Negociatat e Arvizu, PS e PD larg konsensusit për KQZ

Të zhytur kokë e këmbë në fushatë, PS dhe PD kanë lënë në hije ngërçin e KQZ-së, që funksionon prej javësh vetëm me katër anëtarë. Më shumë se tek partitë, shqetësimi për këtë anomali shihet tek diplomatët e huaj, të cilët janë përfshirë edhe një tjetër herë në kërkim të një zgjidhjeje për “arbitrin”, një muaj para 23 qershorit. Negociatat në prapaskenë dolën në sipërfaqe dje me vizitën 40-minutëshe që ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu zhvilloi në zyrën e Ramës. “Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje, por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta, por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, -tha Arvizu pasi doli nga selia rozë, i shoqëruar prej Damian Gjiknurit. Pak ditë pasi kishte premtuar zhvillime në këtë drejtim, Arvizu iu kthye dje apelit në adresë të PS dhe PD, që të punojnë për të plotësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Palët nga ana e tyre kanë shkëmbyer në prapaskenë ofertat dhe janë tërhequr në pozicionet fillestare, duke qenë ende larg kompromisit. Por çfarë kërkon Partia Socialiste për të plotësuar vendet e lëna bosh nga Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani i PBDNJ-së? Burimet pranë selisë rozë bëjnë me dije se oferta për Berishën është që ai të ruajë mazhorancën prej 4 anëtarësh në KQZ. Si këmbim, socialistët kërkojnë të dalin “me nder” nga ky ngërç, duke i propozuar mazhorancës shkrirjen e Komisionit dhe rizgjedhjen e anëtarëve. Kleçka qëndron tek propozimi që kryetari i KQZ-së duhet të sigurojë edhe konsensusin e opozitës, çka rrezikon drejtuesen aktuale, Lefterije Lleshi. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Gjiknuri tha dje përkrah ambasadorit amerikan se kërkojnë që KQZ të kthehet në Kuvend, aty ku sipas tij u cenua legjitimiteti. Partia Demokratike nga ana tjetër nuk lëshon pe ndaj kërkesave të opozitës. Sidomos në pikën e konsensusit për kryetarin e KQZ-së, duke mos vënë kështu në rrezik kryetaren e zgjedhur me votat e shumicës, Lefterije Lleshi. Kompromisi i vetëm që ofron PD-ja është mbledhja e Parlamentit, për të votuar sa më shpejt anëtarët që opozita do të propozojë. Gjatë takimit që pati dje me shefen e misionit të ODIHR-it, Conny McCormak, Berisha akuzoi opozitën se po përpiqet të bllokojë procesin zgjedhor. Të njëjtin argument politik ka përmendur dje edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kur tha: “Shpresoj që Rama të mos e përdorë KQZ-në si alibi, kur të humbë zgjedhjet”. Gjatë takimit me drejtoreshën e NDI në Shqipëri, Topalli i bëri thirrje Ramës që të propozojë emrat. “Kuvendi është gati t’i votojë ata’, – tha ajo. Vetë Rama është treguar deri më tash i prerë për këtë çështje, duke kërkuar rikompozim, ose në të kundërt nuk do të plotësojë vendet e lëna bosh pas tri dorëheqjeve në KQZ. Duke ia lënë përgjegjësinë mazhorancës, Rama ka kërcënuar se në rast se preket vota, Berisha do të përballet me popullin. Për të mos arritur në këtë pikë, ambasadori Arvizu shpreson ende tek konsensusi pas përfshirjes së negociatave bashkë me diplomatë të tjerë. Pasi konfirmoi se nuk kishte folur ende me Berishën për këtë çështje, ai tha se raundi i bisedimeve për KQZ-në, pas PS-së do të kalojë edhe në partitë e tjera.
MAPO
Add new comment