Përmbarimi në shtëpinë e Tahirit për gjobën e Argitës dhe Shkëlzenit

Postuar në 29 Janar, 2013 13:46

 

Gjykata Civile e Tiranës ka lëshuar një tjetër vendim ndaj deputetit socialist Saimir Tahiri, vendim i cili pritet t’i dërgojë atij Zyrën e Përmbarimit në shtëpi për të ekzekutuar gjobën 2 milionëshe të vendosur në favor të fëmijëve të Kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha.

Gjyqtari Ilir Çeliku referuar dy padive të Argita Malltezit dhe të të vëllait, Shkëlzen Berishës shprehet se sipas dy vendimeve gjyqësore të mëparshme atij të Shkallës së Parë dhe të Apelit detyrohet i padituri Saimir Tahiri të dëmshpërblejë Argita Malltezin me shumën e 1 milion lekë e po ashtu me një milion lekë edhe Shkëlzen Berishën.

Sipas gjyqtarit, ky vendim përbën titull ekzekutiv e për këtë urdhërohet Zyra e Shërbimit Përmbarimor të ekzekutojë vendimin, që në terma jo gjyqësore do të thotë që të jetë përmbarimi ai që do të marrë detyrimin monetar të deputetit për t’ua kaluar dy fëmijëve të Kryeministrit.

Bëhet fjalë për gjobën e lënë në fuqi më herët nga apeli ndaj deputetit socialist, i cili u konsiderua fajtor për shpifje në dëm të fëmijëve të Kryeministrit, gjobë e cila u reduktua nga 2,5 milionë për secilin paditës në përkatësisht një milion lekë.

I kontaktuar ne telefon nga Top Channel, deputeti Tahiri deklaroi se nuk ka dijeni për këtë urdhër ekzekutimi, por që sipas tij ai do t’i drejtohet gjykatës për pezullim të këtij vendimi që pritet t’i dërgojë përmbaruesit në banesë./TCH

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.