Olldashi: Biznesi do të jetë nën agresionin e bllokut të Metës

Postuar në 12 Korrik, 2013 08:09

Nga Gjirokastra, kandidati për drejtimin e PD-së, Sokol Olldashi, ka theksuar se Partia Demokratike në çdo degë të saj do të hapë zyrat e konsulencës juridike për të mbrojtur administratën publike. “Thirrjet që po bën Edi Rama për gjoja aplikime CV-sh në PS, nuk janë asgjë tjetër, veçse paralajmërimi i parë për masakrën administrative që ata kanë ndërmend të bëjnë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Përpara se socialisti i parë të hyjë në zyrën më të parë të shtetit, ne duhet të kemi ngritur në të gjitha degët e Partisë Demokratike zyrat e konsulencës për të gjithë administratën, në mënyrë që ta mbrojmë atë, t’i ofrojmë ndihmë juridike dhe ta shpëtojmë, jo për t’i përdorur si top politik. Por sepse administrata është një vlerë, është një aset kombëtar që nuk duhet lejuar të masakrohet”, – tha ai. Gjatë një tjetër bashkëbisedimi të zhvilluar me strukturat e Partisë Demokratike në Tepelenë, kandidati për drejtuesin e ardhshëm të PD-së, Sokol Olldashi reagoi ashpër ndaj kërcënimeve që iu bënë me sms Njazi Kosovrastit. Ndërsa në takimin e zhvilluar në Përmet, ai deklaroi se biznesi është i kërcënuar nga dy agresorë sipas tij, taksa progresive dhe blloku i Ilir Metës. “Ne duhet të marrim në mbrojtje biznesin, i cili shumë shpejt do të gjendet në mes dy agresioneve: nën agresionin e taksës progresive të Edi Ramës dhe nën agresionin e bllokut të Ilir Metës, sepse pasi shpenzoi në fushatë, ai do t’i nxjerrë prapë ato para. Ne duhet të bëhemi përfaqësues të të gjithë korpusit opozitar, i cili do të gjejë tek ne mbrojtjen, shpresën dhe aleatin e vet natyral”, tha ai. Olldashi u ndal edhe në paketën për ristrukturimin e partisë, që ai e koncepton si një format organizimi që do të rivitalizojë jetën politike brenda PD-së.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.