Noka flet me gjuhën e Berishës

Postuar në 14 Shtator, 2013 09:19

Përpjekjet për të ngjallur përçarje në gjirin e të majtës duket se janë strategjia e momentit e opozitës. Këtë më mirë se asgjë tjetër e dëshmon fjala e deputetëve demokratë në seancën e sotme.

Deputeti Flamur Noka, ish-ministër i Rendit në qeverinë “Berisha”, ka akuzuar kryeministrin Rama për përzgjedhjen e ministrave të rinj mbi baza klientelizmi. Noka nuk i kurseu akuzat personale në drejtim të ministrave emër për emër, madje akuzoi Ramën për “mllef ndaj qytetarëve që nuk e votuan”.

“Qytetarët e këtij vendi nuk kanë nevojë që në vend të ministrave të ketë drejtorë bashkie. Ende asnjë nuk e ka të qartë se si do të funksionojë kjo qeveri, pasi po shtohen ministri vetëm për qoka klientësh. Shqiptarët do të kenë qeverinë me koston më të lartë në histori, pavarësisht se u premtua e kundërta. Më shumë se gjysma e qeverisë nuk ka lidhje me PS”.

“Të lanë si gjysmagjel me votë, gjeli është sipër teje. Rama në asnjë sekondë nuk foli si kryeministër, pasi e di se gjatë gjithë kësaj kohe do të jesh gjysmë i tillë”, tha ai.

Majko: Të rikthehen në punë ata që janë larguar padrejtësisht

Deputeti socialist, Pandeli Majko, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit, tha se qeveria e re duhet të kthejë në punë ata që janë larguar padrejtësisht.

“Ka një numër punonjësish në administratë të ndryshëm nga njëri tjetri nga përgatitja, por që trajtohen njësoj. Qeveria e re ka detyrim ligjor të kthejë në punë ata që kanë një vendim gjyqësor, apo të komisionit civil të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna”, tha ai.

Programi i qeverisë së re në Kuvend, ministrat u përgjigjen pyetjeve

10:00 – Seanca e sotme ka nisur me prezantimin që ministrat e qeverisë “Rama” u bënë pjesëve të programit që kanë të bëjnë me dikasteret e tyre. Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë dhe Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit, ishin të parët që iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve rreth asaj që pritet të bëhet gjatë katër viteve në vijim.

“Jemi të angazhuar që brenda 100 ditësh të çlirojmë territoret spitalore. Synimi ynë është që shërbimi shëndetësor të jetë paguesi i vetëm i sigurimeve shëndetësore. Dy sistemet nuk janë konkurrencë, por sistemi privat është suplementar në përmbushjen e misionit tonë”, tha Beqja.

Ndërsa Haxhinasto tha se në programin për transportin është parashikuar ridimensionimi i porteve, por edhe përfundimi i Rrugës së Arbrit.
“Kemi parashikuar ridimensionimin e porteve. Portet e jugut do të kenë profil më të qartë turistik. Është parashikuar ngritja e një porti në Vlorë, zhvillimi i integruar i turizimit në jug ka si kërkesë të domosdoshme krijimin mundësive aeroportuale.
“Rruga e Arbrit është prioritet absolut. Të gjitha rrugët dhe akset që janë në proces do përfundohen. Po do të përfundojë dhe rruga e Arbrit. Kjo është përgjigjja ime përfundimtare” , tha Haxhinasto.

Ndërsa më pas, seanca vijoi me votimin për nënkryetarin e Kuvendit. Propozimi i PD-së për emrin e Edmond Spahos u miratua me 99 vota pro.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.