Olldashi, kritika të ashpra ndaj Bashës për krerët e grupit të PD

Postuar në 10 Shtator, 2013 04:29

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Opozita - “Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të PD-së. Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë”, tha Basha

Mbledhja - Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, në selinë e re të PD-së u mblodhën 46 deputetët demokratë, që nga të zgjedhurit tradicionalë e deri tek ish-socialistët, si Kastriot Islami e Gjovalin Kadeli

Berisha - Edhe pse në rolin e deputetit të PD-së, pritja që iu rezervua dje Sali Berishës nga kryetari i ri Basha, konfirmoi edhe njëherë peshën e liderit historik të PD-së

Kryetari i ri i PD-së ka bërë të ditur para grupit prioritetet politike të opozitës

Në mbledhje është diskutuar për dhënien “hua” të deputetëve për partitë aleate 

Mbledhja e parë e deputetëve të opozitës nis me debate të forta

Herion Mesi 

Përballja mes dy kandidatëve që garuan në zgjedhjet e brendshme të PD-së për postin e kryetarit të ri të partisë, ka vijuar edhe në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat. Të gjendur dje përballë njëri-tjetrit në tryezën ovale të sallës së mbledhjeve në selinë e re të partisë, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nuk kanë shfaqur të njëjtat qëndrime sa u përket dy propozimeve të kryetarit Basha, që pavarësisht kundërshtive, u miratuan në mbledhjen e djeshme që u mbajt pa praninë e gazetarëve.

Debatet

Sa i përket vendimit për të emëruar deputetin Edi Paloka në krye të grupit parlamentar të PD-së, mësohet se Olldashi është shprehur kundër këtij propozimi, duke argumentuar se kjo vendimmarrje shkon në kundërshtim me statutin e partisë. Burime nga selia blu thanë dje për gazetën “Shqip”, se Olldashi është shprehur që “statuti i PD-së parashikon që kryetari i grupit parlamentar të zgjidhet nga këshilli kombëtar i partisë”. Olldashi mësohet se ka shprehur gjithashtu indinjatën e tij për zgjedhjen e kryetarit të grupit, për shkak se emri i tij u mësua nga mediat, dhe “jo nëpërmjet një procesi që duhej të ishte tërësisht transparent”, mësohet të jetë shprehur dje Sokol Olldashi. Gjithashtu, një tjetër vendim që ka hasur në kundërshtinë e Olldashit është edhe ai që ka të bëjë me ndihmën e partive aleate për të ngritur edhe ato grupet e tyre parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe për këtë ligjvënësit demokratë vendosën që t’i ndihmojnë aleatët, duke kaluar dy deputetë të PD-së në krah të PDIU-së së Shpëtim Idrizit dhe tre në krah të PR-së së Fatmir Mediut, numra që u duhen këtyre partive për të plotësuar kuorumin e nevojshëm për krijimin e grupit parlamentar prej 7 deputetësh. Edhe për këtë vendim, Olldashi mësohet se ka shprehur rezerva, pasi, sipas tij, rritja e numrit të grupeve parlamentare të opozitës nuk e ndihmon atë në betejën e saj opozitare. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Olldashi ka kërkuar që opozita të jetë e unifikuar në një qëndrim të vetëm, dhe jo në tri qëndrime.

Kreu i grupit

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, në një dalje publike për mediat, hodhi pasditen e djeshme poshtë zërat për ekzistencën e disa fraksioneve brenda kësaj partie. Duke pohuar se brenda partisë më të madhe të opozitës ka mendime ndryshe, Paloka mohoi kategorikisht ekzistencën e ndonjë grupimi kundër kryetarit Basha. “Brenda PD-së nuk ka fraksione dhe grupe, ka mendime ndryshe, por kjo s’do të thotë që ka fraksione, është diçka normale”, u shpreh dje Paloka. Duke vijuar më tej, Paloka shtoi se, opozita e re do të jetë luajale dhe e ndershme, ndërsa do të presë me padurim që kryeministri i ri i vendit, Edi Rama, të përfshijë në programin e qeverisë së tij premtimet e bëra në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Vija politike

Basha: Opozitë pa kompromis në mbrojtje të interesit publik

Gjatë fjalës së tij të parë para deputetëve demokratë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vuri në dukje faktin se Partia Demokratike është e angazhuar për një opozitë të fortë dhe pa kompromis në mbrojtje të interesit publik. “Dua të theksoj se ne nuk do të jemi opozita e baltës, e spekulimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Basha. Sa i përket integrimit europian të vendit, kreu i PD-së theksoi se Partia Demokratike do të jetë bashkëpunuese pa kushte me qeverinë e re. “Në koherencë me këtë vokacion, që është ADN-ja jonë politike, siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama me të tijtë, bllokimin e statusit. Përkundrazi. Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot konsensusin tonë pa kushte për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë”, deklaroi dje kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Emrat

  • Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar të PD-së
  • Eduard Halimi, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së
  • Gent Strazimiri, sekretar i grupit parlamentar të PD-së
  • Jorida Tabaku, zëdhënëse e grupit parlamentar të PD-së
  • Edmond Spaho, kandidat i PD-së për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.