Nis kompensimi fizik, 1262 hektarë për ish-pronarët

Postuar në 23 Maj, 2013 09:17

Paralel me kompensimin financiar do të nisë edhe ai fizik ndaj ish-pronarëve. Qeveria miratoi dje kalimin e fondit të tokave prej 1262 hektarësh në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ta shpërndarë. Po dje, qeveria i kaloi Ministrisë së Bujqësisë 520 hektarë tokë bujqësore, për t’ua dhënë me qira atyre që duan të zhvillojnë bujqësinë dhe blegtorinë.

 

Kompensimi

Mbi 1200 hektarë tokë që do të shpërndahet nga AKKP-ja për ish-pronarët i përket ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ndërmarrjeve shtetërore në qytete me shtrirje në të gjitha qarqet. Nisja e kompensimit fizik bëhet në respekt të afateve të vendosura në strategjinë e kthimit të pronave. Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije se qeveria disponon aktualisht 71 hektarë pyje, 100 objekte dhe 16 mijë hektarë tokë bujqësore, të destinuara për t’u përdorur për kompensimin e ish-pronarëve. Nga ana tjetër, AKKP ka bërë gati dixhitalizimin e të gjitha vendimeve të dala nga Agjencia, si dhe atyre të dala nga gjykata. Kompensimi fizik pritet të kushtojë më lirë, për shkak se harta e re e çmimeve të trojeve të miratuara nga qeveria pak ditë më parë ka vlera shumë më të ulëta se ato të vendosura në vitin 2008. Çmimi zyrtar për efekt kompensimi në ish-Bllok është 180 mijë lekë, ndërsa me vlerën e re është vetëm 55 mijë lekë. Me çmimet e reja të pronave shteti del më i fituar dhe ish-pronarët sërish të humbur. Për ndërtimin e një vepre publike, buxhetit të shtetit do t’i kushtojë shumë pak kompensimi. Mirëpo vlerat e reja të pronave krijojnë amulli me kompensimin fizik. Pasi duke ulur me disafish tokat në rrethet periferike të vendit, rritet sipërfaqja me të cilën do të kompensohen ish-pronarët për tokat e “humbura” në Tiranë. Ndërkohë që fondi fizik i tokave të bëra publike deri më tani nuk është më shumë se 16-17 mijë hektarë. Por edhe këto nuk dihet se ku janë. Ish-pronarët shpjegojnë se ka edhe një vështirësi të madhe, për vetë faktin se qeveria i ka dhënë kompetenca maksimale pushtetit lokal për ndarjen e tokave të shtetit. Filozofia e qeverisë për kompensim fizik është pylli kundrejt tokës. Por harta e re e çmimeve nuk i ka ende të afishuara çmimet e pyjeve. Janë afishuar vetëm çmimet për tokat bujqësore dhe livadhet. Nëse do të ketë vlera më të larta për pyjet, pyetja shtrohet ku janë pyjet që do të kompensojnë ish-pronarët. E zëmë se rrethi i Pukës ka sasinë më të madhe, por sa realisht do të mund të bëhen prona të ish-pronarëve, pasi në ato zona ndarjet e pronave janë bërë me kanun.

Shifrat

Sipas të dhënave nga ish –pronarët, vetëm në Tiranë janë për t’u kompensuar edhe 21 milionë metër katror tokë. Ndërkohë që fondi fizik i tokave të bëra publike deri më tani nuk është më shumë se 16-17 mijë hektarë. Por sipas metodologjisë së re, çmimet e pronave janë në një databazë, e cila ka të dhënat e çmimeve për të gjitha zonat e vendit. Kështu, nëse një ish-pronar kërkon kompensim të pronës së tij, brenda pak minutash atij i propozohen prona të tjera në të gjithë vendin me të njëjtin çmim me pronën e zënë. Për krijimin e kësaj databaze puna ka vazhduar kohë më parë. Janë listuar tashmë 20 mijë pasuri në të gjithë vendin.

 

Kompensimi fizik pritet të kushtojë më lirë, për shkak se harta e re e çmimeve të trojeve të miratuara nga qeveria pak ditë më parë, ka vlera shumë më të ulëta se ato të vendosura në vitin 2008

 

Sipas të dhënave nga ish –pronarët, vetëm në Tiranë janë për t’u kompensuar edhe 21 milionë metër katror tokë. Ndërkohë që fondi fizik i tokave të bëra publike deri më tani nuk është më shumë se 16-17 mijë hektarë

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.