Noka ofendon Tahirin. Ministri: Do të zhdukim mafien nga radhët e policisë

Postuar në 15 Shtator, 2013 08:36

Replika më e ashpër në seancën e diskutimit për qeverinë e re

BLEDAR HOTI

Përplasja më e madhe në Kuvend ndodhi ndërmjet deputetit të PD-së, Flamur Noka, dhe ministrit të ri të Brendshëm, socialistit Saimir Tahiri. Ish-ministri i Rendit, Noka, atakoi në mënyrë direkte Tahirin duke e akuzuar për paaftësi mendore dhe lidhje me botën e krimit. “Z. Rama! Ju u servirni shqiptarëve për drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit një individ gjysmak, i cili, pasi nuk mbaroi dot shkollën në Xhenova, u kthye për ta vazhduar në Shkodër, pasi dhe atje nuk e mbaroi dot erdhi e gjeti një zgjidhje për të marrë një diplomë në Tiranë. Ju u servirni shqiptarëve, si ministër të Brendshëm, një individ depresiv që ka tentuar vetëvrasjen dhe që për këtë është mjekuar në spitalin San Martino në Xhenova. Do të kemi ministër të Brendshëm një njeri, i cili kohë më parë ka qenë kontingjent i Policisë si hajdut kasetofonësh, dhe së fundmi shoqërues i Shullazit&co, madje duke shëtitur edhe në skafin e tij. Si mund të motivojë ministri gjysmak Policinë e Shtetit, kur babai i tij ka qenë objekt i saj për kontrabandë ilaçesh? Çfarë morali do t’i japë policisë dhe si mund t’i motivojë ata në luftën kundër krimit ekonomik ky ministër, kur e ëma e tij ka qenë objekt i punës së policisë dhe prokurorisë për evazion fiskal?”, tha Noka në fjalën e tij. Më tej, ai shtoi se “kjo nuk është as më pak dhe as më shumë sesa një poshtërim që i bëhet Policisë së Shtetit dhe shqiptarëve vetëm për faktin se të lanë gjysmagjel dhe gjeli që këndon është ulur aty sipër teje”. Sipas Nokës, shqiptarët nuk dëgjuan një program qeverisës, por vetëm akuza dhe mllefe të Ramës ndaj opozitës. “Shqiptarët, në vend që të dëgjonin projektin e qeverisjes, dëgjuan vetëm mallkime për kundërshtarin, vetëm sharje dhe shpifje për të, një refren që tregonte se z. Rama i ka ngelur ora në opozitën e tij të dhunës. Në asnjë sekondë nuk fole si Kryeministër, sepse nuk ndihesh i tillë, pasi ti e di mirë që do të jesh një gjysmëkryeministër. Kjo u duk qartë në hartimin tënd, pasi thellë brenda teje ti ke inat me shqiptarët dhe nuk ua fal faktin se nuk të dhanë asnjë votë më shumë se në vitin 2009, por të lanë të këndosh vetëm si një gjysmagjel”. Pas këtij fjalimi, ka ndërhyrë kryeparlamentari Ilir Meta, i cili nuk e ka cilësuar normale diskutimin e Nokës, duke kërkuar që në diskutime të mos preken emrat e familjarëve. “Ti lëmë në shtëpi emrat e prindërve, të fokusohemi te programi i qeverisë”, reagoi Meta.

Reagimi i Tahirit

Ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri, preferoi t’i shmangte sulmet personale ndaj Nokës, duke shtuar se ai gëzonte një shëndet të plotë. Ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e cilësoi si emergjencë kombëtare luftën kundër krimit dhe mafies në vend. Gjatë fjalës së tij, teksa shpalosi platformën e qeverisë së re për kthimin në vend të rendit dhe sigurisë, Tahiri theksoi se një nga sipërmarrjet e qeverisë së re do të jetë krijimi i Byrosë Kombëtare Kundër Krimit. “Përpiqem të kuptoj shqetësimin e kolegut parafolës (Flamur Nokës) lidhur me familjen time. Përpiqem të kuptoj edhe shqetësimin e tij lidhur me shëndetin tim. Fundja parafolësi është i vetmi në këtë Parlament që ka studiuar më shumë për shëndetësinë. I ka filluar studimet në diktaturë dhe i mbaroi me anëtarësimin në NATO. 17 vjet shkollë. Por besoj se më shumë se një merak për shëndetin tim, kolegu parafolës donte të shprehte kuadrin e shqetësimeve që unë mendoj se ai ka në tërësi për shëndetin e qytetarëve. Unë jam shumë mirë me shëndet, faleminderit. Jemi të angazhuar të kthejmë policinë në shtet. Ndaj për këtë arsye do të krijojmë Byronë Kombëtare Kundër Krimit. Lufta më e vështirë mbetet krimi ekonomik, pasi bëhet fjalë për një sistem të organizuar që rrezikon vendimmarrjen e institucioneve më të larta. Luftën kundër krimit dhe mafies do e cilësojmë si emergjencë kombëtare. Jemi të vendosur të rikthejmë besimin te Policia e Shtetit. Ne do të marrim masa radikale ndaj armëmbajtjes duke e cilësuar armikun numër një. Do të vendosim barazinë para ligjit dhe do të shembim murin e të paprekshmëve dhe të të ‘fortëve’. Ne duhet të arrijmë në një objektiv që të mos ketë më të paprekshëm”, theksoi Tahiri.

26 pyetje

Para debatit, ministrat socialistë iu përgjigjen pyetjeve të bëra nga ana e deputetëve. Ishin gjithsej 26 pyetje të deputetëve të PS-së dhe LSI-së, opozita nuk pati pyetje

98 diskutime

Në listë u regjistruan 98 deputetë për të diskutuar për programin e qeverisë Rama. Gjithsej ishin 44 deputetë të majtë dhe 54 të deputetë të së djathtës

Ish-ministrja e Jashtme

Arta Dade: Do t’i kthejmë dinjitetin Parlamentit

Deputetja socialiste, Arta Dade, u shpreh dje nga foltorja e Kuvendit, se qeveria e re do t’i kthejë dinjitetin Kuvendit dhe jetës parlamentare. Ndër të tjera ajo u bëri apel kolegëve të saj, duke thënë se në këtë sallë duhet të bisedohet se si të bëhen punët më mirë për ndalimin e rrënimit në ekonomi, arsim, punësim, energjetikë etj. “Ky Parlament ka standard tjetër me përgjegjësinë e madhe që na vunë mbi supe ata që na vendosën në secilën anë respektive të kësaj salle. Mazhoranca e re ka të tjera standarde, respekti për Kushtetutën, ligji dhe ndarja e pushteteve janë themelet mbi të cilat ngrihet e gjithë veprimtaria jonë”, tha dje deputetja socialiste. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja Dade u shpreh optimiste teksa deklaroi se sfidat për qeverinë dhe mazhorancën e re janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme. “Jemi këtu për të përmbushur premtimet. Sfidat për qeverinë dhe në Kuvend janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme”, deklaroi Dade.

Debati për “Integrimin”

PD, Bregu: Rama s’ka asnjë datë për integrimin, vetëm fjalë

PS, Bushati: Pas 8 viteve në qeverisje, Bregu për herë të parë flet për integrimin

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ngjalli debate mes deputetëve të mazhorancës dhe pozitës në sallën e Kuvendit. Deklaratat e ish-ministres Bregu kanë shkaktuar replika mes saj dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Fillimisht, deputetja e PD-së akuzoi qeverinë Rama se në programin e saj nuk ka asnjë datë për projektet e integrimit, por vetëm fjalë. “Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Europës”, tha ajo. Sipas ish-ministres, Rama e ndali këtë tren për 3 vjet. “Mbi ty zoti Kryeministër do të rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, tha ajo. Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, Bregu tha se qeveria e re duhet të falënderojë qeverinë paraardhëse për punën e bërë sa i përket integrimit të Shqipërisë. “Rrugën për ta kapur trenin e BE-së do ta gjesh të shtruar si rrugët që gjeje kudo shkoje nëpër Shqipëri. Falëndero qeverinë parardhëse për kontributet”, u shpreh deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili në replikën e tij theksoi se edhe pse ajo ishte për tetë vjet në krye të Ministrisë së Integrimit, kjo ishte hera e parë që zonja Bregu fliste për Integrimin. “Më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh të dëgjoj që flet për çështjet e integrimit. Të falënderoj që u rreshtove kundër krimit të organizuar dhe së dyti duhet të jeni më modestë. Mos e ndani këtë sallë dhe shqiptarët me ne dhe ju”, ironizoi Bushati. Sa u përket akuzave që hodhi Bregu për kopjim të programit të PD-së, Bushati tha se është kopjuar e gjithë lista e detyrave që qeveria e djathtë nuk i bëri dot. “Atë që keni bërë ju në këtë proces, është një gjë që ne do të vazhdojmë ta vijojmë. Atë qe s’e keni bërë ju, ne do ta bëjmë shumë mirë në mënyrë që të jetësojmë ëndrrën europiane. Kemi kopjuar të gjitha kërkesat dhe listën e detyrave që ju nuk bëtë në qeveri gjatë këtyre viteve”, tha dje ministri Ditmir Bushati në replikën e tij me ish-ministren e Integrimit.

Majko: Po e marrim vendin më keq se e mori Papandreu Greqinë

Të rikthehen në punë ata që janë larguar padrejtësisht

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist, Pandeli Majko, deklaroi dje se qeveria e re po e merr vendin në një krizë të thellë ekonomike. “Krahasimi që opozita i bën programit të qeverisë ‘Rama’ me atë të Papandreut është i pavend, sepse situata që ka lënë qeveria e mëparshme nuk krahasohet me Greqinë, madje qeveria ‘Berisha’ e ka lënë më keq, në kushte ekstreme. Qeveria e re, me programin e saj 4-vjeçar, është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha, sepse ndodhemi përpara një ‘tufe borxhesh’”, theksoi Majko. Ndër të tjera, renditi një sërë problematikash që kërkojnë zgjidhje urgjente nga qeveria e re. “Për të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nuk i ka përfunduar për mungesë fondesh, si rruga ‘Durrës-Kukës’, apo ‘Rruga e Arbrit’, që është në një gjendje akoma më të keqe, apo dështimi me privatizimin e ‘Albpetrolit’, vlen shprehja ‘nuk dihet ku është dera e ku është dritarja’. Pronarët e vjetër dhe ish të përndjekurit do të kenë një plan të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje në kohë këtij problemi”, tha Majko. Lidhur me administratën shtetërore, Majko i kujtoi Kryeministrit Rama se qeveria e re ka detyrim ligjor të kthejë në punë ata që kanë një vendim gjyqësor, apo të Komisionit Civil, të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna. “Ky ristrukturim administrativ do të vijë si pasojë e reformës financiare në vend, prandaj kërkoj që ministrit të Financave Shkëlqim Cani, t’i jepet përkrahja e nevojshme dhe më e madhja. Financat e vendit qeveria na i ka lënë, ku mungon vetëm shprehja ‘të rroni vetë’. Prandaj qeveria e re është një emergjencë për vendin tonë”, u shpreh Pandeli Majko.

Patozi: Rama duhet të kërkonte ndjesë për bojkotin ndaj Kuvendit

Ish-kryetari i grupit të PD-së: Mos bëni delen e zezë në Europë

Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, iu drejtua me titullin “bashkëkryeministër”, dy aleatëve të majtë, Ilir Meta dhe Edi Rama, ndërsa theksoi se ata trashëgojnë nga demokratët një Shqipëri normale dhe të shëndoshë ekonomikisht në letra. “Ju drejtohem ju bashkëkryeministër Meta dhe Rama. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Kjo vlen për bashkëkryeministrin e dytë, se i pari e di. Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu që shqiptarët janë më kryelartë. Nuk pres të bëni ndonjë gjë më të madhe, por pres të mos e bëni delen e zezë të Europës. Nuk pres të ndërtoni rrugë të reja, por mos prishni atë çka është bërë tashmë. Po ju dorëzojmë një vend me paga dhe rroga të larta. Nuk pres të ruani trendin e zhvillimit, por të paktën mos i ulni. Është një Shqipëri që pati rritje impresionuese dhe nuk pati krizë. Nuk pres prej jush të bëni të njëjtën gjë, por mos e lini ekonominë e shqiptarëve të bjerë në humnerë. Po ju dorëzohet një Shqipëri e gatshme për BE-në. Nuk pres të jeni pasionant si ne në rrugën e integrimit, por të paktën mos u bëni ferrë. Ju keni përballë një opozitë që nuk do ta bllokojë integrimin asnjë ditë”, deklaroi Patozi. Më tej, ai sulmoi kreun e PS-së, që në fjalimin e tij në Kuvend nuk kërkoi ndjesë për bojkotin dhe dëmin që i shkaktoi vendit prej tij. “Po të kishte pasur një grimë morali, fjalia e parë e Edi Ramës në këtë sallë do të kishte qenë ndjesa e thellë për atë që i shkaktoi këtij vendi në katër vjet, vetëm se nuk e pranonte dot humbjen në një lojë demokratike. Ne jemi krenarë, edhe se i dhamë vendit të paktën tre palë rresht zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Patozi duke shprehur vendosmërinë se opozita do të vijojë betejën politike nga salla e Parlamentit.

Braçe: Nevojë kombëtare për shembjen e korrupsionit

Deputeti i PS: “Atdheu privat” duhet të shembet

Deputeti socialist, Erjon Braçe, në fjalën e tij të djeshme në Kuvendin e Shqipërisë deklaroi se me qeverinë “Rama” ka nisur një fazë e re për vendin. Ai garantoi se qeveria e re do të zhbëjë korrupsionin dhe shembjen e “atdheut privat” që, sipas tij, ngriti gjatë këtyre tetë viteve qeveria e mëparshme “Berisha”. “Do na duhet të përballemi, me shtetin privat që këta ndërtuan. Kryeministri dhe ministri bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi. Ky është korrupsioni si mënyrë jetese. Këtë do bëjmë ne, do shembin atdheun e kryeministrit dhe do të ndërtojmë atdheun tuaj. Ka nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar”, tha Braçe. Ai shtoi se duhet të prishen kontratat koncesionare abuzive. “Ekonominë që u vendos për vete në Shqipëri, që detyroi monopolet natyrore si Lotaria Kombëtare, CEZ-in, ARMO-n, marrëveshje në naftë, gaz, kontrata për shfrytëzim pyjesh mineralesh dhe kullotash. Kostot i paguat ju, fitimet i morën ata. Së treti, shërbimet e monopolizuara që këta ndërtuan. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet. Së katërti, ekonomia nën të zezë që këta ndërtuan. 100 kompani të mëdha punojnë kështu dhe kishin firmën e ekspertes së familjes së kryeministrit. Krimin e organizuar që rritën në ekonomi, që ka hyrë fort në pastrimin e parave”, theksoi deputeti i PS-së.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.