Përmet, kyçen dy kishat, meshë para Pallatit të Kulturës

Postuar në 25 Gusht, 2013 07:50

Kleri dhe besimtarët ortodoksë në Përmet janë të vendosur të mos lëshojnë pe për administrimin e kishës së tyre, apo godinës së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Pasditen e djeshme, disa besimtarë dhe dy priftërinjtë lokalë, ikonom Vasil Thomollari dhe dhikon Ilija Tyto, kanë marrë pjesë në një ceremoni lutjesh para ambienteve të godinës. Në ceremoni kanë qenë të pranishëm, ashtu si dhe herët e tjera, pak besimtarë, ndërkohë që shumë prej tyre nuk u janë bashkuar lutjeve nga frika e ndonjë reprezaljeje nga ana e forcave policore. Ndonëse këto të fundit kanë qëndruar indiferente karshi zhvillimeve të fundit, duke e lënë çështjen vetëm mes përmbaruesve dhe policisë private nga njëra anë dhe klerit ortodoks nga ana tjetër. Ndërkaq, për të dielën në mëngjes është planifikuar të organizohet mesha e shenjtë para godinës së Pallatit të Kulturës ku pritet të marrë pjesë kleri ortodoks, jo vetëm nga Përmeti, por edhe nga Mitropolia e Gjirokastrës. Materialet fetare janë në pritje për t’u instaluar për meshën e së dielës, në oborrin përpara godinës, ndërkohë që shpresohet për një pjesëmarrje të konsiderueshme të besimtarëve, kjo edhe për faktin se dy kishat e tjera të qytetit, ajo e Shën Premtes dhe e Shën Kollit, do të jenë të kyçura. Kjo për të vetmen arsye, asaj të popullimit të oborrit të kishës së Shën Marisë. Përgjatë dy ditëve të fundit forcat e policisë private “Aulona”, nuk kanë qenë prezente para objektit në fjalë, ndërkohë që kisha nuk ruhet nga askush, përveçse nga një dry i vendosur në portën kryesore të godinës. Ditët e fundit është bërë dhe izolomi i dritareve të godinës me tulla, duke e bërë të pamundur funksionimin për çdo aktivitet të mundshëm brenda saj. Interes për kishën ka treguar madje edhe vetë konsulli i përgjithshëm i Republikës së Greqisë në Gjirokastër, Nikolaos Kotrakoi. Disa minuta para fillimit të takimit me kryebashkiakun përmetar, Gilberto Jaçe, mesditën e së premtes, ai vizitoi pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës pa bërë asnjë lloj komenti, ndonëse nuk shoqërohej nga askush përveç përkthyesit. Konsulli Kotrakoi ka kërkuar nga kryebashkiaku përmetar gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme për të dy palët e përfshira në konflikt, duke dënuar dhunën sipas tij ndaj klerikëve. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Përmetit ka deklaruar se nuk do të tolerojë me këtë godinë, pasi vetë drejtësia shqiptare ka dhënë në çdo rast vendimin se ajo i përket pushtetit vendor.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.