ODIHR publikon raportin: Situata e tensionuar mund të ndikojë në zgjedhje. Presione mbi votuesit

Misioni i vëzhguesve i ODIHR ka publikuar raportin e parë për zgjedhjet në Shqipëri.
Që në fillim të raportit theksohet se zgjedhjet do të zhvillohen në një ambient politik të dominuar nga dy partitë kryesore, PD dhe PS.
“Shumë nga interlokutorët e ODIHR e vlerësojnë ambientin politik si të tensionuar, kjo kryesisht për shkak të konflikteve të gjata mes dy partive dhe kanë shprehur shqetësim se kjo do të ndikojë në mënyrë negative në mbajtjen e zgjedhjeve,” thuhet në raport.
Në raport theksohet se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen sipas një kuadri ligjor, që është miratuar me mbështetje të gjerë më 19 korrik 2012. Amendimet në ligjin zgjedhor kanë marrë parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR, thuhet në raport.
Në raport shprehet shqetësim për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Interlokutorët e OSBE/ODIHR kanë shprehur shqetësim në lidhje me pamundësinë e KQZ për të vendosur për dy çështje të rëndësishme, ndarjen e mandateve dhe numrin e zonave të administrimit zgjedhor dhe theksuan se mungesa e konsensusit bipartizan do të sjellë politizim të mëtejshëm të KQZ-së,” thuhet në raport.
Sa i përket teknologjive të reja në këto zgjedhje, numërimin e votave në mënyrë elektronike në Fier dhe verifikimin elektronik në Tiranë, në raport thuhet se mirëpriten këto ndryshime, por ka shqetësime në lidhje me kohën e shkurtër për implementimin e këtyre teknologjive.
Në raport shprehet shqetësim edhe për përfaqësimin gjinor në listat e kandidatëve të partive, duke thënë se një çështje e tillë mund të tejkalohet vetëm me një gjobë.
ODIHR po ashtu shpreh shqetësim se edhe pse fushata do kohë që të nisë, sërish ka shqetësim në lidhje me presionin e mundshëm mbi votuesit dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë.
Sa i përket medias, në raport theksohet se ambienti është i polarizuar dhe mediat janë rreshtuar në linja politike.
Në përfundim të raportit të parë, thuhet se bazuar mbi kërkesat e shtetit shqiptar, ODIHR kërkon 30 vëzhgues afatgjatë dhe 400 vëzhgues afatshkurtër për tu shpërndarë në mbarë vendin.
“Për shkak të numërimit të stërzgjatur dhe procesit të tabulimit, vëzhguesit afatshkurtër mund të kërkojnë kohë shtesë për të qëndruar disa ditë pas ditës së zgjedhjeve”, thekson raporti./ep
TEMA
Add new comment