Ngrihet grupi i kontrollit për SHISH, Noka: Komisioni të thërrasë Kodhelin.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare mes diskutimeve të shumta vendosi të ngrejë një grup kontrolli me 5 deputetë për verifikimin e ligjshmërisë së shkresës që drejtori i SHISH, Visho Ajazi Lika i ka dërguar vartësve të tij, me objekt; “Sekret/Kёrkesёn Operative” nr. 1478, datë 2.12.2013, dërguar drejtorëve tё SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion mbi persona tё implikuar nё veprimtari antiligjore, tё emëruar nё pozicione drejtuese nё Policinë e Shtetit.”
Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot vendosi që pjesë e këtij grupi kontrolli të jenë 5-deputetë, anëtarë të këtij Komisioni dhe përkatësisht 3 nga maxhoranca, Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu dhe 2 nga opozita, e cila braktisi mbledhjen, duke mos pranuar ngritjen e këtij grupi dhe duke mos propozuar emra deputetësh për këtë grup kontrolli.
Debati:
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në çelje të këtij komisioni kërkoi thirrjen në seancë dëgjimore të Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndërsa sa i takon ngritjes së grupit të kontrollit ish-Ministri i Brendshmë tha se është e pavlerë në kuadër të rrëfimit të Kreut të SHISH një ditë më parë.
Sipas Nokës, “deklartat e Kreut të SHISH, Visho Ajazit një ditë më parë pasqyruan qartë nevojën për të thirrur në komision Ministren e Mbrojtjes, ndërsa shuan paqartësitë që lidhen me nevojën e ngritjes së grupit hetimor.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetëve të maxhorancës, konkretisht kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili theksoi se “nuk kemi një kërkesë zyrtare nga ana e PD-së për të thirrur në seancë dëgjimore Ministren e Mbrojtjes, nga krahu tjetër objekti për të cilën ju thoni se Ministrja duhet të vij nuk është i plotë.
“Prandaj ju ftoj të ndiqni rendin e ditës dhe të bashkëpunoni për të ngritur grupin e kontrollit i cili do të bëjë verifikimet e duhura në lidhje me shkresën që Kreu i SHISH i ka dhënë vartësve të tij”, tha Braho.
Deputeti i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj duke iu përgjigji Nokës tha se Kreu i SHISH në përgjigjet që dha, ngriti edhe më shumë dyshimet tona, të cilat duhet të gjejnë përgjigje sa më shpejtë dhe ky grup kontrolli është i shumë i rëndësishëm.
Në përfundim, deputetët e opozitës në Komision braktisën seancën, ndërsa Kryetari i Komsionit, Braho hodhi në votim ngritjen e grupit, duke miratuar dhe tre anëtarët e maxhorancës
Add new comment