Përhapet në Gramsh dhe Librazhd sëmundja e "gjuhës blu" te delet

Po përhapet me shpejtësi sëmundja infektive e “Blutongut” ose “gjuhës blu” te delet në Shqipëri. Pas Korçës të infektuar janë identifikuar fshatrat e komunave Kukës në Gramsh dhe Stëblevë në Librazhd të qarkut, Elbasan.
Të dhënat e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Shërbimit Veterinar në këtë Qark flasin për të paktën 40 krerë dele të groposura këto ditë nga shërbimi veterinar për shkak të infektimit.
Por sipas këtyre të dhënave numri i bagëtive të prekura mendohet të jetë disa herë më i madh.
Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Institutit të Shërbimit Veterinar pas inspektimit u shprehën se duhet menjëherë të merren masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Duhet të eliminohen bagëtitë e prekura nga sëmundja, si dhe të izolohet virusi në zonat ku është shfaqur.
“Blutongu” nuk është sëmundje zoonozike, pra nuk kalon nga kafsha tek njeriu. Por ajo sjell dëme të mëdha në fermat blegtorale që shoqërohen me eliminim të kafshëve të prekura, rënie të prodhimit, dëmtime në riprodhim dhe sterilitet.
Add new comment