Nishani- Jahjaga: Strategji të përbashkët bashkëpunimi ekonomik

Realiteti në Kosovë ka bindur edhe më skeptikët se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e drejtë dhe pa alternativë. Kështu është shprehur, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një takimi me homologen kosovare, Atifete Jahjaga në kuadër të Takimit të 5-të Rajonal të Presidentëve në Durrës.
“Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie të veçantë dhe partneritet strategjik për arsye që dihen dhe pavarësisht ngjyrave politike të qeverive në vendet respektive. Shqipëria dhe Kosova kanë një synim të përbashkët, integrimin europian, e në këtë rrugë kanë nevojë për njëri tjetrin” , – tha Presidenti Nishani.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi takimin e presidentëve të rajonit si shumë të rëndësishëm në shërbim të bashkëpunimit dhe axhendës europiane të vendeve tona dhe të rajonit në tërësi, sepse i kanë shërbyer intensifikimit të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregtar, e po ashtu realizimit të axhendës së përbashkët europiane.
Një vlerësim të veçantë, Presidentja Jahjaga shprehu për mbështetjen e Shqipërisë në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, shtimin e njohjeve dhe ndihmesën në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Të dy presidentët shprehën vullnetin e përbashkët që të nxisin qeveritë përkatëse për ndërtimin e një strategjie të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik të fokusuar në infrastrukturë, turizëm, energji, bujqësi, si dhe të hartojnë një qasje të përbashkët ndaj zhvillimeve rajonale.
PANORAMA
Add new comment