Një partneritet i ri për modernizimin e universiteteve

Postuar në 28 Mars, 2013 03:27

 

Bashkëpunimi universitet-biznes prej vitesh shihet si mënyra për përmirësimin e situatës së Europës së prekur nga kriza ekonomike, por dhe si një rrugë që do çojë në modernizimin e universiteteve. Gjithmonë vetëm nëse universitetet, por dhe mendësitë e aktorëve të këtij bashkëpunimi do bëjnë ndryshimet e duhura.Mundësimi i të gjithë njerëzve në moshë pune për të marrë pjesë në jetën ekonomike dhe sociale nëpërmjet shanseve të arritshme dhe të barabarta të trajnimit, është thelbësor dhe i përgjigjet thirrjes së strategjisë “Europa 2020” për të përforcuar atraktivitetin e arsimit dhe aftësimit profesional (VET), dhe paraqet në detaje potencialin e tij në lidhje me iniciativën pioniere “Axhenda për aftësi dhe vende pune të reja”.  ”Gjelbërimi” i ekonomisë sonë ofron punë të reja dhe ato kërkojnë aftësi të reja. Sistemet e Arsimit të Lartë duhet të përshtaten për të garantuar që fuqia punëtore të mund t’i përshtatë aftësitë e saj me nevojat e tregut të punës të një ekonomie të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore, të themeluar në koncepte trajnimi mbi bazën e kompetencave. Duket se ka nevojë për një fleksibilitet më të madh në lidhje me atë se si merren rezultatet e nxënies, si vlerësohen ato dhe se si çojnë në kualifikime.Universitetet, me rolin e tyre të trefishtë si ofrues të niveleve më të larta të arsimimit, të hulumtimit të avancuar, dhe të risive pioniere, janë në qendër të trekëndëshit të dijes së Europës. Ato kanë potencialin të jenë nxitës thelbësorë të ambicies së Europës për të qenë ekonomia dhe shoqëria kryesore e botës me bazë dijen. Kjo është pranuar në nivelet e politikë-bërjes së BE-së që nga Samiti i Gjykatës Hampton i Tetorit të vitit 2005; në të njëjtën kohë, nevoja për ndryshim është e qartë, në qoftë se ato duan të përmbushin potencialin e tyre. Në Komunikatën e KE me titull ““Rezultatet për Axhendën e Modernizimit të Universiteteve: Arsimi, Hulumtimi dhe Risitë” e Majit 2006 u ravijëzuan nëntë fusha për veprim. Që nga ajo kohë modernizimi i axhendës është bërë objekt i shkëmbimit të gjerë të politikave, ku progresi është rishikuar rregullisht nga Këshilli i Ministrave. Komisioni ka propozuar më tej për ta bërë modernizimin e universiteteve një nga çështjet prioritare në kuadrin e ri për bashkëpunim të politikave mbi arsimin dhe trajnimin (aftësimin) sipas strategjisë së Lisbonës.

Një element kryesor brenda axhendës për modernizimin e universiteteve së paraqitur në vitin 2006 nga Komisioni Europian ishte se universitetet duhet të zhvillojnë partneritete të strukturuara brenda botës së sipërmarrjeve në mënyrë që “të bëhen aktorë të rëndësishëm në ekonomi, të aftë ti përgjigjen më mirë dhe më shpejt kërkesave të tregut dhe të zhvillojnë partneritete të cilat shfrytëzojnë dijen shkencore dhe teknologjike”(European Commission, 2006).Komunikata sugjeroi që sipërmarrjet mund ti ndihmojnë universitetet të rimodelojnë kurrikulat, strukturat qeverisëse dhe të kontribuojnë në financimet e tyre. Mbi këtë bazë, KE dha hov Forumit “Biznesi-Universiteti” si një platformë europiane për dialogun midis dy botëve. Forumi Biznesi-Universiteti u mblodh për herë të parë në vitin 2008 dhe tashmë është një platformë e mirë-përcaktuar europiane për dialog midis institucioneve të arsimit të lartë, kompanive, shoqatave të biznesit, ndërmjetësve dhe autoriteteve publike. Ai mundëson dhe i stimulon ata të shkëmbejnë praktikat e mira, të diskutojnë problemet e përbashkëta dhe të punojnë së bashku për zgjidhje të mundshme. Fokusi në aftësitë dhe kompetencat kryesore po bëhet një prioritet urgjent gjithashtu në arsimin dhe trajnimin profesional. Kompetencat kryesore janë themeli për nxënien dhe suksesin jetëgjatë në karrierat dhe profesionet e individëve. Zhvillimi i kompetencave kryesore duhet të vazhdojë përtej arsimit të detyrueshëm, si në arsimin dhe trajnimin fillestar profesional dhe në atë në vazhdim. Në të njëjtën kohë, ndryshimi i shpejtë teknologjik nënkupton përmirësim konstant të aftësive teknike profesionale. Sfida është të arrihet kombinimi më i mirë i mundshëm i aftësive profesionale dhe i kompetencave kryesore, të dyja në një standard të lartë. Në 10 vitet e fundit në Europë ka patur 3 milionë studentë më tepër, dhe një numër në rritje të të diplomuarve në shkenca dhe matematikë. Kjo, megjithatë, ende nuk është e mjaftueshme për kërkesat e tregut të punës. Përveç kësaj po futen modele të reja financimi dhe qeverisjeje të cilat i sfidojnë institucionet të jenë më të përgjegjshme dhe të gjejnë gjithnjë e më shumë financime të investimeve private. Ndërsa po bëhet gjithnjë e më vendimtare lidhja e bizneseve me universitetet në këto periudha në ndryshim, si pjesë e veprimit të tij pro Axhendës “Europa 2020” “mbi modernizimin e universiteteve për konkurrencën e Europës në një ekonomi të dijes globale” dhe si pjesë e programit të tij të Arsimimit dhe Karrierës, Universiteti Europian i Tiranës (UET) ka punuar mbi zhvillimin e një platforme për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe të zgjidhjeve novatore në marrëdhëniet ndërmjet universiteteve dhe komunitetit të biznesit. UET e pranon se kjo është me rëndësi strategjike në arritjen e objektivave të programit “të nxënies dhe të karrierës”, se universitetet duhet të pranojnë që marrëdhënia e tyre me komunitetin e biznesit është me rëndësi strategjike dhe është pjesë e angazhimit të tyre për ti shërbyer interesit publik. Universitetet duhet të zhvillojnë partneritete të strukturuara me botën e sipërmarrjeve në mënyrë që të bëhen aktorë të rëndësishëm në ekonomi, të jenë në gjendje ti përgjigjen kërkesave të tregut dhe të zhvillojnë partneritete të cilat shfrytëzojnë dijen shkencore dhe teknologjike. Sot ka më pak dallime midis tregjeve dhe sektorëve. Kjo ka të bëjë më pak me dallimin midis prodhimit dhe shërbimeve, dhe më tepër me shërbimet që shtojnë vlerat, një hapësirë ku universitetet mund të kenë një ndikim të veçantë. E ardhmja kërkon që sipërmarrjet të lidhen me të diplomuarit të cilët më pas mund ti bashkë-përgjigjen situatave në të gjitha disiplinat. Është me rëndësi të madhe konsiderimi i universiteteve si pjesë të një ekosistemi novator: Universitetet duhet të luajnë një rol qendror në shkëmbimin e dijes, transformimin e organizatave, aftësimin e fuqisë punëtore, mbështetjen e sipërmarrjeve dhe bashkëkrijimin e dijes. Në Britaninë e Madhe, raporti “Industri  e re, vende të reja pune” u publikua në prill të vitit 2009, duke paraqitur qëllimin e qeverisë për të mbështetur zhvillimin e fushave me avantazh konkurrues në ekonomi në të ardhmen, të termëzuara gjerësisht si “aktivizëm industrial”. Në përgjigje të shpejtë ndaj krizës ekonomike, qeveria britanike koordinoi përpjekjen për të promovuar bashkëpunimin universitet-biznes sipas fondit HEIF (Fondit për Risi Të Arsimit të Lartë). Fondi u rrit për periudhën 2010-2012 në përputhje me rekomandimet e paraqitura sipas Lambert Review. ECIF (Fondi për Sfidën Ekonomike dhe Investimin) u startua nga HEFCE (Këshilli për Financimin e Arsimit të Lartë) vitin e kaluar për t’u mundësuar universiteteve t’u përgjigjen shpejt nevojave të punëdhënësve dhe individëve gjatë rënies ekonomike. 120 universitete iu përgjigjën afatit 4 javor dhe 78 projekte morën financim shtetëror me vlerë prej 28.5 milionë £(Herman, 2011).

10 vitet e fundit në Europë ka patur 3 milionë studentë më tepër

Në Britaninë e Madhe 120 universitete iu përgjigjën afatit 4-javor vitin e kaluar për t’u mundësuar universiteteve t’u përgjigjen shpejt nevojave të punëdhënësve dhe individëve gjatë rënies ekonomike.

78 projekte morën financim shtetëror me vlerë prej 28.5 milionë £

Rasti i UET

UET është angazhuar në një projekt të mbështetur nga ai dhe fondacioni ABC “ Ide të reja për sipërmarrje të reja”, që nxit bashkëpunimin me bizneset dhe politikën si mënyra më e mirë për të ndihmuar ekonominë. Universiteti Europian i Tiranës (UET) ka punuar mbi zhvillimin e një platforme për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe të zgjidhjeve novatore në marrëdhëniet ndërmjet universiteteve dhe komunitetit të biznesit. UET e pranon se kjo është me rëndësi strategjike në arritjen e objektivave të programit “të nxënies dhe të karrierës”, se universitetet duhet të pranojnë që marrëdhënia e tyre me komunitetin e biznesit është me rëndësi strategjike.

Rasti britanik

Në përgjigje të shpejtë ndaj krizës ekonomike, qeveria britanike koordinoi përpjekjen për të promovuar bashkëpunimin universitet-biznes sipas fondit HEIF (Fondit për Risi Të Arsimit të Lartë).Fondi u rrit për periudhën 2010-2012 në përputhje me rekomandimet e paraqitura sipas Lambert Review. ECIF (Fondi për Sfidën Ekonomike dhe Investimin) u startua nga HEFCE (Këshilli për Financimin e Arsimit të Lartë) vitin e kaluar për tu mundësuar universiteteve tu përgjigjen shpejt nevojave të punëdhënësve dhe individëve gjatë rënies ekonomike. 120 universitete iu përgjigjën afatit 4 javor dhe 78 projekte morën financim shtetëror me vlerë prej 28.5 milionë £.

Nevila Xhindi, PhD, zv.rektore e UET për Partneritetet dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar

Nga artikulli: Sfidat strategjike për bashkëpunimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë me Bizneset në dhjetëvjeçarin post-2010, botuar në revistënEconomicus

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.