Njazi Kosovrasti: S’jam shkarkuar, ai ishte një grumbullim i paligjshëm qytetarësh

Njazi Kosovrasti ka deklaruar për mediat se ai nuk është shkarkuar si kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Duke folur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku kryen një tjetër detyrë, Kosovrasti tha se po përgatitet padia ndaj këshilltarëve të majtë për tejkalim të detyrave.
Kosovrasti tha se ai ishte një grumbullim i paligjshëm qytetarësh.
Sipas tij, mbledhja e djeshme ishte e paligjshme dhe ata këshilltarë kanë firmosur thjesht një deklaratë, pasi nuk ka pasur as mbledhje dhe as vendim.
“Me dhunë nuk mund të përfitohet asgjë,” tha Kosovrasti.
Këshilltarët e majtë u mblodhën dje në paradhomën e Këshillit Bashkiak dhe firmosën shkarkimin e Kosovrastit si kryetar i këtij këshilli. Ata deklaruan se Lulzim Basha kishte kyçur sallën e mbledhjeve dhe kishte ndërruar bravat, për të mos lejuar mbledhjen ku do shkarkohej kryetari.
Të majtët janë shumicë në Këshillin Bashkiak pas marrëveshjes mes Ilir Metës së LSI dhe Edi Ramës së PS./ep
TEMA
Add new comment