Opozita e quan Ramën “rrezik” për fqinjësinë me Maqedoninë

Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama në takimin me presidentin maqedonas Ivanov janë kritikuar ashpër nga eksponentë të opozitës si deklarata përçarëse të fqinjësisë mes dy vendeve. Kritikat i kanë ardhur nga ish ministri i Jashtëm Aldo Bumçi dhe ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas tyre Rama nuk duhet të barazojë pakicën maqedonase me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.
Bumçi tha se “zoti Rrama po dëmton themelet e fqinjësisë së mirë që kemi pasur deri tani. Rama nuk përmendi marrëveshjen e Ohrit që i dha fund konfliktit në Maqedoni. Është dokumenti bazë për marrëdhëniet ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit është e përfshirë në cdo raport të BE-së dhe ka qenë kryefjalë e cdo diplomati. Ai vuri shenjën e barazimit mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë që bëjnë 25 % të popullsisë. Rama tha se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kur nuk respektojmë të drejtat e pakicave maqedonase këtu. Shoqëria në cdo raport vlerësohet me notat më të larta për të drejtat e pakicave. Një krahasim i tillë është i keq pasi cënon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.
Topalli ndërkohë e ka cilësuar të rrezikshme deklaratën e Ramës.
“Sot e kishin rradhën shqiptaret e Maqedonisë. Rama, në takimin me presidentin e Maqedonisë në zyrën e KM nuk artikuloi Marrëveshtjen e Ohrit. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët në Maqedoni. Ai tha “ ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerë”, shkruan Topalli në facebook.
“As në realitet, e as në asnjë raport ndërkombëtar nuk ka asnjë problem të shtruar për pakicat maqedonase në Shqipëri, të cilët gëzojnë gjithë të drejtat e lirite e njeriut si çdo qytetar shqiptar. Në politikën e jashtme në Shqipëri nuk ka patur diferenca mes partive. Sot, degjuam nga KM njq qëndrim krejt të huaj, jo shqiptar. Deklarata e Ramës është e rrezikshme. Ajo fyen luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fyen përpjekjet e tyre për liritë e të drejtat themelore. Ato sot ishin të tradhëtuar nga Tirana zyrtare. Dhe kjo vetëm 4 ditë pas fjalimit përçarës që bëri para Kuvendit të Kosovës”, përfundon Topalli.
MAPO
Add new comment