Nisin sot diskutimet në Kuvend për buxhetin dhe paketën fiskale

Postuar në 16 Dhjetor, 2013 03:23

Qeveria miraton buxhetin e ri për vitin 2014 dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Edhe pse mbledhja është zhvilluar pardje, në faqen zyrtare të qeverisë dhe gjatë paradites së djeshme nuk kishte asnjë informacion mbi këtë mbledhje. U desh një postim në “Facebook” i zv/kryeministrit Niko Peleshi që të mësohet lajmi mbi miratimin e buxhetit dhe paketës fiskale. Por dhe ministri Veliaj konfirmoi sigurimin e 1.8 miliardë lekëve për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën ekonomike. Tashmë i gjithë debati për taksat e reja dhe buxhetin për vitin 2014, do të zhvendoset në komisionet kuvendore përkatëse që më pas të marrë miratimin e ligjvënësve. Ndërkohë janë njohur dhe disa të dhëna mbi buxhetin e ri, ku totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë në vlerën 459.5 miliardë lekë, nga të cilat 280 milionë euro do përdoren për faturat e prapambetura ndaj biznesit. Edhe pse komuniteti i biznesit insistoi për shtyrjen e paketës së re fiskale, qeveria miratoi pardje ndryshimet e taksave dhe vendosi që të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2014. Që në fillim të vitit 2014 ndryshon tatimi mbi pagën. Ndryshimi fiskal nuk prek më shumë se gjysmën e individëve që kanë pagë nën 30 mijë lekë në muaj. Favorizon, pra takson më pak, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 130 mijë lekë në muaj dhe penalizon rreth 11 mijë persona që kanë një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj.

Në paketën e votuar pardje, është vendosur përjashtimi nga TVSH prej 10 % e të gjitha ilaçeve dhe shërbimeve shëndetësore. Kjo pritet të përkthehet me një ulje të çmimit të ilaçeve dhe do të shkojë në favor të atyre që përdorin medikamente, apo janë të sëmurë. Këto janë dy ligjet pozitive, pra që sjellin më shumë të ardhura për qytetarët. Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur të rrisë taksën e shtëpive, për të gjithë pronarët që kanë një banesë të ndërtuar para vitit 1993. Aktualisht në Tiranë dhe qytetet e mëdha ky tatim ishte 15 lekë/ m2, dhe nga 1 janari bëhet 30 lekë/m2. Ndryshimi prek të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

 

Taksat për biznesin e vogël

Sot një biznes i vogël paguan:

1. Taksa mbi biznesin e  vogël që varion sipas xhiros vjetore dhe llojit të qarkullimit

2. Taksa mbi të ardhurat personale 10%

Shembull : Farmacia

Sot, një farmaci me xhiro vjetore 7.2 milion lekë, paguan 162 mijë lekë taksa vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna, në katër këste tremujore. Në fund të vitit, farmacia dorëzon tek Tatimet qëndrore pasqyrën me të ardhura dhe shpenzime, diferenca i tatohet me 10% dhe Tatimi mbi të ardhurën personale për të paguar e ka 73 mijë lekë. Tatimit prej 73 mijë lek i zbritet taksa që ka paguar tek bashkia prej 162 mijë lekë, dhe farmacia merr rimbursim 89 mijë lekë.

 

Çfarë do të ndodhë me mënyrën e re të taksimit

1. Heqja e taksës së biznesit të vogël

Shembull: Farmacia

Farmacia me xhiro vjetore 7.2 milion lekë, nuk do të paguajë 162 mijë lekë taksë vjetore e biznesit të vogël tek bashkia apo komuna. Në bazë të pasqyrës së tij të të ardhurave dhe shpenzimeve, diferenca do t’i tatohet me vetëm 7.5% , pra 54 mijë lekë të cilat do t’i paguajë me 4 këste gjatë vitit. Kështu, biznesi i vogël nuk ka më dy administrata tatimore për të cilat paguan për të njëjtin aktivitet, por do të paguajë vetëm tek administrata tatimore qendrore. Përveçse taksës më të ulët, më pak kohë fizike dhe kosto monetare duhet të harxhojë kjo kategori biznesi për pagim taksash.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.