Ngritja e KZAZ-ve, PS përgënjeshtron KQZ-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Socialiste shkëmbyen sot akuza në distanca sa i përket afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve nga partitë politike për anëtarët dhe sekretarët KZAZ-ve.
Në një deklaratë të saj, KQZ tha se kanë paraqitur propozimet e tyre brenda afatit ligjor, që është data 8 mars, PD, LSI dhe PBDNj, ndërsa PS deri në momentin që flasim nuk ka paraqitur asnjë propozim me dokumentet përkatëse.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje Partisë Socialiste të paraqesë sa më shpejtë të jetë e mundur propozimet për anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor në përmbushje të detyrimit që Kodi Zgjedhor i ngarkon këtij subjekti politik.”- thuhet më tej në deklaratën e KQZ-së.
Partia Socialiste e cilësoi këtë një qëndrim tërësisht politik, i cili dezinformon opinionin publik.
Partia Socialiste dëshiron të sqarojë opinionin publik se i ka dorëzuar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve brenda afatit ligjor që parashikon Kodi Zgjedhor, sot me datë 11 mars 2013 ora 14.00, thuhet në deklaratën e PS-së.
Sipas Partisë Socialiste përmendja e 8 marsit si afat i fundit nga KQZ, është i qëllimshëm, pasi sipas saj, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar qartë se afati zyrtar kur subjektet duhet të paraqesin propozimet për anëtarë të KZAZ është 115 ditë nga dita e zgjedhjeve, që do të thotë 10 mars 2013.
Po sipas Kodit Zgjedhor, vijon më tej PS-së parashikohet që nëse afati i fundit i bie ditë pushimi atëherë afati shtyhet në ditën në vijim.
“Në rastin në fjalë data 10 mars 2013 ishte ditë e diel, duke bërë që dita e sotme, pra 11 mars 2013 të jetë dita e fundit e afatit për dorëzimin e propozimeve.”- thekson PS.
PS tha se këto dalje të motivuara politikisht dëshmojnë qartë politizimin e administratës së këtij organi që është vënë në shërbim të partisë në pushtet.
PANORAMA
Add new comment