Për çdo blerje mbi 1000 lekë, mbanin 100 lekë dhe për çdo litër mbanin 50 ml

Sokol Çobo
Zbardhet pjesërisht mashtrimi me pikat e karburantit, i cili ka ndodhur edhe brenda qytetit të Tiranës. Prokuroria e Tiranës ka verifikuar materialet e marra nga Metrologjia dhe ka rezultuar se nga 14 pika në të gjithë vendin, katër prej tyre janë në Rrethin e Tiranës. “Dy pika karburanti janë brenda qytetit të Tiranës dhe dy në periferi”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas saj, pikat e karburanteve mashtrojnë qytetarët duke i mbajtur për çdo blerje mbi 1000 lekë nga 100 lekë. Mësohet se qytetarëve për çdo 10 litër karburant i vidhej gjysmë litri. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në total janë 14 pika karburantesh në mbarë vendin, të përfshirë në rrjetin e mashtrimit dhe vjedhjes, nga të cilat 4 pika në kryeqytet dhe 10 pika në rrethe.
Nga ana e organit të akuzës është marrë në dorëzim i gjithë dokumentacioni përkatës i Drejtorisë së Metrologjisë, ndërsa bëhet me dije se në ditët në vijim do të merren në pyetje inspektorët dhe vetë drejtuesja e këtij institucioni.
“Këto pika karburantesh rezultojnë se kanë qenë më parë të gjobitura me rreth 7 milionë lekë për abuzime, por gjoba nuk i ka penguar për të vijuar grabitjen dhe mashtrimin e qytetarëve. Qytetet ku janë hasur probleme janë: Tirana, Durrësi, Korça dhe Elbasani. Por organi i akuzës nuk bën me dije emrat e firmave të karburantit ku janë hasur shkeljet, për arsye hetimore. Momentalisht procedimi është në fazën e verifikimit, ndërsa akuza paraprake është thjesht shkelje administrative. Në përfundim të verifikimit të dosjes me materialet e sekuestruara nga Prokuroria e Përgjithshme, pritet që javën e ardhshme organi i akuzës të vendosë për nisjen e kallëzimeve penale, pasi, sipas hetuesve, ky abuzim klasifikohet si vjedhje masive.
Vjedhjet në karburante
Sipas burimeve nga Drejtoria e Metrologjisë, mësohet se është vënë në dispozicion të prokurorisë i gjithë dokumentacioni që disponohej lidhur me pikat e karburanteve që abuzonin me sasinë që u shisnin klientëve. Mësohet se katër pika të evidentuara si të tilla ndodhen në qytetin e Tiranës, ndërsa disa të tjera në Kavajë dhe në rrugën nacionale Durrës-Lushnjë. Lidhur me këto pika, Prokuroria e Tiranës nuk ka kompetencën të hetojë, por konfirmohet se do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. “Nëse gjatë hetimit do të jetë e nevojshme kryerja e verifikimeve në terren, pra në pikat e karburanteve të dyshuara, hetuesit do të ushtrojnë kontrolle në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë”, thanë burimet pranë prokurorisë. Mësohet se procedimi penal për këtë çështje është regjistruar për akuzën e vjedhjes, mashtrimit dhe evazionit fiskal.
Hetohet Metrologjia
Gjithashtu në përgjegjësi penale do të merren edhe zyrtarët e Metrologjisë, në rast se konstatohen elemente të veprës penale nga hetimi i nisur për mashtrimin me sasinë e karburanteve. Aktualisht kjo çështje duket se ka marrë zgjidhje, pasi të gjitha subjektet e kapura me shkelje janë ndëshkuar me gjobë nga Metrologjia dhe mekanizmi mbushës i pompave të karburanteve është vulosur nga inspektorët. Megjithatë prokuroria do të kryejë verifikimet e nevojshme, pasi dyshohet se vjedhja e konsumatorëve është bërë për një kohë të gjatë dhe dëmi i shkaktuar mund të jetë shumë i madh. Hetimi fillimisht do të nisë nga kryeqyteti, aty ku janë evidentuar katër kompani problematike në sasinë e karburantit, ndërsa më pas do të shtrihet në të gjitha pikat dhe subjektet e tjera që dyshohet se kanë vjedhur konsumatorët nëpërmjet sasisë së tregtuar të karburantit. Kjo çështje u kthye në debat publik, pasi Drejtoria e Metrologjisë nuk publikoi emrat e subjekteve abuzuese, me argumentin se një gjë të tillë nuk e lejon ligji për inspektimet.
SHQIP
Add new comment