Përleshje me thika, plagosen 5 të rinj

Sherri masiv mes 11 adoleshentëve ndodhi pas fyerjeve në pazar të dy prej tyre
Edmond Hoxhaj
Dy grupe adoleshentësh përleshen me thika në qendër të qytetit të Divjakës, plagosen rëndë të pesë anëtarët e një prej “bandave”, arrestohen tre prej autorëve, shpallen në kërkim tre të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të premtes duke terrorizuar opinionin publik të qytezës së Divjakës të rrethit të Lushnjës, qytetarët e së cilës njihen si persona të qetë dhe punëtorë. Kanë qenë fjalët fyese që një prej të plagosurve 16-vjeçari M. E. nga qyteza e Divjakës i ka thënë disa ditë më parë bashkëmoshatarit A. K. nga Gërmenji që ka çuar në përplasjen e armatosur mes dy grupeve të adoleshentëve, ku njëra palë është gjetur e papërgatitur.
Ngjarja
Ka qenë ora 21:30, kur gjashtë adoleshentë të moshave 16-17 vjeç nga fshati Gërmenj i Vogël dhe Gërmenj i Madh i rrethit të Lushnjës, kanë shkuar në qendër të qytetit të Divjakës, në sheshin para bashkisë dhe njëri prej tyre, 16-vjeçari A. K., i ka kërkuar takim bashkëmoshatarit M. E., me të cilin ishte konfliktuar pak ditë më parë. Ky i fundit ka qenë duke qëndruar në shoqërinë e katër shokëve të tjerë kur 16-vjeçari A. K., i ka kërkuar të afrohej. Ata kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin dhe në këtë moment, 16-vjeçari A. K., e ka qëlluar me thikë në turp bashkëmoshatarin M. E. nga qyteti i Divjakës, duke i shkaktuar plagë të rënda. Në këtë kohë kanë ndërhyrë katër shokët e të plagosurit, edhe këta banorë të qytetit të Divjakës, por janë përballur me pesë rivalët që i përkisnin grupit të ardhur nga fshatrat Gërmenj i Vogël dhe Gërmenj i Madh. Edhe këta të fundit kanë qenë të pajisur me thika dhe i kanë sulmuar shokët e 16-vjeçarit M. E., duke i qëlluar në trup e shkaktuar plagë të rënda. Pasi i kanë qëlluar nga disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit djemtë me banim në qytezën e Divjakës, agresorët nga fshatrat Gërmenj i Vogël e i Madh janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Banorët e zonës që janë ndodhur pranë vendit të ngjarjes nuk kanë mundur të parandalojnë masakrën që për pak u mori jetën pesë të rinjve, pasi gjithçka ka ndodhur në pak çaste. Ka qenë një roje dyqani ai i cili ka parë përleshjen mes 11 të rinjve, dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Të plagosurit janë shoqëruar menjëherë për në spitalin e Lushnjës ku kanë marrë kujdesin mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilët pasi kanë identifikuar autorët e dyshuar janë vënë në ndjekje të tyre.
Autorët
Sipas burimeve zyrtare të policisë, është bërë e mundur që të ndalohen tre prej autorëve të masakrës, 17-vjeçarët R. C., D. C., dhe M. K., që të tre nga fshati Gërmenj. Ndërkaq janë shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorët e tjerë në këtë krim, mes tyre edhe 16-vjeçari A. K., i cili ka qenë ai që ka qëlluar i pari me thikë bashkëmoshatarin M. E.. Policia i akuzon gjatë bashkëmoshatarët nga Gërmenji për veprën penale të “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.
Motivi
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur për shkak të motiveve të dobëta. Ndërkaq, nga burime të tjera të gazetës mësohet se 16-vjeçari A. K., i shpallur në kërkim policor dhe bashkëmoshatari i tij M. E., janë grindur me njëri-tjetrin rreth një javë më parë në qytetin e Divjakës. Sherri ka ndodhur pikërisht në ditën kur në këtë qytezë të rrethit të Lushnjës zhvillohet tregu i mallrave industrialë. Dy të rinjtë të cilët nuk janë njohur më parë me njëri-tjetrin, kanë qenë duke lëvizur nëpër treg kur janë shkëmbyer dhe janë përplasur me njëri-tjetrin. Adoleshenti nga qyteza e Divjakës, M. E. që mbeti i plagosur mësohet ta ketë fyer i pari 16-vjeçarin A. K. edhe për faktin se ai jetonte në fshat. Më pas kanë shkëmbyer fjalë të tjera fyese dhe M. E. mësohet t’i ketë thënë bashkëmoshatarit A. K. fjalë fyese edhe kundrejt familjarëve të tij, konkretisht nënës dhe motrës. Për shkak se M. E. ishte në zonën e tij, A. K. është tërhequr po e ka paralajmëruar se do të takoheshin prapë dhe do ta shikonte se çfarë kishte për t’i bërë. Duket se atë ditë, i plagosuri M. E. është ndier superior dhe nuk e ka marrë mjaft seriozisht “kërcënimin”, por e ka sharë sërish duke e ndjekur nga tregu adoleshentin nga fshati Gërmenj. Ky i fundit i ndier i fyer është kthyer në fshatin e tij dhe ka biseduar me shokët dhe kushërinjtë bashkëmoshatarë për atë çka i ka ndodhur në qytetin e Divjakës. Ai ka vendosur që të hakmerrej dhe ka kërkuar ndihmën e shokëve, të cilët e kanë mbështetur dhe pasi janë armatosur me thika janë përgatitur për të sulmuar bashkëmoshatarët e qytetit të Divjakës. Adoleshenti A. K. e ka ruajtur objektivin e tij për disa ditë dhe ka mësuar vendet që ai frekuentonte, derisa mbrëmjen e të premtes së bashku me shokët ka realizuar planin e tij të hakmarrjes.
SHQIP
Add new comment