanë gradën e caktuar. Në këtë mënyrë, sipas tyre, punonjësit e policisë u nënshtrohen rregullave diskriminuese brenda strukturave të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me nenin 18 të Kushtetutës. Gjithashtu, siç thuhet në kërkesë kjo pikë diskriminon punonjësit e policisë së shtetit ndaj punonjësve të tjerë të administratës që e përfitojnë shpërblimin për vjetërsinë në punë pa asnjë kriter shtesë. Për këtë arsye ata pretendojnë se ky parashikim bie kështu edhe në kundërshtim me nenin 49 të Kushtetutës që sanksionon të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës. Argumenti i tretë që paraqet kërkuesi ka të bëjë me faktin se akti në fjalë parashikon përfitimin e financimeve nga fondet publike vetëm për punonjësit e policisë që kanë gradë, ndërsa paragrafi i parë i pikës 4 parashikon që të gjithë punonjësit e policisë përfitojnë 1% e pagës si shtesë pas çdo viti pune. Vendimi Pavarësisht këtyre pretendimeve, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka patur të vështirë që ta hedhë poshtë gjithë kërkesën pa i hyrë fare shqyrtimit të përmbajtjes së saj. Kjo pasi Kolegji ka vërejtur një mangësi të karakterit formal, por që i jep të drejtë gjykatës të mund të refuzojë çdo lloj kërkese. Pra bëhet fjalë për afatet kohore brenda së cilës një subjekt i caktuar mund të godasë një ligj apo një vendim nga data e nxjerrjes së tij. Kështu në bazë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, parashikon që kërkesat për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, mund të paraqiten brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e tyre. Afat ky që për aktin në fjalë nuk është respektuar, pasi ai ka hyrë në fuqi që në muajin shtator të vitit 2008. “Në këto kushte, kërkuesi nuk legjitimohet “ratione temporis” për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi kërkesa për papajtueshmërinë me Kushtetutën të VKM-së nr.1135, datë 05.08.2008 “Për pagat e punonjësve të policisë së shtetit”, është paraqitur jashtë afatit ligjor 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij akti. Për sa më sipër, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vlerëson se kërkesa nuk mund të pranohet për gjykim në seancë plenare”, – thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës.
MAPO
Add new comment