Nishani vlerëson gjyqtarët që i “shërbyen” familjes në pushtet

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka marrë pjesë në mbledhjen ku janë vlerësuar puna e gjyqtarëve në sistemin tonë të drejtësisë.
Ajo që bie në sy nga lista e bërë publike në faqen zyrtare të KLD-së, është se emrat e vlerësuar nga Presidenti Nishani janë kryesisht ato gjyqtarë që i kanë shërbyer familjes së në pushtet.
Kështu, si gjyqtar i vlerësuar është ai që i dha fitoren Lulëzim Bashës për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
Të vlerësuar janë dhe gjyqtarët e 21 janarit, të Gërdecit e deri tek gjyqtarë që kanë shpallur të pafajshëm Mihal Delijorgjin. Mbledhja e Këshillit të Drejtësisë, ku është bërë vlerësimi i 10 gjyqtarëve, është zhvilluar të hënën, ku për ironi të fatit, Nishani është betuar se do të kthejë integritetin në sistemin tonë të drejtësisë.
Nishani është zotuar, gjatë fjalës së tij, se emërimet në sistemin gjyqësor do jene mjaft transparente dhe do të bazohen në respektimin e aftësive dhe të integritetit të gjyqtarëve.
“Në vijimin të një procesi transparent, duhet të përcaktojmë qartësisht, jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për opinionin publik, të gjitha procedurat e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative”, ka deklaruar Nishani.
LISTA
10 gjyqtarë kanë marrë vlerësime mjaft pozitive nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i kryesuar nga Presidenti Bujar Nishani.
Kështu, si e vlerësuar nga Nishani, është gjyqtarja Entela Prifti, e cila bënte pjesë në trupën gjykues që i dha fitoren, me vendim gjykate, Lulzim Bashës.
Një emër tjetër, i shpërblyer nga Nishani, është gjyqtari Arben Mullaj. Dosja e tij nis me 21 janarin e deri tek vendimet që kanë marrë haptas në mbrojtje fëmijët e kryeministrit, Sali Berisha.
Mullaj është gjyqtari që ka dënuar me gjobë Hekuran Dedën, Taulant Ballën e Altin Dalipin, të gjithë këta të akuzuar për shpifje, nga njerëz të familjes në pushtet.
Arjana Caco, e cila rezulton në listën e vlerësimit, është gjyqtarja, e cila ishte pjesë e trupit gjykees që i dha lirinë të akuzuarve për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit.
Po kështu, kjo gjyqtare, në tetor të vitit 2012 urdhëroi shpërndarjen e grevës së urisë të ish- të përndjekurve politikë, duke e konsideruar atë të jashtëligjshme.
Po nën firmën e saj është pushuar çështja në ngarkim të dhëndrit të Ministres së Integrimit, Evis Gjeçaj, i akuzuar për evazion fiskal.
Gjyqtari Ridvan Hado është një tjetër person i vlerësuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Edhe dosja e Hodos është e pasur në shërbim të pushtetit, sa dhe kolegët e tij.
Kështu, Hado është gjyqtari që vlerësoi se 26 viktimat e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit ishin shkaktuar nga një pakujdesi njerëzore. Ky vendim çoi në dënimin e të akuzuarve për shkelje administrative.
Po kështu Hodo ka dhënë disa vendime në favor të Shkëlzen Berishës pas akuzave të ngritura ndaj tij si i përfshirë në afera korruptive.
Agim Ferizaj është një tjetër emër në listën e të vlerësuarve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjyqtari i shkallës së Apelit në Durrës, pak kohë më parë është akuzuar në lidhje me çështjen e vrasjes së kryekomisar Adem Tahirit. Familjarë të Fatmir Hoxhës, koleg i Tahirajt, kanë deklaruar gjatë një proteste të zhvilluar pas një seancë gjyqësore se gjyqtari Agim Ferizaj iu kërkoi 15 mijë euro në këmbim të dhënies së një mase më të lehtë sigurie ndaj Fatmirit, i ndodhur nën hetim për vrasjen e ish- shoferit të komisarit të Shijakut.
Por përveç njerëzve që i kanë shërbyer familjes në pushtet, në listën e vlerësimit ekzistojnë dhe gjyqtarë, pasuria e të cilëve është dyshimtë.
Për Amarildo Laçin, ish- kreu i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurisë ka kërkuar verifikimin e pasurisë pasi kishte dyshime për deklarata jo korrekte.
TEMA
Add new comment