Olldashi:Konferenca e PS, takim klientësh. Në dhomën e Enverit vetëm Koçoja mund të mbyllet

Pas Kryeministrit në largim Sali Berisha, i cili i dedikoi të mërkurën pothuajse të gjithë mbledhjen e qeverisë analizës së konferencës dyditore të PS “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, reagimi i radhës nga kupola blu ka ardhur Ministri i Transportit ende në detyrë Sokol Olldashi. Ky i fundit duke sjellë në vëmendje pjesëmarrësit e konferencës, deklaroi se takimit dyditor të socialistëve i ishin bashkangjitur pseudo-ekspertë, të cilët i cilësoi si klientët e vjetër të Bashkisë së Tiranës.
“Kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur pseudo ekspertësh, është një rreth influence që shfaqet herë si konkurrent, herë si këshillues, herë si anëtar jurie, është rrethi i klientëve të Ramës si kryetar bashkie”, tha Olldashi.
Ndërkaq referuar propozimeve të dala nga Konferenca, Olldashi u ndal në disa prej tyre, për të cilat dha dhe komentet e tij. “Plani kombëtar, që vendi është ndarë në 12 qarqe e dimë të gjithë. Ligji për planifikimin territorial detyron hartimin e një plani kombëtar, propozimi bie, se e ka zgjidhur ligji prej dy vitesh. Propozimi i dytë ishte që Kryeministri të jetë një lloj trajneri në njohjen e rajoneve, çfarë Rama e ka dëshmuar se nuk njeh mirë rajonet. Moratoriumi për bregdetin lidhur me ndërtimet pa leje, praktikisht ne jemi në moratorium. Kontrolli i territorit nuk mund të bëhet me fushata ndëshkimore”,- tha ai.
Në përfundim Olldashi nuk la pa ironizuar propozimet e ekspertëve për piramidën dhe vilën e Enver Hoxhës. “Që nga Piramida mund të rrëshkitet, këtë fëmijët e Tiranës e dinë, por që rrëshkitja mund të bëhet nga poshtë lart këtë asnjëri se dinte. Pastaj propozohet që filozofët të hyjnë në dhomën e gjumit të Enver Hoxhës, të mendohen dhe të thonë si do jetë Shqipëria. Imagjinoni Ramën që mbyllet 3 muaj në dhomën e Hoxhës, i vetmi që do pranonte është Koçoja, por edhe atë mbetet ta pyesim”, përfundoi Olldashi.
SHQIP
Add new comment