Një prokuror i telefonon Mero Bazes…

Postuar në 21 Gusht, 2013 11:14

Të hënën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ftoi institucionin e prokurorisë që të hetonte deklaratat e bëra kundër tij dhe bashkëshortes së tij, deklarata të cilat lidhnin Zonjën e Parë me interesa pronësie në ndërtesën ekzistuese të Partisë Demokratike. Fjala e Nishanit, nuk ka shkuar në vesh të shurdhër, doemos, vartësit të tij ju drejtua. I pari që ka çelur mundësinë për një konflikt interesi të Zonjës së Parë me kapjen e SHQUP-it nga PD-ja dhe kthimit të godinës ekzistuese të PD-së në një kullë shumëkatëshe, ishte Mero Baze, në një editorial të një jave më parë të botuar prej tij në “Tema”. Pak orë pas kërkesës së Nishanit për hetim të bërë të hënën, një prokuror telefonoi botuesin dhe gazetarin Baze. Ky i fundit nuk ka pranuar të komentojë aspak telefonatën e bërë mes tij dhe prokurorit. Por një burim nga organi i akuzës i tha dje “DITA ”-s përmbajtjen e bisedës mes Bazes dhe prokurorit. “Pas kërkesës së bërë nga një titullar i lartë shtetëror, prokuroria vlerësoi maksimalisht rastin dhe kemi nisur një proces verifikimi paraprak të akuzave të bëra ndaj Presidentit. Na rezultoi se i pari që ka shkruar në lidhje me këtë çështje është shtetasi Mero Baze me profesion gazetar, duke hedhur dyshime mbi pronësinë e pjesshme të Zonjës së Parë mbi godinën e Partisë Demokratike. Një punonjës i institucionit i telefonoi zotit Baze kjo është e vërtetë dhe e konfirmoj. Por biseda nuk ka lidhje me ndonjë hetim ndaj tij, por thjesht ishte një bisedë informuese paraprake pasi artikulli i botuar prej tij rezultoi si zanafilla e daljes së këtij informacioni. Ishte një telefonatë informuese. Dhe e tillë do mbetet”, – tha dje një burim i mirëinformuar nga organi i akuzës.

Reagimi i Bazes

Duket se telefonata me prokurorin i ka lënë shije të keqe Bazes. Në profilin e tij zyrtar në “Facebook” në mbrëmjen e së hënës Baze ka sfiduar nëpërmjet disa thënieve të tij Presidentin e Republikës, duke e ftuar të shpjegonte lidhjet farefisnore të bashkëshortes. “Nëse Bujar Nishani mohon që Familja e gruas të ketë pronë në territorin e Partisë Demokratike, duke filluar nga kafe-Sarajet deri tek pjesa e poshtme e godinës së PD-së, e ftoj të përgënjeshtrojë deklaratën e tij se gruaja e tij është mbesë e Qemal Karaosman Bej Elbasanit pronat e të cilit trashëgon familja e gruas. Të paktën i shpëtojmë nderin një firmëtari pavarësie nga ca mashtrues”, -shkruante Baze mbrëmjen e së hënës. Telefonatë informuese ose jo, prokuroria e kreu telefonatën menjëherë sapo Presidenti dha shenjën për “ofensivë”. Në fakt ky episod, ndonëse nuk premton ndonjë angazhim serioz hetimor nga ana e prokurorisë, shërben të paktën për të nxjerrë në pah standardin e dyfishtë të organit të akuzës. Porsa eprori i kryeprokurorit Adriatik Llalla bën thirrje për hetimin e ca deklaratave, nga prokuroria kërcasin telefonatat, qoftë dhe ato informuese. Nga ana tjetër, në të njëjtin portal(gazetatema.net) nga ku Baze ka shkruar atë editorial që mund të ketë shqetësuar Presidentin, thuajse çdo javë denoncohen afera dhe veprime antiligjore me dokumente, por nga organi i akuzës nuk ka kurrë asnjë telefonatë, qoftë dhe për pakëz informim në distancë.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.