Ndryshimi i pushteteve dhe RTSH gjithmonë në reformë

Postuar në 19 Shtator, 2013 08:29

Radio-Televizioni Shqiptar është një media publike që mbahet me taksat e shqiptarëve, por ky institucion mediatik i ndryshon drejtuesit dhe qëndrimin politik sa herë ndryshon pushteti. Sapo ka ardhur në pushtet Partia Socialiste ka folur për reformë të RTSH-së. Reformë? Po, ka nevojë për reformë, por për reformë që ta kthejë këtë institucion në shërbim të qytetarëve, jo reformë që ta kthejë edicionin e lajmeve andej nga fryn era e pushtetit. Jo reformë me drejtorë që vijnë si gazetarë e ikën si politikanë.

Problemi “RTSH” u ngrit sot në një konferëncë për median në Evropën Juglindore me  gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë dhe akademikë të rajonit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, foli për çlirim të institucioneve të medias nga politika…por e thënë në gojën e një politikani të sapoardhur në pushtet lind pyetja: Si mund ta çlirojë politika median nga politika?

Bushati ka të drejtë kur thotë se është me rëndësi reformimi i medias publike, RTSH, “duke e kthyer atë në një përfaqësues të denjë të taksapaguesve shqiptarë dhe një zëdhënës të interesit qytetar, e në të njëjtën kohë, në një platformë komunikimi lidhës me shqiptarët kudo ku ata jetojnë, duke ruajtur e konsoliduar traditën dhe vlerat tona kombëtare”.

Të presim nëse reforma për të cilën ai flet do të jetë një reformë që synon kthimin e RTSH-së tek publiku apo do të ndodhë si më parë ku reforma përfshin: një drejtor të ri informacioni mundësisht “servil i kryeministrit dhe qeverisë së re”, edicion lajmesh që nis e mbaron me “bëmat e qeverisë” , për të mos folur për fondet publike që keqpërdoren në festivale dhe projekte që janë shumë larg pritshmërive dhe nivelit që kërkohet nga publiku…

Shpresa se RTSH jonë do i ngjajë një ditë BBC-së është si një ëndërr që shuhet sa hap sytë dhe shtyp pultin tek TVSH e të shfaqen në ekranë disa moderatore e moderatorë që flasin në stilin e realizmit socialist….për të mos shkuar më tej.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.