Përfundojnë afatet e hetimit për Arben Frrokun, prokuroria: Duhet ta pyesim

-Gjykata e Krimeve të Rënda mbështet prokurorinë për zgjatjen edhe për dy muaj të tjerë të afateve të hetimit për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamajt. Seanca e djeshme ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Arben Frrokut, personit të dyshuar dhe të vënë nën akuzë nga prokuroria për ngjarjen në të cilën mbeti i vrarë shefi i komisariatit nr 6, për zgjatjen e hetimeve. E ndërsa drejtësia greke nuk ka ekstraduar ende Frrokun, prokurori i çështjes si dhe gjyqtari refuzuan kërkesën e avokatit Tonin Prendi, nën argumentimin se duhet patjetër të pyetën dy personat nën hetim, Arben Frroku dhe Jak Jaku, edhe pse ky i fundit gjykohet për akuza të tjera dhe në një tjetër shkallë gjyqësori. Kështu, zgjatja e afateve të hetimit, që për mbrojtjen është e pambështetur në ligj, mban ende një mundësi marrjesh të dëshmive të të dy të dyshuarve të akuzuar, ndonëse afati dy mujor i shtyrjes së hetimeve përkon me mundësinë e patjetërsueshme të ekstradimit të personave që i duhen prokurorisë së Krimeve të Rënda për të pyetur. Mirëpo, po ditën e djeshme, në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe tronditëse të ekzekutimit barbar të Dritan Lamajt, në gjykatën e shkallës së parë të Krimeve të Rënda dhe në atë të Durrësit janë zhvilluar edhe dy seanca të tjera, të cilat lidhen me akuzën e vjedhjes së makinës me të cilën u u krye vrasja. Njëri nga të dyshuarit e policisë dhe të prokurorisë për këtë grabitje dje ka fituar lirinë, ndërsa gjykimi i të dyshuarit dhe të akuzuarit tjetër i ka kaluar për kompetencë gjykatës së Durrësit. BMVja nga e cila dolën breshëritë e kal-lashnikovit, që mund të ishte mbase edhe “çelësi” që mund të çonte tek zbardhja e së vërtetës së asaj ngjarjeje, duket se ende nuk ka autor të grabitjes.
Në pritje të ekstradimit
Në pritje të ekstradimit nga drejtësia greke të Arben Frroku, si person nën hetim për vrasjen e Lamajt, mbrojtja e tij në Shqipëri i kërkon Gjykatës të refuzojë vendimin e prokurorisë të datës 24 korrik për zgjatjen e hetimeve edhe dy muaj të tjerë. Madje, sipas avokatit Tonin Prendi, gjykata duhet të urdhërojë pushimin e hetimeve, një kërkesë kjo që nuk u çmua si e bazuar në prova sipas gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. “Afati i hetimit nuk ka kaluar si dhe njoftimi i vendimit të zgjatjes është bërë në kohë. Në këto kushte, mbështetur në nenin 324 të Kodit të Procedurës Penale, duke arsyetuar se hetimi është kompleks e duke u ndodhur përpara pamundësi objektive për të pyetur dy personat nën hetim, Arben Frroku e Jak Jaku, i kërkojmë Gjykatës rrëzimin e kërkesës së pushimit të çështjes”, i tha gjykatës prokurori Ardian Nezha. “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vepruar në përputhje me parimet e dispozitave proceduriale. Në këtë argumentim, Gjykata argumenton se vendimi i datës 24 korrik i Prokurorisë është i drejtë dhe i bazuar dhe si i tillë duhet lënë në fuqi”, vlerësoi gjyqtari Simoni. Për Prokurorinë, zgjatja edhe për dy muaj të tjerë e afatit hetimor për personat nën hetim, Arben Frroku dhe Jak Jaku bëhet për shkaqe objektive, duke qenë se të dy këta shtetas ndodhen në Greqi dhe ende organi i hetimit nuk ka realizuar pyetjen e tyre. Po kështu, në listën e veprimeve hetimore të Prokurorisë janë edhe një sërë lëvizjesh të tjera verifikuese, të cilat nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.
“Shfryhet” prokuroria për BMV-në e vrasjes
Makina aq shumë e përfolur, nga e cila dolën plumbat që i morën jetën kryekomisar Dritan Lamajt, ende nuk ka një autor të vënë nën akuzë. Ditën e djeshme gjykata e Durrësit ka lënë të lirë Gentjan Bejtjën, personin nga Fushë-Kruja që u arrestua me aq shumë bujë pak ditë pas vrasjes së ndodhur me 24 shkurt të këtij viti. Bejtja është lënë i lirë me detyrim paraqitjeje, ndërsa akuzohej si një nga autorët e grabitjes së automjetit BMV në Durrës, dy netë para krimit të rëndë. Referuar burimeve bëhet me dije se i akuzuari për këtë grabitje është lënë i lirë pasi i kanë përfunduar afatet e hetimit, ndërsa Enver Stafuka, burri që u arrestua me aq shumë bujë dhe dhunë për bashkëpunim në grabitjen e makinës, i ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Durrësit. Paçka se zyrtarisht bëhet me dije se në të vërtet Stafuka si dhe Bejtja, dy bashkëfshatarët, sërish do të jenë nën hetim për grabitjen e asaj makine, Krimet e Rënda kanë hequr dorë nga gjykimi i dosjes. Dy burrat nga Larushku i Fushë-Krujës ishin të dyshuar si personat që kishin grabitur makinën për llogari të njerëzve të Arben Frrokut, akuzë që në rastin e mbajtjes nën hetim të Stafukës si dhe kur është vënë në pranga është kërkuar me çdokush që i ndaluari i tyre të tregonte një emër për të cilin kishte grabitur makinën.
Reagon Mark Frroku: Këtu s`ka drejtësi, çështja e Arbenit, politike
Deputeti surprizë i zgjedhjeve të 23 qershorit, pas seancës së djeshme të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku është rrëzuar kërkesa për përfundimin e afateve të hetimit ndaj vëllait të tij, ka lëshuar akuza të forta në lidhje me mënyrën se si po procedohet me këtë çështje. Në një prononcim për “Shekulli”, Frroku theksoi se gjithçka që po bëhet nga prokuroria dhe gjykata nuk mund të shpjegohen ndryshe përveçse me faktin se Arben Frroku është sulmuar dhe vijon të sulmohet politikisht. “Ka kanë kaluar pesë muaj dhe prokuroria dhe gjykata vijojnë ta mbajnë tim vëlla nën masën e arrestit me burg jashtë afateve. Ata për 5 muaj nuk kanë arritur të mbledhin asnjë provë që e implikon Arben Frrokun në atë ngjarje, ndërsa me 24 korrik ata kanë pranuar që afatet e hetimit të zgjasin edhe dy muaj të tjerë. Këta mund t`i zgjasin hetimet pafundësisht ndërsa nuk kanë asnjë provë që mund të implikojë Arbenin”. Ndërkohë deputeti Kristian Demokrat në lidhje me faktin se prokuroria e ka domosdoshmëri procedurale marrjen në pyetje të të dyshuarit kryesor Arben Frroku dhe të personit që dyshohet se ka dijeni mbi ngjarjen, Jak Jaku, saktëson: Unë nuk e kuptoj realisht çfarë do të thotë ky fakt. E kuptoj dhe e pranoj se është domosdoshmëri marrja në pyetje të Arben Frrokut nga ana e prokurorëve të çështjes, por kjo varet edhe nga ekstradimi i tij. Prokurorët mund të shkojnë dhe ta marrin në pyetje edhe në Greqi, atje ku ai mbahet në qeli. Sikur ekstradimi të mos kryhet edhe për disa muaj të tjerë, i bie që afatet e hetimit të shtyhen vetëm e vetëm që të kryhet kjo seancë pyetjesh!”. Deputeti Frroku, që në momentin e parë të pasvrasjes së kryekomisarit ngriti akuza të forta publike në lidhje me motivin e sulmit që po i bëhej Arbenit dhe familjes së tij. Ndërsa jo pak herë Frroku doli publikisht dhe tregoi mënyrat se si vepruan autoritetet e policisë dhe të hetimit me të dhe me pjestarët e tjerë të familjes gjatë kohës së hetimeve. Mark Frroku u shoqërua nga policia e Tiranës pak ditë para se te fillonte fushata elektorale ndërsa policia theksoi se shoqërimi i tij ishte kryer për ta pyetur në lidhje me çështjen e të vëllait, Mark Frroku publikisht bëri të ditur se në të vërtet shoqërimi i tij ishte kryer pasi ai kishte zbuluar në makinën e tij private një përgjues dhe e kishte hequr nga makina.
Pesë muaj nga ekzekutimi
Që nga ajo pasdite e 24 shkurtit kur në afërsi të banesës së tij një breshëri kallashnikovi i mori jetën efektivit të policisë që drejtoi për vite me radhë një sërë komisariatesh, kanë kaluar plot pesë muaj. Policia humbet gjurmët e mjetit ndërsa menjëherë emri i dyshuar ishte Arben Frroku, biznesmeni që disa muaj më parë kishte patur një konflikt me të ndjerin. Nga të dhënat sërish të vednit të ngjarjes, pasi policia ishte vonë për të qenë në kohën e duhur, u tregua se personat që qëlluan mbi Lamajn ishin të maskuar dhe se është gjuajtur në lëvizje e sipër të mjetit BMV, mjet që ishte grabitur dhe denoncuar si i grabitur dy ditë më parë në Durrës. E ndërsa lloji dhe targat e makinës shfaqeshin nëpër mediat elektronike, i zoti i saj i tregon policisë se makina që u përdor në vrasje ishte makina që iu kishte grabitur në mes të Durrësit dy netë më parë. Policia e humbi makinën, hodhi në letër emrin e Arben Frrokut si të dyshuar për vrasjen dhe nisi ma bashkimin e provave në vendin e ngjarjes. Rreth 24 orë pas vrasjes, një telefonatë nga Domje kërkon ndihmën e zjarrfikëses për të shuar një automjet në flakë. Si rrallë ndonjëherë, zjarrëfiksja shkon para policisë, shuan flakët e makinës dhe dhe atëherë zbulohet se makina në flakë ishte BMV-ja e vrasjes.
Shekulli
Add new comment