Ngjashmëria e Ramës me Nolin dhe një seancë monotone në Kuvend

I lodhshëm dhe monoton. Kaq mund të mjaftojë për të përshkruar mbi 24 orë a më shumë Kuvend, ku do të diskutohej programi që do të qeverisë shqiptarët për 4 vite në vijim. Hiq një grusht fjalimesh, që mund të numërohen me gishtat e njërës dorë nga të dyja palët, pjesa tjetër ishin ligjërime deri në mërzi, të ngjashme me ato të dy liderëve dhe rrotulloheshin rreth të njëjtave argumente si fije kashte në mullar.
Një pjesë e dytë e madhe ishin formalitete, pa ndonjë ide brenda dhe mbajtësit e tyre do u kishin bërë një nder shqiptarëve po t’ua kishin kursyer ato minuta. Deri rreth orës 20 të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asgjë për t’u shënuar, hiq batutat mbi shëndetin mendor dhe krimin të dy ministrave të Brendshëm. Atij që ikën, e që për hir të së vërtetës, e lë situatën në vendin e punës me një numër vrasjesh shumë më të lartë dhe bilanc më të keq se çdo paraardhës i tij të paktën që prej 2002. Dhe atij që po vjen si ministër për të drejtuar një polici, me të cilën ka pasur konflikte të hapura edhe para kamerave. Prej kësaj monotonie, shqiptarët zor se mësuan ndonjë gjë rreth programit të socialistëve më shumë sesa ishte thënë deri para Kuvendit dhe zor dëgjuan ndonjë kritikë për t’u shënuar ndaj tij… Një pjesë e mirë e kohës u harxhua që njëra palë të thoshte se “nuk kishte program” dhe pala tjetër të pohonte se “kundërshtarët as e kishin idenë se çfarë ishte programi”.
Kjo sigurisht deri sa folën ish-kryeministri dhe lideri historik i PD, Sali Berisha dhe u replikua prej kryeministrit aktual, Edi Rama. Në mënyrë cinike dhe për ta denigruar, thotë analisti Mero Baze, Berishës iu la më shumë kohë se cilitdo tjetër në sallë. Ky i fundit, për të mos zhgënjyer asnjë paragjykim ndaj tij mbajti të “njëjtin” fjalim gjysmëlamtumire që është dëgjuar disa herë që prej 23 qershorit, i mbushur në gjysmën e tij me lavdërimet për qeverisjen 8-vjeçare dhe në pjesën tjetër me akuza të përsëritura për kundërshtarët politikë. Sidoqoftë, fjala e Berishës për herë të parë pas 8 vjetësh si opozitar në Kuvend ishte kulmi i parë i seancës maratonë.
Replika e Ramës, po ashtu nuk doli përtej pritshmërive. Sarkazëm, ironi dhe cinizëm, sigurisht të një niveli përmbi atë që bënë pas tij apo kishin bërë deri atëherë deputetët e PS në tentativë për ta imituar në një mënyrë të ngjashme, siç imitojnë deri në mimikë Berishën të djathtët në pakicë. Ashtu siç shumë e prisnin, fjalimet e Ramës plot ngjyra dhe gjuhë të pasur i kënaqën të dëshiruarit të dëgjonin publicistikë në foltoren e Kuvendit. Rrjetet sociale u mbushën përnjëherë me vlerësime prej adhuruesish të tipit: “Kemi fituar një kryeministër, por kemi humbur një korife të letrave” apo edhe kundërshtarësh që e ironizonin se do kishte bërë mirë “të ishte marrë me letërsi, ku duket se është i zoti, dhe jo me politikë”. Përtej kësaj, kryeministri i ri i shqiptarëve edhe dje bëri një fjalim të ngjashëm plot batuta dhe ironi, aq bukur të stisur nga ana gjuhësore dhe epitetet, saqë nuk pati nevojë të përmendte qoftë edhe një emër për të goditur personalisht gjithë ata që kishte ndërmend të godiste.
Nuk do ishte hera e parë që stili i tij i të shkruarit dhe i ironisë të krahasohej me Fan Nolin. (Për rast, kryeministër po ashtu i ardhur në pushtet në muajin qershor edhe pse më 1924). Vetë Rama e ka pranuar në intervistë televizive kur moderatori u habit prej gjuhës së tij, që iu duk e ashpër se po “kopjonte” apo ndiqte të njëjtën rrugë si Noli. Dhe pa asnjë dyshim, në tri fjalimet e fundit në Kuvend ai ia ka dalë mbanë ta imitojë ish-kryeministrin që u fut në historinë e politikës shqiptare më shumë prej fjalimesh aq mbresëlënëse, sa duartrokiteshin në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, sesa prej veprimeve politike në të cilat mjaft historianë besojnë se dështoi.
Rama sigurisht, ndërsa ka zgjedhur ta imitojë atë në rrugën publicistike, me siguri nuk do të donte t’i ngjante atij sa i përket fatit politik, por ndërkohë po ashtu si Noli ai premtoi në Kuvend ku u votëbesua një reformë po “aq të madhe” sa ajo e 1924 dhe po ashtu ka ushqyer të njëjtat pritshmëri të mëdha për vitet në të cilat do të qeverisë. Ashtu si Noli, ai ka bërë bashkë në një krah grupe politikanësh me interesa krejt të ndryshme prej njëri- tjetrit, që njësoj mund të rrezikojnë t’i bllokojnë reformat e mëdha të premtuara apo ta katandisin ‘kaposhin në një thelë’. Premtimet që prej ndryshimeve kushtetuese apo goditjes së ndërtimeve pa leje e deri te pronat, taksat apo shëndetësia universale, me shumë gjasë do të prekin interesa të grupeve jo fort të patakatshme në vend dhe me gjasë me ndikim politik edhe mes njerëzve të shumicës së re.
Ramës, për të mos pasur fatin të imitojë Nolin përtej fjalimeve, do i duhet t’i mbajë bashkë edhe biznesmenët e mëdhenj, të cilët me shumë mundësi, siç u bë e qartë në këtë prezantim programi, do të kenë më shumë taksa për të paguar, edhe deputetët si Ben Blushi (një ndër pak fjalimet që i shpëtoi klisheve bashkë me Erjon Braçen, Sokol Olldashin, Ridvan Boden, Dashamir Shehin) që i kërkoi të impononte drejtësi më të madhe sociale me një shtet edhe më të madh se ai që Rama kishte premtuar tashmë në programin e tij. I duhet të vendosë balancë mes militantëve që i kërkojnë punë dhe profesionistëve që do duan prej tij të mbajë fjalën për një administratë që nuk do të ngrihet mbi partishmëri. E gjithë kjo nuk do jetë aq e lehtë sa të shkruash fjalime të ngjashme me ato të Nolit, plot ironi e sarkazëm për kundërshtarët që nuk e kuptojnë ngase “me shkollë nate” e që ende “u vjen mendja vërdallë” prej humbjes jo të vogël në zgjedhje.
MAPO
Add new comment